Pavlina Llaci dhe Vaçe Zela

Historia e panjohur e kapitenes së kombëtares: Kur isha me Vaçe Zelën në Moskë, një gjerman donte të vallëzonte me mua, por drejtuesit e ekipit nuk e lanë

13 Shtator 2022, 09:40| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 09:58

  • Share

Një vajzë e re, e bukur, elegante, sportiste, por edhe balerinë e aktore, një “Miss”, i vërtetë. Cila ishte simpatikja shqiptare, që çmendi sovjetikët kur vallëzonte?! Ishte tërheqëse, jo vetëm kur luante, por mbi të gjitha shumë e bukur, me trup elegant e flokët e zeza, që shoqëronin çdo lëvizje të saj. E kam ndjekur nga afër pjesën e parë të karrierës sportive, kur ishte në Tiranë, pastaj me vajtjen në Fier, i humba gjurmët. Ideja se ku ndodhej, çfarë bënte Pavllina Llaci, më ngacmonte gjithmonë, sidomos pas viteve ’90-të e në vazhdim. Në mënyrë surprizë, u njoha me djalin e saj, Edmondin, me profesion mjek, në Tiranë, i cili më informoi se Pavlina prej vitesh jetonte në Torino, Itali.

Isha shumë kurioz ta takoja dhe ashtu ndodhi. Impakti i parë ishte tejet impresionues. Një grua që ruante tiparet e një kohe, me një pamje moderne, kapelë, si një aktore e famshme, që ndonëse ka lënë pas një karrierë brilante, e mbart vite jete, ruan sharmin, bukurinë. Një jetë e nisur jetime, në Shtëpinë e Fëmijës, te dëshira për baletin dhe e drejta e studimit për në Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë.

Pastaj, martesa, fëmija i parë dhe karriera deri në moshën 37- vjeçare. Entuziaste, me një kujtesë të admirueshme, rrëfimi i saj i gjatë ishte vërtet emocionues. I rikthehet turneut të 57-ë në Moskë, ku dallohej në grupin e shqiptarëve në Festivalin Botëror të Rinisë e Studentëve, për bukurinë dhe vallëzimet që befasonte sovjetikët. Pastaj, historia e gjermanit që u çmend pas saj, dëshira e tij për të shëtitur me të dhe refuzimi nga drejtuesit e delegacionit.

“Ku kishte mbrëmje vallëzimi dhe film të bukur, aty më gjeje”, shprehet ajo duke qeshur. Më vonë erdhi transferimi në Fier, aktore me teatrin e Shkollës së Bashkuar dhe jeta prej shumë vitesh në Itali pranë vajzës, Suela, balerinë në stafin e “Amici” të Maria de Filipit.

Pavlina, si ka qenë fëmijëria juaj?

Më 2 maj 1937, në Korçë, në familjen Kaçka, lindi një vajzë. Pavlina Kaçka, kështu do të quhesha dhe këtë mbiemër do ta mbaja deri në çastin kur bëra celebrimin, për ta ndryshuar në Llaci të bashkëshortit. Ka qenë një fëmijëri e vështirë. Një jetë e filluar në Shtëpinë e Fëmijës, kur shumë të vogla do të mbetemi jetimë. Babai vdiq i ri, pasi nga bombardimet kishte marrë një predhë në kokë. Pas tre muajve, nga dëshpërimi, mamaja pati një goditje. As 40 vjeç nuk ishte kur na la vetëm, ne fëmijët, tri motra e dy vëllezër. Unë kam qenë 5 vjeçe. Në Shtëpinë e Fëmijës u rritëm, aty mbaruam edhe shkollën fillore

E kisha nga natyra, më pëlqente kërcimi. Në shtëpinë e fëmijës ma kishin ushqyer murgeshat që më rritën, të cilat më mësonin dansin, më bënin fustane dhe në darkë mblidheshim ne fëmijët e unë kërceja. Aty më lindi pasioni dhe dëshira për t’u bërë balerinë.

Gjithmonë nën kujdesin e mësuesve, bashkë me dy motrat e dy vëllezërit, mbaruam 7-vjeçaren në Korçë. Pas saj, unë kërkova bursë për balet, por më doli për sport. Me Mediha Velçanin (Lubonjën), e linim shkollën e Fizkulturës dhe shkonin e bënin prova fshehurazi në balet. Medi pati forcë të shkëputej dhe vazhdoi baletin, unë, jo. Pasi mbarova Teknikumin e Fizkulturës, kam qenë mësuese e edukimit fizik, madje në fillimet e para, te gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë.

U bëtë nënë kur ishit shumë e re, 17 vjeç. Cila është historia juaj e dashurisë?

Historia nisi kur isha në shkollë të Fizkulturës, im shoq jepte stërvitje ushtarake me studentët, u simpatizua pas meje, u fut motra e tij, që më njohu, u miqësuam dhe sa mbarova klasën e tretë, maturën, në vitin 1954 jam martuar. As 17 vjeçe nuk kam qenë dhe pas një viti linda djalin, Mondin. Në vitin 1997, bashkëshorti u nda nga jeta. Ajo periudhë ka qenë tejet e rëndë dhe nga dëshpërimi, mërzitja, nisa cigaren. E kam pasur bashkëshort, mik, trajner, sportdashës, gjithçka.

Keni qenë edhe një sportiste e njohur…?

Me sportin kam pjesën më të madhe të jetës, karrierës. Kam luajtur mbi 3 dekada, duke u aktivizuar me “17 Nëntorin”, “Apoloninë”, e Fierit dhe kombëtaren e basketbollit për vajza, madje kam qenë kapitene e saj. Me sportin aktiv jam ndarë në moshën 37- vjeçare.

Ka qenë viti 1957, muaji korrik-gusht kur në Moskë u zhvillua Festivali i VI Botëror i Rinisë, Studentëve si dhe Lojërat e III-ta Botërore ndërkombëtare të miqësisë, ku merrnin pjesë shumë vende të Lindjes, midis tyre edhe Shqipëria me një grup të madh sportistësh, meshkuj e femra, si dhe Ansambli Artistik i Këngëve e Valleve. Mbaj mend se kemi udhëtuar me javë në det. U nisëm nga Durrësi me anijen sovjetike “Bielloostrov”, që kishte ardhur qëllimisht për të marrë delegacionin shqiptar dhe jemi nisur drejt për në Odesë, pastaj me tren deri në Moskë. Me Vaçe Zelën kam pasur shumë miqësi. Më kujtohet shumë mirë që Vaçja këndonte në anije dhe pastaj i incizonte.

Si ishte pritja që iu bënë në atë kohë në Bashkimin Sovjetik?

Pritjet ishin të mrekullueshme. Natën na çonin nga gjumi njerëzit që na prisnin, donin të na takonin, na përqafonin, shkëmbenim dhurata, e pastaj duke udhëtuar me tren nga një qytet te tjetri, në stacione, na ndalonin qytetarë sovjetikë, na respektonin jashtëzakonisht. Në kokë mbanim qeleshet e bardha që të dalloheshim që ishim shqiptarë. Qëlloi që në atë muaj bëheshin mjaft dasma, si në Shqipëri. Ne futeshim në vallet që kërcenin ata dhe pa asnjë problem, nuk na bënte përshtypje, sidomos unë…! Më pëlqente kërcimi edhe ambientohesha menjëherë me muzikën, vallet e tyre, duke vallëzuar si ata, çka i habiste. Kërceja mirë, ndonëse sapo kisha lindur djalin.

Ç’kujtoni nga atmosfera festive?

Qëndrimi gjatë në Moskë ka qenë tejet argëtues, bashkë me aktivitetin sportiv, shoqërohej me darka, mbrëmje argëtuese që vendësit organizonin në hotelet e mjedise të bukura, shpesh edhe të improvizuara. Gjithçka nën tingujt e muzikës, vallëzime dëfryese, ku mblidheshin të gjithë sportistë, artistë, përfshirë edhe ansamblin. Sigurisht që ne nuk ishim të lirshme, por të ndrojtura në lëvizje, nuk mund të shkoje të kërceje vetëm, gjithmonë të shoqëruara. Rusët kishin preferencë për të kërcyer me vajzat shqiptare. Të gjithë kërcenin bukur, vinin njerëzit për të na parë. Kishte shumë simpatizantë, mbushej mjedisi.

Çdo lloj muzike. Aty kërcehej, vallëzohej me orkestër, nga muzika moderne për kohën, tek ato karakteristike ruse, por dhe të vendeve të tyre. Unë hyja ku të mundja dhe admirohesha nga të tjerët. E ndieja që më shikonin e bisedonin kur kërceja, por nuk i kuptoja çfarë flisnin. Ndërkohë që unë s’bëja asnjë tualet, se nuk e njihnim.

Kishte heshtje, ndalonin dhe më vështronin plot kuriozitet, kjo është e vërtetë, tërhiqja vëmendjen dhe pas vallëzimit vinin e më bënin komplimente. Midis tyre, edhe një i huaj që më ndiqte vazhdimisht kur kërceja.

Ai ishte një gjerman, që ndodhej aty dhe në një nga mbrëmjet, gjeti një moment dhe erdhi të më merrte për vallëzim. “Madam,- më tha,- dëshironi që të shëtisim bashkë sonte, a mundet”? Dhe në dorë mbante një majmun të madh prej pelushi, të verdhë që të ma dhuronte. “Duhet të marr leje,-iu përgjigja,-se mua nuk më lejohet”. “Dakord,-më tha, shkoj unë” dhe vajti e bisedoi me drejtuesit e delegacionit: “Nuk mundet-i thanë,-është e lodhur, ka ndeshje nesër”. Pasi mori këtë përgjigje, ai u largua i mërzitur, nuk e priste refuzimin, dhe nga dëshpërimi nuk ma dhuroi as pelushin (qesh).

Ju keni luajtur edhe teatër, apo jo?

Po, ka qenë rastësi. Kam luajtur në një shfaqje të organizuar nga Shkolla e Bashkuar, ku më punonte bashkëshorti. Pjesa teatrale kërkonte edhe disa femra dhe për këtë arsye si aktore u morën gratë e oficerëve, midis tyre edhe unë. Kam pasur rolin e nënës, madje kam qarë se kështu e kërkonte skenari. Skena ishte prekëse dhe pas meje filluan të qanin të gjithë kursantët skënderbegas.

Keni kaluar një pjesë të mirë të jetës suaj në Fier, si përfunduat aty?

Janë vitet ’70-të, kur shpërtheu lëvizja e qarkullimit të detyruar, dhe në këtë ishte përfshirë edhe ajo e kuadrit. Si ushtarak, bashkëshortin e caktuan në Korpusin e Fierit. Shkova dhe unë, e në fillim qëndruam tre muaj në Hotel Turizmi, pastaj na dhanë shtëpi.

Si e përjetuar largimin nga kryeqyteti?

Ndarja me mjedisin tiranas, rrethin shoqëror, miqësitë, pas 20 vitesh dhe vajtja në Fier, në një atmosferë krejt të re nga ku më duhej të filloja nga e para, pasi gjithçka ndryshonte, nuk ka qenë e lehtë. Në pak kohë u ambientova. Bashkë me sportin fillova punë si mësuese e edukimit fizik në shkollën “Janaq Kilica”. Fieri më ka pritur shumë mirë.

Po fëmijët tuaj, ç’drejtim morën?

Djali i madh, Edmondi, e nisi me basketbollin, stërviteshin bashkë, por deri te të rinjtë, pastaj iu kushtua studimeve, edhe sot është mjek i njohur. I dyti, Iliri, me futbollin e “Apolonisë”, deri në vitet ’90-të, pastaj shkoi në Greqi, ku është edhe sot. Ndërsa vajza, Suela, ishte e vetmja nga fëmijët që vijoi pasionin e parë timin, atë të fëmijërisë, baletin, dansin.

Ajo ishte ëndrra juaj e parealizuar…?!

Suelën e kam lindur në vitin 1976, me 19 vite diferencë pas djalit të dytë. Meqë nuk e vazhdova vetë baletin, kisha dëshira që vajzën ta bëja balerinë dhe e ushqeva me këtë pasion. Kur mbaroi klasën e pestë në Fier, e solla në Tiranë, i bëja prova, sa e futa në shkollën e baletit me Zoica Haxhon, M. Erebarën, T. Beshirin, Kozeta Bakiun, Ramazan Këllezin etj. Pasi përfundoi shkollën e Baletit në Tiranë, u angazhua në programet televizive të atyre viteve. Ka marrë pjesë në “Miss”-in e parë, në të cilin fituese u shpalla Valbona Selimllari, ndërsa Suela, u rendit në vendin e katërt. Por, edhe në disa emisione të suksesshme, shumë të ndjekura, siç kanë qenë spektaklet televizive të Vera Grabockës e Adi Krastës, “12 vallëzime pa një të shtunë” ka qenë e pranishme.

Ka provuar edhe jashtë Shqipërisë?

13 vjeç ishte kur shkoi në Itali. Kur ndodhën trazirat e ’97-ës ndodhej në Tiranë dhe në atë kaos është larguar me helikopter. Ka pasur miqësi me Kledi Kadiun, i cili gjatë një përvjetori e prezantoi me Maria de Filipin. “Kjo ka mbaruar shkollën e baletit me mua”,-i tha. Dhe ajo sapo e pa: “Do vish në stafin tim te emisioni ‘Amici’, në ‘Canale 5’, në Romë”,-i tha, duke e marrë dhe aty ka punuar pesë vjet me të.

Çfarë bën sot Pavlina Llaci?

Prej vitesh jetoj në Torino, bashkë me vajzën dhe jam gjyshe e shumëfishtë. Baleti, ëndrra e parë, mbetet ajo që nuk harrohet, që edhe sot e tillë vazhdon të jetë, por e arkivuar në sirtarin e jetës. Memorie.al

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 13/09/2022 09:58

    Hajde gjerman hajde. Do e kete ruajtur pelushin per ndonje lindore tjeter.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?