Përmet/ Banorët e Piskovës kërkojnë zhvendosjen e vendgrumbullimit: Hiqni plehrat! Në protestë dhe Tritan Shehu: Padi për Kumbaron

4 Korrik, 15:17| Përditesimi: 4 Korrik, 15:34

  • Share

Banorët e fshatit Piskovë në Përmet u ngritën sërish në protestë, pasi fusha e mbetjeve urbane ka sjellë ndotje të mjedisit dhe kontaminim të ujit të pijshëm dhe tokave bujqësore. Përmes një peticioni drejtuar bashkisë së Përmetit, prefekturës së Gjirokastrës dhe Ministrisë së Mjedisit, banorët, të mbështetur dhe nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërkojnë zhvendosjen vend-depozitimit të mbetjeve në zonë tjetër, larg banesave. Ata thanë se do të bëjnë padi në SPAK ndaj zyrtarëve që kanë firmosur në vitin 2021 pa u zhvilluar asnjë dëgjesë publike.

"Kemi tre vite që protestojmë. Kam komunikuar me prefektin për kontaminimin e ujit të pijshëm dhe mbetjet toksike. I kam kërkuar ndihmë dhe policisë ta mbyllin këtë. Kërkojmë të mbyllet gropa e vdekjes, boll luajtët me jetët e njerëzve. Ne duam të hiqen këto plehra. Ne kemi bere peticion me firmat e komunitetit do ta çojmë në SPAK se është vrastare”, tha Arlind Dyrmishi kryeplak i Piskoves.

“Është ironia më e madhe, që Vjosa shpallet Park Kombëtar ndërsa në degët e Vjosës derdhen mbeturina. Tymi dhe toksikat po mbysin njerëzit. Kjo është bërë për të fshehur të verteten, për të maskuar se gjasme s’po i hedhin në Vjosë, por këto në fakt mbërrijnë në Vjosë. Këto bëhen me lejen e ministres së Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila firmos në dëm jo vetëm të turizmit por dhe të njerëzimit. Të gjitha mbeturinat derdhen në Vjosë me firmën e saj. Ëshë veper penale e dënueshme”, u shpreh Tritan Shehu, deputet i PD-së në qarkun e Gjirokastrës.

“Unë nuk dua t’ia shikoj bojën Kumbaros, se i kam thënë edhe për problemin e ujit se s’kemi ujë dhe nuk ka na zgjidhur punë”, tha një e moshuar.

“Tre ditë u dogjën plehrat nuk hapje dot dritaret! Në rast se sdo merren masa do protestojmë, do kërkojmë të drejtën tone, do bllokojmë rrugët”, tha një tjetër.

“Nga Lumica mbetjet derdhen në Vjosë. Ka ndotur dhe në ujin e pijshëm”, tha njer banor.

“Kemi vajtur në bashki dhe asnjë zgjidhje. S’kemi ujë për të pirë, shkojmë e marrin në grykën e Këlcyrës”, shton një e moshuar.

Piskova është një ndër fshatrat piktoresk të Përmetit, që shtrihet buzë Vjosës dhe në hyrje të parkut kombetar “Bredhi i Hotovës”. Kjo është zone me potencial për zhvillimin e turizmit, por ngritja e ketij vend-depozitimi per gjithe mbetjet e bashkise se Permetit i ka zbehur shpresat per zhvillim. Fshati po braktiset thane banoret, per shkak te ndotjes dhe mungeses se sherbimeve.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?