TIRANW- "Mund ta quajmë si pa aftësi që nuk mund të ecim, por ne mund të bëjmë shumë gjëra me anë të mendjes tonë. Kjo është aftësi, jo paaftësi. Unë jam Dovleti, Dovlet Xhangoli. Jam 33 vjeç. U bë 15 vjet që jetoj në Tiranë. Me mamanë, babanë dhe 2 vëllezërit. Kjo është jeta ime", tha Dovlet Xhangoli.
Rrotat e karrocës janë këmbët e tij, por di të rendë pas përditshmërisë normale.
"Ky është vendi im i punës, ku ushtroj profesionin si ndihmës IT. U bë rreth 4 muaj që punoj këtu. Është një punë e rehatshme. Këtë punë e kam gjet me anë të shoqërisë. Një shoqja ime që i ka thënë pronarit që Dovleti është në kërkim të punës dhe më ka telefonuar. U tregua shumë bujar dhe ja di për faleminderit", tha ai.
Punon i qetë, i paparagjykuar brenda ambienteve të punës.
"Tek puna të vetmen vështirësi kam distancën që është rreth 4 km. Vështirësia kryesore është infrastruktura. Në punë kushtet i kam shumë të mira. Kolegët i kam të mirë dhe më trajtojnë sikur jam normal. Tek paga të gjithë duan më shumë, por për punën që bëj fillimisht jam i kënaqur. Është një plus", tregoi ai.
Me të njëjtin optimizëm kërkon që ta shohin jetën njerëzit si ai, që karrocën e kanë pjesë të pandashme.
"Pranojeni veten ashtu siç jemi. Luftoni për të qenë më mirë seç jemi. Luftoni që të tjerët të na pranojnë siç jemi. Vetëm duke luftuar do mësojmë të tjerët që ne jemi këtu. Me të vërtet kemi një paaftësi, por aftësia jonë është mendja, duart", tha ai.
Për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Dovleti ka historinë e tij që e ka përjetuar së bashku me familjen kur ishte 11 vjeç.
"Në këtë gjendje unë kam 23 vjet. Qëllova me shokët e mi rreth 8 persona. Duke luajtur me një shkëmb qëllova unë poshtë tij. U përmenda në lum kur isha i gjakosur. Më çuan për të bërë një ekzaminim. E ndjeja veten pa fuqi. Më ngre babai sepse thash dua të shkoj në tualet. Në ato momente u këputa në tokë. Në ato momente e ndjeja se nuk mund ti komandoja. Pas dy javësh më çuan tek 5. Me një provë të thjeshtë më thanë që nuk bëhen më sepse ka këputur indin nervor. E bëri fakt të kryer. Qëndrova 2 muaj në spital dhe u largova në shtëpi", tregon Dovleti.
Dy vjet qëndroi pa lëvizur nga shtrati. Mësimet nga klasa katërt deri në të tetën e mori nëpërmjet një mësueseje që ia jepte në shtëpi vullnetarisht. Derisa erdhi mosha e adoleshencës dhe e kishte të vështirë të mbante peshën trupore ndërsa ecte me duar. Shkon të bëjë një tjetër kontroll mjekësor dhe zbulon se nuk kishte patur këputje, por hemoragji në rruazën e pestë të shtyllës kurrizore.
"Isha shumë vonë në ato momente. Kishin kaluar vite dhe është bërë kërcore. Vetëm 20% e urdhërit për të komanduar këmbët. Siç më ka thënë mjeku që më ekzaminoi nëse do kapej në ato momente do isha në këmbë. Ishte thjesht gjak i lëngshëm, pir qe fati im i keq. Dyshimi i çoi tek dëmi i madh të cilin e vuaj sot. Vështirësitë më të mëdha kanë qenë 5 vitet e para", tha ai.
Karrocë nuk kishte e as mund të përdorej në rrugët e vështira të fshatit, prandaj vendosi që të përdorte kafshët si mjet transporti.
"Unë do ia dal. Vërtet nuk mund të eci, unë vozis një karrocë ose kafshë. Pavarësia ime ishte kafsha. Bëja punë të ndryshme që kishte fshati", tha ai.
Për t’i siguruar kushte më të mira, familja vendosi që të zhvendoset në Kamzë. Kështu do t’i iknin vështirësive për të shkuar tek një mjek apo pikëpyetjeve se sa do të përfshihej djali i tyre në shoqëri.
"Atje nuk dilte. Ikte zvarrë ku donte të shkonte. Vinte me baltë. Copë copë. Më bëhet qejfi që bën punë që nuk i bën asnjë që është i saktë. Shkon në punë pastaj ndihmon shokët", tha mamaja e Dovletit.
Shpresën se mund të kishte shërim nuk e kishte humbur. Shkon në Itali por mjekët nuk morën përsipër t’i thonin se pas operimit do të dilte i shëndetshëm. Pas kësaj Dovleti ndërmerr aventurën drejt të panjohurës në Francë.
"Në Francë e kam mbushur mendjen rastësisht. Ju thashë më prisni se do shkoj diku. Shkova në agjensi dhe preva biletën. Ju thash kam prerë biletën dhe do shkoj të kryej një ekzaminim. Familjes i kam treguar dy ditë përpara se do iki. Vëllai donte të vinte me mua. Ika nga Rinasi në Milano. Fjeta në stacion treni. Vuajta shumë. Ditën e dytë u nisa në Francë. Fati i mirë është se njihja gjuhën italiane. Në tren shkoja zvarrë se nuk më prekte njeri. Në kufi me Francën, policia më tha që të zbres sepse s’kisha të ardhura për turist, por qëllimi im ishte azili dhe më pas spitali për të bërë një ekzaminim. Kisha një shpresë. Kur i them policisë se e kam karrocën në fund të trenit iu bëri habi dhe më lejuan. Kur shkova në Francë isha absolutisht vetëm. Qendra e azilit ishte e mbyllur dhe nga e premtja në të hënë kam qëndruar jashtë. Pastaj më morri një shok i vëllait tim. Kjo ka qenë vështirësia më e madhe të rrija në rrugë dhe në shi. Kur erdhi e hëna bëra aplikimin dhe shkova në spital për të bërë vizitë se isha ftohur, kisha temperaturë. Më thanë që do të shkosh në qendër dhe do dalësh prap jasht. Kam qëndruar 20 ditë. 24 orë me këmbë të palosura sa mu nxinë këmbët. U detyrova dhe u largova, si unë kishte dhe njerëz të tjerë. Vetëm nga dhimbja që kisha u ktheva. Refuzimin e përjetova keq pasi nuk arrita dot qëllimin për të cilin shkova atje. Për eksperiencën nuk jam bërë pishman dhe do ta provoj sërish", tha ai.
Ende shpreson sot se mund të bëhet diçka me trupin e tij, por ndërkohë nuk harron të jetojë.
"Unë adhuroj udhëtimet ekstreme. Më pëlqen mali dhe kampingu. Më ekstremi ka qenë të shkoj në dimër në vendlindjen time. Gjëja më e vështirë, por më e bukur. Në maratonë është viti i tretë. Vitin e dytë dola vendin e parë, ndërsa këtë vit mora çmimin e dytë. Nuk është e rëndësishme çmimi, por të ju themi të tjerëve dilni, sepse vetëm duke dalë ne mund t’i mësojmë shoqërisë se ne ekzistojmë dhe jemi këtu ", tha ai.
Paragjykimet dhe bulizmin e hedh pas krahëve.
"Kanë hedhur fjalë ofenduese, por unë i marr me sportivitet. Unë e di jetën time dhe kush jam", tregon ai.
Vullnetarisht ndihmon njerëzit si ai që kanë probleme me karrocat. Gjithçka e bën për të marrë një buzëqeshje prej tyre.
"E bëj me pasion edhe pse mund të jap nga vetja fizikisht dhe nga ana monetare. Kur i shoh ata duke buzëqeshur ndihem mirë dhe them bëra diçka", tregon ai.
Në sirtarin e ëndrrave ka vendosur edhe atë çka ai do të bëjë në të vërtetë.
"Kam pak kohë që e kam nisur. E kam shprehur si ide edhe në institucionin e bashkisë. Jemi në përpjekje ta bëj reale. Këtë pjesë që them se duhet të dalin nga shtëpia, kjo qendër do i thithë drejt vetes", tha ai.
Çdo ditë del nga shtëpia i përcjellë nga meraku i prindërve. Shkon në punë, bën sport, kamping në zona të ndryshme të Shqipërisë, por edhe proteston.
"Ne kërkojmë rikthimin e energjisë siç ka qenë dikur. 80% e hiqte shteti, 20% individi, paga për shoqëruesin. Ne jemi lftarak në karakter. Nëse gjërat nuk plotësohen ne do vijmë sërish këtu", tha ai.
Dovleti është këmbëngulës, beson se e nesërmja do të jetë më e mirë, pse jo, i rrethuar nga familja e krijuar prej tij.
"Një familje timen...ok nëse do të dalë një nuse vullnetare dhe të përzgjedhim, ok pse jo? Detyrimisht familja është ajo....ne themi jetojmë për gjithmonë sepse jetojnë shpirti, por ne do të trashëgojmë gjakun tonë dhe ashtu do të jetojmë përgjithmonë. Familja është ajo kryesorja. Nesër nëna dhe babai im ndoshta nuk do të jenë më dhe unë duhet të krijoj familjen time. Por në kushtet fizike që ne ndodhemi është tepër e vështirë. Shiko ne nuk është se nuk jemi të zotët të mbajmë një familje, por në kushtet që jemi është tepër e vështirë. Jo se ne nuk mundemi të mbajmë familje dhe ta krijojmë. Mentaliteti që gjithsecili aspiron për më mirë. U duket kjo paaftësia jonë si një humnerë që ju duket sikur janë gjithmonë poshtë, pavarësisht se ne kemi një aftësi dhe mund të bëjmë gjëra në jetë. Pse jo të krijojmë familjem tonë dhe ta kemi shumë të shëndetshme", përfundoi Dovleti.
Dovlet shiko ato dy faqe se do te ndihmojne shume.
Përgjigju