Histori rrëqethëse të ‘91, si kaluan detin shqiptarët me anijen e shpresës, Arbëreshi Mario Calivà rrëfen copëza historie…

25 Prill, 17:01| Përditesimi: 25 Prill, 17:13

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Mario Calivà, arbëreshi që jeton në Piana degli Albanesi dhe që çdo ditë përpiqet që të afrojë kulturën tonë më atë Arbëreshe. Mario Calivà me profesion është gazetar, dramaturg, shkrimtar dhe poet dhe së fundmi ka ardhur në Shqipëri për të prezantuar librin e tij “Gli sbarchi albanesi in Italia nei primi anni novanta” historia e shqiptarëve që arritën me anije në Itali në vitet ‘90. Drama e zbarkimeve shqiptare të vitit 1991 rikthehet përmes dëshmive të drejtpërdrejta të atyre që në ato muaj, morën guximin dhe kaluan pjesën e detit që ndan Italinë nga Shqipëria, në përpjekje për të bërë një ndryshim në jetën e tyre. Libri prezanton një pasqyrë të gjerë të vuajtjeve që kaluan shqiptarët gjatë ikjes masive në vitin 1991, ku 20 mijë persona u shfaqën brigjeve italiane në kërkim të një jete më të mirë.

”Në ato vite kishte absurditete nga më të ndryshmet, si fakti që shqiptarët nuk dinin sesi të konsumonin një banane, pasi nuk kishin parë një të tillë” u shpreh Mario, duke shtuar se dëshira për një jetë më të mirë bëri që ata të merrnin aventurën e rrezikshme.

Më pas ai foli për komunitetin e Arbëreshëve që për gjashtë shekuj kanë mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona, duke i bërë ballë kulturës italiane që e rrethonte.

”Sot e kësaj dite Arbëreshët janë një komunitet shumë kompakt, edhe pse traditat e hershme nuk ruhen si dikur” u shpreh Mario Calivà. Me një shqipe të pastër ai tregon se në famijen e tij është folur gjithnjë shqip, madje dhe vajzës së vogël së bashku me bashkëshorten në shtëpi i flasin vetëm arbërisht. Më pas Mario u ndal në pjesët që ai ka vënë në skenë si dramaturg, duke mos harruar profesionin e gazetarit që sipas tij e ka ndihmuar shumë që të jetë si urë lidhëse midis dy kulturave, asaj shqiptare dhe asaj arbërëshe.

Ky nuk është libri i vetëm që Mario Calivà ka bërë. Mario është gjithashtu një poet, shkrimtar dhe publicist që ka botuar antologjitë poetike “Perceptime”, “Drita e pikave të largëta”, “Përtej harresës së zërit” dhe Poezi Arbëreshe. Që nga viti 2012 ai vë në skenë dramat e tij në gjuhën arbëreshe. Mario Calivà gjithashtu është botues  i “Nostalgjia” dhe romanin “La locanda di Tirana”. Ai ka punuar për disa vite dhe në redaksinë e Rai Cultura.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?