Historia emocionuese e 2 të rinjve që nuk dëgjojnë por ëndërrojnë të bëhen IT: U lumturuam kur pamë shokë që përdornin gjuhën e shenjave

18 Shtator 2022, 16:42| Përditesimi: 18 Shtator 2022, 17:32

  • Share

Për herë të parë në këtë vit të ri shkollor edhe nxënësit që nuk dëgjojnë kanë mundësi të ndjekin arsimin e mesëm me orientim teknologji dhe aftësim në programim. Report Tv sjell historinë e dy të rinjve, që dëshirojnë të bëhen ekspert IT-e.

Algerti Gjici nuk e ka dëgjuar kurrë zërin e nënës. Hap pas hapi është përballur me vështirësi për shkak të pamundësisë për të komunikuar me të tjerët. Por kjo nuk e pengoi të shkonte në shkollë me nxënës që nuk kanë problemin e tij.

Por, u ndje i barabartë me bashkëmoshatarët vetëm kur nisi klasën e 9 në Institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë.

“Unë quhem Algent Gjici. Kam lindur në Kukës dhe banoj në Kamzë. Unë kam lindur me probleme të dëgjimit. Më pas familja ime është zhvendosur në Tiranë dhe për 8 vite kam ndjekur arsimin e zakonshëm. Nuk ndihesha mirë, kisha shumë vështirësi dhe kur kam mbaruar klasën e 8 kam ardhur këtu në institucion. Kur kam ardhur për herë të parë këtu u lumturova që pash shokë si unë, që përdornin gjuhën e shenjave. Vështirësia e parë që kam është kur shkoj në një dyqan, sepse e kam të vështirë të flas. Kur shkoj për një vizitë tek doktori”, tregoi i riu.

19 vjeçari tashmë ka nisur shkollën e mesme, e cila ka hapur dyert për këtë kategori për herë të parë . Ai shpreson se në të ardhmen do të bëhet një ekspert kompjuterësh dhe të sigurojë vetë jetesën.

“Tani jam i lumtur që po ndjek arsimin e mesëm sepse dua që të ndjek dhe arsimin e lartë. Nuk kam bërë asnjë vit pushim, pasi përfundova klasën e 9 duke parë vështirësitë që kisha, prindërit më regjistruan sërish në klasë të 9.  Në të ardhmen dua të jem një teknik kompjuteri. Jam shumë i lumtur për këtë fakt”, tha 19 vjeçari Algent Gjici.

Me të njëjtat vështirësi është përballur edhe shoqja e klasës së Algertit, Klea.

“Unë quhem Klea Lika dhe banoj në Tiranë. Familja ime më ka mbështetur dhe ndihmuar gjithmonë. Kam ndjekur arsimin e zakonshëm 9 vjeçar me fëmijë që dëgjojnë dhe kisha shumë vështirësi për të komunikuar. Ardhja këtu më bërë të ndihem mirë, të mësoj më shumë. Unë i bëj thirrje të gjithë fëmijëve që nuk dëgjojnë për të ndjekur shkollën e mesme”,

20 gjimnazistët e parë të shkollës së mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë, përveç Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit si dhe aftësim në programim, do të kenë mundësinë të mësojnë edhe profesione si parukeria, rrobaqepësia dhe zdrukthëtaria.

“Deri tani nuk ka pasur shkollë të mesme dhe sivjet është hapur për herë të parë. Drejtimi është i orientuar në teknologji dhe tik. Fëmijët në përfundim të tre vjeçarit dalin të formuar me kompetenca të orientuar në tik. Nxënësit kanë të drejtë të konkurrojnë në tregun e punës, si dhe në shkollë të lartë. Deri më tani janë regjistruar 20 nxënës. Hapja e shkollës së mesme ka qenë një ëndërr e kahershme. Kjo për arsye se deri dje e kanë pasur të pa mundur ti nënshtroheshin konkurrimit në tregun e punës. Në kurrikulën e arsimit të mesëm të lartë, baza është e shkollave të përgjithshme. Por edhe në fushën e të nxënësit në TIK si dhe janë të përfshira lëndët e profesionit, parkuari dhe berberhania. Kurrikula e zdrukthëtarisë dhe rrobaqepësisë”, tha drejtoresha e gjimnazit.

Nga 20 nxënës, 13 prej tyre vijnë nga rrethet, dhe për ta ofrohet akomodimi në konvikt. 

Komento

Komente

  • Eno: 18/09/2022 18:54

    Bravo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?