Kur kujton pamundësinë e kompromisit mes dy krahëve të PD-së, përfaqësuar nga Bardhi dhe Paloka, të vinë ndër mend një sërë të tilla, që thjesht janë munduar të zbutin politikën por që pak herë i kanë dhënë shpresë publikut.
Anipse, mungesa e kompromisit të fundit tregoi edhe njëherë nivelin e rëndomtë në të cilin paraqitet politika shqiptare, qoftë edhe brenda një krahu, kur mungojnë parimet dhe mbi të gjitha morali. Të armatosur me burokraci politike, të paqartë ideologjikisht për atë që përfaqësojnë, të dy njerëzit e PD-së në negociatat e zhvilluara në një klub (për godinën u zunë me gas), treguan se niveli i sotëm i PD-së , por edhe i politikës shqiptare dhe njerëzit e saj përfaqësues janë shumë zhgënjyes.
Të mendosh se gati dhjetë muaj më parë luftuan deri fizikisht dhe me mjete krejtësisht të ndaluara. Aq i rëndomtë po qëllon i gjithë procesi i demokratizimit dhe bashkimit të PD-së saqë me shumë gjasa tashmë do të vuajnë edhe në Zgjedhjet Lokale 2023, futur me dy formacione, njëra prej të cilave deri më tash me gjasë nën një ombrellë tjetër.
…
Pakkush e kujton sot letrën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare drejtuar Lulzim Bashës, ish-kreut të PD-së. Në një argumentim shumë të kujdesshëm, letrari i përbotshëm, në stilin e tij eliptik i kërkonte asokohe mëtuesit për kryetar bashkie të Tiranës të tërhiqej nga gara për të zhdavaritur tollovinë, që kishte pushtuar kryeqytetin me numërimin e votave. “Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie”. Këto fjalë, që mund të shënonin ndryshime epokash, pak bënë përshtypje në politikë. Basha nxitoi ta vendoste letrën në kornizë dhe sakaq, falë këshilltarëve, t’i kthejë një përgjigje gjysmë-kortezie por dukshëm i ngrehur dhe lavdëruar realisht pa sens për aftësitë e shprehjet e tij gjysmake intelektuale.
Se çfarë rezultati vijoi tashmë është e turpshme ta kujtojmë. Vërtetë arriti që manovroi me një fitore, që ia mohuan dhe kolegët e vet më vonë, por tregoi se kompromisi është i pamundur në një shoqëri tejet të ndarë si ajo jona. Nuk është nevoja të përmendim punën që bëri në krye të bashkisë, por ajo i parapriu humbjes së PD-së në zgjedhjet e përgjithshme, kurse atij me akrobacitë e mentorit të tij Berisha i dha mundësinë e madhe për ardhjen në krye të PD-së. Me këtë tagër, pak vite më vonë, siguroi sërish një “fitore”. Bëri kompromisin e 17 Majit, kur brenda pak orësh, kryeministri Rama dhe ish-kryetari i opozitës Basha mbyllën një kapitull bllokimi të opozitës (edhe së atëhershme) dhe futjen e tyre në qeveri, duke ia zgjatur PD-së jetën në opozitë, gati për një periudhë prej tre mandatesh.
Më i dhimbshëm ende ishte kompromisi i vitit 2008, kur Sali Berisha, asokohe kryeministër dhe Edi Rama, kryetar i sapoardhur i Partisë Socialiste, i dhanë dorën njëri-tjetrit në një marrëveshje që i bëri ata respektivisht sulltanë në partitë e tyre, kurse politikanët e tjerë thjesht vazhdues të egove, orekseve dhe vizioneve të kryetarokracisë, që polli marrëveshja. Jo vetëm që partitë respektive të PD dhe PS u kthyen de facto dhe de jure pronë e kryetarëve të tyre, por pushteti i partive të vogla tashmë është i papërfillshëm. Prej asaj kohe kemi sistemin zgjedhor me lista të mbyllura, që vazhdoi i pandryshuar deri në zgjedhjet e fundit (me një modifikim të vogël), ku kryetarët e partive efektivisht përcaktojnë ende se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë më në listat e deputetëve.
A është me vend ky rreshtim, që i bëmë kompromiseve?! Ndoshta jo, sepse janë dhe një sërë syresh të tjera. Deri absurde. PD me Partinë Komuniste. Partia e Çamëve me Partinë e pakicës greke… Por, ndoshta i kuruar me kujdes, arti i kompromisit do të ishte mënyra sesi mund ta bashkëjetonin në një sistem demokratik të vërtetë tek ne partitë politike të palëve me interesa dhe synime të ndryshme. Kjo mbetet edhe këshilla më e lodhshme e të huajve në vend: Uluni në tryeza dhe arrini kompromise, pajtime, marrëveshje, por të dyja palët mos të jenë më të privilegjuara në atë që quhet koncepti i të vërtetës – por fusni arsyet, shpresat dhe vullnetet e secilës palë dhe mbi të gjitha interesin e publikut.
Në emër të kësaj të fundit, opozita u rikthye pak muaj më parë në mbledhjet e Kodit Zgjedhor, ku u ngrit një grup ad hoc prej disa përfaqësuesve. Palët që kinse nuk pranonin as të shqiptonin emrin e njëri-tjetrit, në fund do të mblidheshin kokulur në një tryezë, sikur të mos kishte ndodhur gjë, kurse të huajt do të merrnin jo thjesht rolin e arbitrave, por deri në artikulimet e kukullave të tyre. “Më vinte turp, do të thoshte pak më vonë një nga pjesëmarrësit si vëzhgues, ekspert i çështjeve zgjedhore, sesi përfaqësuesit e ambasadave u drejtoheshin politikanëve tanë dhe si i thërrisnin me gisht, sikur të ishin nxënës shkolle”.
A mundet kompromisi të përafrojë në Shqipëri mendime dhe platforma të ndryshme, që i shërbejnë politikës? Në rastin e PD-së problemi është fare i thjeshtë nëse do të kishte parime, ku theksi do të ishte tek respekti i logos origjinale të partisë, respekti ndaj bazës së partisë dhe qëndrimi i prerë ndaj stadit “Non Grata” (Kjo e fundit e vlefshme edhe për PS-në), patjetër do kish rezultate. Për fatin e keq kjo nuk ndodh, pasi Bardhi dhe Paloka janë protagonistë të gjithë gënjeshtrës së madhe, që mbulon këtë parti për gjoja parime dhe demokraci. Askush nuk do t’ia dije se demokratët e thjeshtë janë në opozitë dhe mbi të gjitha se ata, vetë, përfaqësojnë interesat e njerëzve të tyre. Koha ka treguar se ata realisht nuk i njohin në thelb.
Duke lëshuar në emër të një morali dhe historisë së tyre do afroheshin me idenë e kompromisit klasik, aq të nevojshëm dhe do ta bashkonin partinë, ashtu si kjo do të ishte zgjidhje “e problemeve të mbartura” apo do të “krijonte vlerën”, ku të gjithë ta ndienin veten se kishin fituar. Për publikun, Partia Demokratike, e përfaqësuar me vetëm një zë ka mbetur vetëm një iluzion. Ndërkohë që problemi më i madh në rastin e PD-së mbetet te fakti se: jetojnë në një gënjeshtër të madhe, ku mëtojnë se flasin për drejtësi, por vjedhin votat e njëri-tjetrit; flasin për parime, por ndërkohë që asnjëra nga palët nuk pranon atë lloj respekti për mendimin e grupit tjetër, ku palët veçse kanë kundërshtar të vërtetë Edi Ramën por jo qëndrimet në raport me konceptet që kanë për të drejtën dhe të vërtetën.
E kur vjen në të gjithë politikën shqiptare, kupton se në rast se nuk respektohen disa pika atëherë demokracia degradon në një sistem ku njëra palë, ajo që ka shumicën numerike, u imponon të tjerave konceptet e saj për të vërtetën, të drejtën dhe të moralshmen. Kjo po ndodh me dy partitë kryesore ndaj aleatëve të vegjël. Berisha është kampion i vërtetë për këtë dhe ndoshta njeriu që po mban peng një histori ose më saktë që i dha fund partisë kryesore të opozitës, thjesht për interesat e tij. Ashtu si politika e sotme shqiptare nuk përfaqëson dot një klasë serioze që ka arritur një stad e që mbart sfidën e përballjes së programeve, ideve, normave e parimet, por mbetet thjesht e vetëm një luftë pa moral e grupimeve për interesa meskine. Mbi të gjitha forca e kompromisit.
Eduart Manea, shkrimtari i njohur rumun, u gjend në një realitet të tillë, kur do të rikthehej në atdheun e tij Rumaninë. “Ç’është demokracia? Demokracia është në thelb, një strategji kompromisi. Demokracia nuk është domosdo e dëlirë, as me çdo kusht më e lartë nga pikëpamja morale. Por ama ajo përpiqet të gjejë një zgjidhje të mesme midis dëshirave të ndryshme, midis mendimeve të ndryshëm. Ashtu sikurse kompromisi, në aspektin idealist, nuk është medoemos i dëlirë, por përbën një trajtim idealist. Megjithatë demokracia është gjëja më e mirë që ekziston për njeriun, për përditmërinë e tij për lirinë e mendimit dhe të zgjidhjes që duhet të bëjë”.
Ndryshimi i madh në të gjithë fushat apo edhe në vetë interesin publik kërkon kompromis dhe liderët që do ta realizonin atë do të duhet ta vendosin vetë theksin tek ky koncept. Në një epokë të hershme, kur nuk duhej aq shumë kompromisi, Beatles e kuptuan pak më thjeshtë: “You tell me it’s the institution/ Well, you know/ You’d better free your mind instead.” (Ti më thuaj se është institucioni/ Epo, mirë, ti e di/ E mira fare do ishte të qartësoje mendjen).
Kur letra e Kadaresë ndaj një politikani të njohur nuk e arriti dot, qoftë edhe me artikulimin e logjikës së një shqiptari të mirë dhe larg interesave të partive, është e vështirë ta kuptosh e ta pranosh ende këtë logjikë sot… mes shqiptarëve. (Homo Albanicus)