Refreni për të dy ka qenë i njëjtë: “Goditje e madhe, por...”, “Serie A, varreza e elefantëve”, “Të mirë, sigurisht, por në çfarë forme do jenë?”. Historia italiane e Luka Modric dhe Kevin De Bruyne ka një paralelizëm të jashtëzakonshëm, me një nuancë përjashtimi nga ata “kërkuesit e talentëve” të papërtuar, ata që gjithmonë thonë “të luajnë të rinjtë”, por që, të themi të vërtetën, një skuadër vetëm me të rinj nuk fiton kurrë.
Prandaj duheshin 'dy dhelpra' të stolit, dy që e kuptojnë futbollin dhe që masin më shumë talentin dhe përvojën sesa datëlindjen. Kështu Modric, që supozohej të luante vetëm 20 minutat e fundit, nuk del kurrë nga fusha me Allegrin. Dhe Kevin De Bruyne, që kishte ardhur i shëndoshë dhe jashtë forme, u bë për një çast boshti i Napolit të Antonio Contes. Një goditje klasi pas tjetrës, por a kishte vërtet dikush dyshime?
T’i shohësh duke luajtur është një kënaqësi për sytë, një himn për futbollin: pasime me një prekje pothuajse gjithmonë, vertikalizime në hapësirë me të jashtmen e këmbës, futje në zonën e golit, lexime mbrojtëse që duken të pabesueshme.
Allegri thotë: “Modric e di një minutë më parë ku do shkojë topi”. E vërtetë dhe kështu kilometrat për të vrapuar zvogëlohen dhe rikuperimi i topit në zonën ofensive bëhet arma kryesore e sulmit të Milanit.
Dhe De Bruyne? Katër ndeshje dhe dy gola. Po të mos kishte qenë për përjashtimin e Di Lorenzos në Manchester, që e detyroi Conten ta nxirrte menjëherë nga loja (në të cilën, për hir të së vërtetës, nuk bëri asnjë gjest pakënaqësie, sepse një lojtar i madh është edhe ky lloj), ndoshta edhe debutimi evropian i Napolit do kishte qenë ndryshe. Sepse sido që të jetë, ata të dy ndikojnë fort. Krijojnë hapësira dhe i shfrytëzojnë, luajnë topa të vështirë, përplasen në duele dhe gjuajnë në portë. Dhe shpesh dalin nga fusha mes duartrokitjeve.
Milani kishte investuar shumë për Riccin në atë rol. Tani Ricci luan si 'mezzo' (mesfushor i avancuar) dhe mëson çdo ditë nga Modric. E ka thënë vetë, 'nëse ka një mënyrë për një lojtar të ri për t’u rritur, është ta shohësh në stërvitje. Të vëzhgosh, të mësosh, të përpiqesh të imitosh'.
Napoli, për t’i bërë vend Kevinit, është dashur të spostojë McTominay në krah, edhe pse ai vitin e kaluar ishte vendimtar për titullin duke luajtur nga qendra. Nuk ka rëndësi, lojtarët e mëdhenj përshtaten dhe për De Bruyne gjithmonë duhet të ketë vend.
Sërish, por vërtet dikush kishte dyshime? “Janë të vjetër, kanë ardhur këtu për të pushuar”, thoshin. As që bëhet fjalë.
Të dielën në mbrëmje, në 'San Siro', dritat do jenë sërish dhe gjithmonë për ta. Janë fenomene të rrallë, të cilët kampionatit italian i kanë munguar dhe i duhen jashtë mase. Milani dhe Napoli po i shijojnë dhe Allegri e Conte po ndërtojnë garën për titull rreth tyre.
Dhe kush e di çfarë do t’i thonë njëri-tjetrit të dielën në mbrëmje: edhe ti këtu? Hajde, t’u tregojmë si luhet futbolli...
Luka Modric dhe Kevin De Bruyne në duel
Komente
