MIRDITE- Dita nis herët për mësues Gjovalinin, i cili përshkon 15 km rrugë në kembë, mes maleve, për t’i dhënë dije nxënëses së tij të vetme në shkollen e Kaçinarit.
Ne iu bashkuam rrugëtimit të Gjovalin Bicës, në qendër të Kaçinarit ku ndodhet shkolla 9-vjecare. Mësuesi rrëfen per mikrofonin e Report TV, pasionin per arsimin dhe jetën e vështirë.
“Unë e kam pas pasion mësuesinë! Në vitet vitet ’80 kwrkova tw drejtw studimi por nuk m’u dha mundësia se në diktaturë ishim familje e persekutuar. Asokohe bëra shkollën e mesme bujqësore, ndërsa pas viteve ’90 me rënien e sistemin, unë ndoqa arsimin e lartë dhe u diplomova për histori-gjeografi”, shprehet Bica.
Në këtë treve të Mirdites, dikur mësonin dhjetera fëmijë por sot kanë mbetur vetëm tre: Vajza e klasës së 9-të, e vetmja në klasën e mësues Gjovalinit, vëllai i saj në parashkollor dhe një nxënës i klasës së dytë, për të cilët kujdeset mësuesja e fillores.
Edhe pse i diplomuar për histori-gjeografi, Gjovalin Bica i shpjegon nxenëses së tij të vetme të gjitha lëndet mësimore.
“Në portal është hapur disa herë thirrja për mësues të shkencave ekzakte, matematike dhe fizike por askush nuk ka aplikuar, kësisoj une jam i detyruar të jap të gjitha lëndët. Përgatitem çdo ditë për mësimdhënien. Unë e kam pasion dhe do të vazhdoj të punoj këtu derisa të ketë nxënës ketu”, tha ai.
Mësuesi kujton se deri dhjetë vite më parë, kishte disa shkolla ne Njësinë Administrative të Kaçinarit. Ne total kane qene 150 nxënës, sot veç tre.
“Unë kam punuar në disa shkolla derisa ato u mbyllën, ndërsa 5 vitet e fundit jam mësues në Kaçinar. Është shumë e trishtë se këtu kanë mbetur vetem çifte pleqsh. Edhe fëmijët këtu janë të stresuar, të mërzitur se s’kanë asnjë shok apo shoqe”, u shpreh Bica për Report TV.
Aktualisht në 7 fshatrat e kesaj njesie, nuk janë më shumë se 50 familje. Sipas kryeplakut, Ndue Çupi, shkaku kryesor i shpopullimit eshte mungesa e infrastrukturës dhe mundësive per pune.
Në një zonë me resurse te shumta natyrore, ku jeta po shuhet bashkë me zërat e fëmijëve, mësues Gjovalini, është dëshmia me e qarte se arsimtari nuk dorëzohet lehtë. Udhëtimi i tij i përditshëm është jo vetëm sakrificë, por edhe thirrje e heshtur që Kaçinari, të mos mbetet vetëm nje ‘shenjë’ në hartën e Mirditës.
Komente
