‘Historia e artit shqiptar 1858-2000’, për herë të parë në një libër

12 Qershor 2019, 16:47| Përditesimi: 13 Qershor 2019, 20:01

  • Share

“Një portret vajze”, i pikturuar në 1919 nga artisti i njohur shqiptar Vangjush Mio, është imazhi që  autori Ermir Hoxha ka përzgjedhur për të ilustruar kopertinën e librit studimor “Historia e artit shqiptar”. Nëpërmjet tij, autori bën një studim të plotë mbi rrugëtimin e artit pamor vendas, i cili zë fill në lindjen e imazhit të parë realist, në mesin e shekullit të XIX, deri në vitet e fundit të shekullit XX, kohë kur artistët gjetën veten brenda sistemit të artit bashkëkohor. Në një intervistë  për “Report TV’, studiuesi Emir Hoxha na rrëfen, se kohëzgjatja e librit nga imazhi i parë fotografik në vitin e largët 1858, deri tek veprat e fundshekullit XX, prek mediumet e pikturës, skulpturës e fotografisë, si edhe artet e aplikuara që lulëzuan pas gjysmës së dytë të shekullit XX. Studimi është ndërtuar mbi një ndarje periodike në 5 periudha historike.

 “Është rezultati i një pune shumë të gjatë studimore, gati 10-vjeçare. Një punë, e ndërtuar si një histori arti klasike, ku merren parasysh disa mediume. Libri ndahet në pesë periudha. Periudha e parë nis në 1858 dhe mbyllet në periudhën e Pavarësisë. Është një periudhë pa përcaktime, se Shqipëria nuk ka një sistem arti. Fotografia është ajo që hap siparin e artit shqiptar. I pari është Pjetër Marubi, Kol Idromeno, i cili është edhe pionier i pikturës  së artit realist shqiptar”, shprehet studiuesi Ermir Hoxha.

Periudha pasuese, është ajo e viteve 1920-1939, është periudha e konsolidimit të shtetit të ri shqiptar, ngritjes së institucioneve edhe ekspozitave të para, si dhe ndërtimi i profesionit të artistit, ku autori veçon emra si: “Në këtë periudhë çdo gjë nis edhe konkretizohet brenda një sistemi, që fokusohet në Tiranë. Diskursi nuk bëhet më në shkollë rajonale, por kombëtare. Të parët që u shkolluan jashtë janë Kol Idromeno (i cili nuk i përfundoi studimet), Simon Rrota, Vangjush Mio, Zef Kolombi, Sadik Kaceli, që janë ndër emrat më kryesorë të kësaj periudhe, por është edhe Odhise Paskali. Këta artistë ishin shumë të rinj, por përkufizojnë artin shqiptar, tejet realist. Me impakt shumë të rëndësishëm në opinion publik janë monumentet, që shihen nga të gjithë, edhe janë të paevitueshme. Vangjush Mio edhe Odhise Paskali janë dy artistët, që në shtypin e kësaj periudhe gjenden dendur edhe kanë një impakt të jashtëzakonshëm për të prezantuar publikun me artin edhe me të bukurën, që për ta ishte mision”, thotë studiuesi.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore edhe arti kthehet në një instrument të komanduar nga vullneti i pushtetit të ri komunist: “Arti shqiptar u vetpërkufizua nga koha, pas ’45-ës Shqipëria u bë pjesë e kampit Lindor, ishte një vend komunist, ku ideologjia edhe propaganda ishte e rëndësishme. Ndërsa, arti do të përdorej nga shteti si një mjet shtetar. Çdo artistë do të jepte kontributin e tij, ai që nuk e jepte këtë kontribut, kishte punë me shtetin. Metoda e realizmit socialist do të vinte më vonë. Në vitet ‘50 nisën që të përkufizonin një art që kishte temë politike, por jo strukturë. Në periudhën e parë, në vitet ‘50 janë artistët që kanë studiuar Nexhmedin Zajmi, Foto Stamo. Në vitet ‘60 ndryshon muzika, se në këtë periudhë kemi një akt tjetër shtetëror”.

Studiuesi na tregon se shteti duke pasur hendek të madh institucional, vendosi që të çonte studentët në vendet e Lindjes, në BS, Prag, Bukuresht. “Kur u kthyen erdhën si përfaqësuesit e parë që kishin diferencë të ndryshëm nga të tjerët. Një pjesë e punëve të tyre janë në libër. Përcaktohen temat, personazhet edhe destinacioni i artit”. 

Periudha e katërt, ajo e implementimit të metodës së realizmit socialist, prej kthimit të studentëve nga vendet e Lindjes, deri në mesin e viteve ’80. “Trashëgimia kulturore e realizmit socialist në Shqipëri është shumë prezentë, korpusi i saj është shumë i rëndësishëm. Në vitet ‘60 disa nga emrat kryesorë janë Guri Madhi, Sali Shijaku, Jakup Keraj, Vilson Kilica, Muntaz Dhrami, Kristaq Rama etj. Këtë artistë do t’i japin një  ngjyrë edhe panoramë personale artit shqiptar, sepse ne ndahemi nga BS. Realizmi socialist shqiptar zhvillohet në mënyrë të vetme...”.

 

Sa i përket interpretimit të historisë nga artistët që kanë përjetuar regjimin komunist, studiuesi shprehet se secili prej artistëve, ka historinë e vet në kokë, e kupton edhe e identifikon historinë siç e ka jetuar. “Nuk ka një histori që i paqton të gjithë. Ata kanë punuar me pasion, profesionalizëm maksimal. Duke përfituar edhe nga favoret që siguronte shteti studio falas, orë pune të reduktuar, leje krijuese. Të studioje në atë kohë, ishte një privilegj shumë i madh”.

Pati ulje e ngritje për artistë të caktuar.

“Hapja e një kapitulli 12- vjeçar që nis në Plenumin e Katërt, terrori në atë kohë, ishte pjesë e një zinxhiri që po ndodhte në çdo sektor. Personat që u dënuan janë Edison Gjergo, Maks Velo, Ali Oseku. Është Edi Hila që dënohet me punë në pulari. Edhe shumë artistë të tjerë, që nuk janë dënuar me burg, por çoheshin në qytete skajore. Dhuna ka qenë e vazhdueshme, por në vitin 1973 u bë në mënyrë precize. Këta që u zgjodhën ishin persona të sakrifikueshëm, por jo më modernët... Është një eksperiencë e tmerrshme, që është jetuar edhe në nuanca të ndryshme. Të gjithë u përballën me realitetin në bazë të karakterit që patën. Në atë kohë edhe ata persona që kanë qenë persona me pushtet, thonë që ishte frikë, që të pikturoje”.

Ndërsa, një vemendje të madhe i kushton edhe ideologjizmit të tejskajshëm, ku arti shqiptar bie në një super prodhim masiv, por në një monotoni stilistike, sepse pas liberalizimit njerëzit kishin frikë, që të trajtonin tema të reja. “Në çdo ekspozitë kishte qindra vepra, si një festë figurative”, thotë studiuesi ndër të tjera.

Periudha e fundit, të cilën autori e quan në kërkim të kohës së humbur, nis me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, deri në vitet 2000.

“Është periudha më e vështirë edhe sfida më  e madhe, sepse duhet që të shtyhej më parë, që të kuptohej më qartë, sepse historia e artit shkruhet për brezat që do të vijnë. Edhe ata nesër kur të gjenden para një periudhe apo skulpture të një fshatari kinez, duhet që të dinë se cilës periudhë i përket edhe duhet që të dinë edhe kontekstin historik.  Të gjithë brezat e kësaj kohe janë të lirë të krijojnë të pavarur, edhe liria e aq shumë kërkuar tashmë ishte peshë për ta. Deri dje ata kishin të imponuar temën, formën, çdo gjë, ndërsa tashmë çdo gjë do ta krijonin vet. Një pjesë e madhe e tyre nisën eksperimentimet formale të viteve ’60. Disa nga artistët kryesorë janë emra, si Gazmend Leka, Edi Hila, Ilir Pojani, Bashkim Ahmeti, Ali Oseku. Një grup i ri artistësh krijon institucionet e para të pavarura artistike. Janë shumë emra, ndërsa nga viti 1994 instalacionet e para nisën me Najada Hamzën, Vladimir Myrtezain dhe Edi Ramën”, shprehet studiuesi Ermir Hoxha.

Në këtë studim janë përfshirë 590 imazhe nga veprat e autorëve shqiptarë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?