Historia e panjohur/ Si u ndalua kryeministri Mehmet Shehu të dilte nga Manhatani

7 Tetor 2023, 07:50| Përditesimi: 7 Tetor 2023, 07:55

  • Share

Shtatori i vitit 1960, e ktheu Nju Jork-un në një kryeqytet të vërtetë të botës, ashtu siç ndodh tashmë pothuajse çdo vit, në shtator, kur udhëheqësit më të mëdhenj të botës, vinë për sesionin e ri të Asamblesë së Përgjithshme. Gjysmë shekulli më parë, kjo ende nuk ishte bërë traditë dhe zbarkimi i udhëheqësve komunistë, që nga Hrushovi, me lakenjtë e tij euro-lindorë, te Fidel Kastroja, që sapo kishte marrë pushtetin në Kubë, bëri përshtypje të pazakontë. Mes udhëheqësve komunistë, dalloheshin edhe dy ballkanasit problematikë, Josip Broz Tito i Jugosllavisë dhe i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Gazetat e cilësonin Nju York-un ato ditë, si; “Roma e kohës moderne”.

Komunistët nuk para bezdiseshin, për të ardhur në ‘Pallatin e Qelqtë’ dhe u pëlqente ta tallnin OKB-në, si vegël të amerikanëve. Mirëpo atë vit, për herë të parë do të prezantoheshin në Asamblenë e Përgjithshme, 22 vende të reja afrikane, që në dekadën e fundit, kishin fituar pavarësinë nga kolonializmi europian. 22 vota, mund të përmbysnin shumë situata në OKB dhe Hrushovi donte të merrte pas vetes sa më shpejt, këtë grup të ri. Kjo ishte edhe arsyeja, pse Presidenti Eizenhauer, ndonëse ishte në javët e fundit të presidencës së tij tetëvjeçare, erdhi nga Uashingtoni, për të folur në OKB, e për të takuar përfaqësuesit e vendeve të reja.

SHBA-ja, kishte mbështetur fort çlirimin dhe pavarësimin e këtyre vendeve, e gëzonte simpati në Afrikë. Nga ana tjetër, edhe komunistët me parullat e tyre të hershme, antiimperialiste e antikolonialiste, ishin konkurrentë të fortë, për simpati politike. Dy krahët e Luftës së Ftohtë, dalëngadalë do ta zhvendosnin betejën, nga Europa në Amerikën Latine, Afrikë, e sidomos në Azi.

Mehmet Shehu, ndalohet të dalë jashtë Manhattan-it

Në SHBA ekzistonte shqetësimi se mund të ndodhte ndonjë sulm ndaj udhëheqësve komunistë prej disidentëve që jetonin në vend ose që militantët pro-komunistë të merrnin zemër për të bërë ndonjë trazirë apo atentat. Mes shumë krerëve komunistë që zbarkuan në Nju Jork, vetëm tre ishin njoftuar nga qeveria amerikane se u ndalohej të dilnin nga ishulli i Manhattan-it. Një ndër ta ishte edhe Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë. Vendimi ishte marrë pas deklaratave të ashpra dhe ofenduese antiamerikane, që kishte lëshuar qeveria shqiptare në ditët e fundit. Shqipëria në këtë kohë po bëhej gati të braktiste Bashkimin Sovjetik dhe të kërcente në gjirin e Kinës komuniste, kështu që kishte filluar sulmet e tërthorta kundër Moskës.

Një nga çështjet më të preferuara ishte qëndrimi ndaj Perëndimit. Ishte koha kur Hrushovi kishte folur për bashkekzistencë dhe Enver Hoxha, duke ndjekur shembullin e Kinës, po u binte kambanave kundër rrezikut të agresorëve amerikanë. Për ironi të fatit edhe “bashkekzistuesit” Hrushov, si dhe udhëheqësit hungarez, Janosh Kadar, u ishte ndaluar dalja nga Manhattan-i. Në javët përpara të udhëtimit për në Nju Jork, Hrushovi kishte rinisur propagandën e ashpër antiamerikane për të impresionuar afrikanët. Cirku diplomatik kishte filluar ende pa u nisur për në kryeqytetin e botës.

Kastro në Harlem

Fidel Kastro, me mjekër, me armë, me puro në gojë, me zë të lartë, fodull, i rrethuar me trupat e tij revolucionare, sapo kishte fituar pushtetin në Kubë. Ai kishte ardhur në SHBA-ës, për t’i treguar Amerikës, se asaj po i vinte fundi. Në hotelin “East Side Shelburne”, ku ishin vendosur, po bezdiseshin nga thirrjet e demonstruesve, kundër tij. Disa truproje, dolën me armë për të trembur turmat, mirëpo policia e Nju Jork-ut, i detyroi të futeshin përsëri brenda. Pak më vonë, gjithë nerva, Kastro dhe shpura e tij, e shpërthyen jashtë derës së hotelit. Mbrapa kishin lënë një dhomë, të kthyer në një kazan plehrash, me mbeturina ushqimesh, që qelbej era puro, shishe të zbrazura dhe mobilie të dëmtuara. Kastro ishte hakmarrë për 10.000 dollarët, që hoteli i kishte kërkuar si depozitë sigurie, për mirëmbajtjen e dhomës.

Diplomati i famshëm suedez, Dag Hammarskjold, që ishte Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, emrin e të cilit mban sheshi ku shqiptarët janë mbledhur shpesh për demonstratë, para OKB-së, e priti me qetësi në zyrën e tij. Gazetat amerikane të kohës, shkruanin për kontrastin e karaktereve. Fidelit, që bërtiste në spanjisht dhe suedezit të qetë, i cili me buzën në gaz, gati i zbavitur nga skena, e qetësoi dhe i ofroi atij dhe shpurës së tij, të hanin në tarracën e OKB-së. Kastro kishte sharë Manhattan-in, sa kishte mundur dhe kishte kërcënuar se; do të flinte në kopshtin e OKB-së ose në Central Park, por jo në “hotelet kapitaliste” të qytetit. Hammarskjold, e kishte një zgjidhje: dhoma falas në hotelin ‘Comodore’ me garancinë, që nuk do të bezdisej nga demonstratat. Mirëpo Kastro kishte plane të tjera.

Ndërsa bisedonte me kreun e OKB-së, një nga njerëzit e tij, ishte në Harlem, duke marrë me qira një kat të tërë në Hotelin “Theresa”, siç u shpreh Kastroja: “Waldorf-Astoria i Harlemit”. Megjithëse në këtë hotel, i kërkuan më shumë se dyfishin që i kishin kërkuar në Shelburne, ai e mori me shumë dëshirë, sepse paratë, ishin thjesht një pretekst për sherr për të. Pasi ua kishte marrë pronat, gjithë biznesmenëve në Kubë, ai kishte tani para sa të donte. Arsyeja pse shkoi në Harlem, ishte tjetër. Tani donte të përfitonte nga pozita e keqe e zezakëve në SHBA-ws, për propagandën e tij antiamerikane. Një grup portorikanësh dhe kubanësh, që ishin mbledhur përpara hotelit të ri, për ta brohoritur Kastron, u shtynë larg nga njerëzit me ngjyrë të Harlemit, të cilët nuk e vrisnin shumë mendjen për politikë, por u mblodhën për të parë spektaklin e rrallë, që po u ofrohej.

Disa skuadrone me policë, u dërguan urgjent për të shmangur përleshjen mes turmave. Klientët e tjerë të hotelit, filluan të ankoheshin e pastaj të largoheshin, në masë. Kubanë të armatosur e me uniforma, komandonin ashensorët dhe kishin marrë banjat në kontroll. Flisnin më zë të lartë dhe nuk tregonin respekt për të tjerët. Në 24 orët e para, Kastro dhe stafi i tij, shpenzoi dyfishin e çmimit të dhomës, për shërbime të tjera: ushqime me mish (steak), rum dhe cigare puro. Punonjësit e hotelit, që çonin ushqimet e pijet, ankoheshin se kubanët ishin kurnacë dhe nuk u jepnin bakshish (tip). “Daily News”, shkruante se ekipi i Kastros, kishte 85 vetë dhe se mes vizitorëve të natës, kishte plot “bionde, brune dhe flokëkuqe”, të cilat një detektiv i kishte përshkruar si “prostituta”.

Një punëtor i hotelit, kishte treguar se Kastro vetë, kishte pasur një vizitore, nga ora 2, deri në 3:30 të mëngjesit: një bionde të kolme. “Punëtori nuk e dinte nëse kishin diskutuar tema të larta të politikës ndërkombëtare”, shkruante me ironi gazeta njujorkeze. “Jam mes vëllezërve këtu”, tha Kastro për median, duke folur për zezakët e Harlemit. “Më duket sikur jam në Kubë”. Mes atyre që e vizituan Kastron, ishte edhe udhëheqësi mysliman zezak, Malcolm X, poeti i njohur i brezit të ri të asaj kohe, Allen Ginsburg, një profesor i “Columbia University”, që po shkruante një libër, për revolucionin kuban, etj. Edhe vetë Hrushovi, aspak xheloz se dikush tjetër ishte bërë më shumë kloun diplomatik se ai, i bëri një vizitë në Harlem, në lobin e stërmbushur të hotelit.

Në një moment, shefi i sigurisë së Hrushovit, gjeneral koloneli Nikolai Zakharov, filloi të shtynte njerëzit majtas e djathtas, por policët i thane, se nuk ishte puna e tij të shtynte turmat. Zakharov, iu përgjigj atyre me grushte, por një polic i bëshëm amerikan e kapi, e ngriti peshë në ajër dhe nuk e lëshoi, derisa u sigurua se oficeri ishte qetësuar. Pas këtij incidenti Hrushovi, bëri një protestë zyrtare, kundër qeverisë amerikane dhe Bashkisë së Nju Jorkut. Për qytetarët amerikanë, polici njujorkez, u kthye në një farë heroi. Mirëpo “muaji i mjaltit”, mes Kastros dhe Harlemit, u prish pak ditë më vonë, pas një incidenti tragjik. Magdalena Urdaneta, vajza 9-vjeçare nga Venezuela, kishte ardhur në Nju Jork, me familjen e saj.

Ajo kishte dalë mirë me mësime dhe prindërit e kishin shpërblyer, duke e marrë me vete në vizitën e tyre në SHBA-ës. Ata ishin duke darkuar në një restorant, ku ishin mbledhur edhe 5-6 aktivistë anti-Kastro. Dikush kishte telefonuar njerëzit e Fidelit dhe ata papritmas, pushtuan restorantin, duke rrethuar tavolinën e disidentëve. Sherri degjeneroi në të shtëna dhe një plumb, goditi për vdekje Magdalenën e vogël. Departamenti i Shtetit, akuzoi “agresorët e regjimit të Kastros”. Fidel Kastro, shprehu personalisht keqardhjen për vrasjen e vajzës së vogël, por tha se plumbi, kishte ardhur nga armiqtë e tij, “nga kriminelët kubanë, që strehon Amerika”. Me gjithë këtë sqarim, incidenti la një shije shumë të keqe dhe errësoi cirkun e Fidelit në Harlem.

Me këpucë në dorë në Asamble

Cirku i klounëve komunistë, vazhdoi edhe në sallën e Asamblesë së Përgjithshme. Plot gjysmë shekulli më parë, 12 tetor 1960, Nikita Hrushov, i nervozuar hoqi këpucën dhe e përplaste me furi mbi tavolinë, duke shkaktuar një lloj skandali që ka hyrë në histori. Hrushovi, i cili e kishte zakon të lavdërohej për origjinën e tij fshatare, nuk njihej për sjellje të sofistikuara, mirëpo heqja e këpucës, nuk la shije të mirë. Duke qenë se nuk ka ndonjë fotografi, apo filmim, që të dëshmojë momentin e heqjes së këpucës, ka pasur edhe dyshime, se mos ka qenë një shpikje e medias. Gjithçka mori zjarr, kur po fliste përfaqësuesi i Filipineve, i cili tha se; Bashkimi Sovjetik bënte mire, që kërkonte një rezolutë për vendet e kolonizuara që të pavarësoheshin, por do të ishte akoma më mire, që rezoluta të zgjerohej edhe për vendet e Europës Lindore, të cilat vuanin nën pushtimin praktik të Bashkimit Sovjetik.

Hrushovi u ndez dhe filloi t’i binte me këpucë tavolinës, derisa iu dha fjala, duke ndërprerë fjalën e filipinasit. Ai nuk foli nga vendi, por shkoi te foltorja, shtyu në mënyrë arrogante përfaqësuesin filipinas nga vendi dhe i kërkoi Presidentit të Asamblesë, irlandezit Frederik Boland, që t’i thoshte “lakeut të imperializmit amerikan, t’i përmbahej rregullave”. Në fakt, Presidenti i tha filipinasit, që të shmangte provokimet e sallës. Mirëpo, ndërsa ai vazhdoi fjalën, Hrushovi vazhdonte t’i binte tavolinës me këpucë. Pas pak, fjalimi u ndërpre përsëri, nga një përfaqësues i Rumanisë, i cili ofendoi vetë Presidentin e Asamblesë. Boland, i bërë i kuq në fytyrë, ia mbylli mikrofonin rumunit. Tani të gjithë komunistët në sallë, kishin filluar të bërtisnin dhe të bënin zhurmë. Boland, i ra çekiçit simbolik, për të kërkuar qetësi në sallë, derisa çekiçi u thye dhe ai e shpalli seancën të mbyllur.

Mbesa e Hrushovit, Nina L. Hrusheva, ka thënë më vonë se; Hrushovi kishte veshur këpucë të reja, që e shtrëngonin dhe i kishte hequr, kohë përpara fjalimit. Djali i tij, Sergei Hrushov, pasi nuk mundi të gjente ndonjë filmim, apo fotografi të asaj seance famëkeqe, ka shkruar se; ishte e pamundur që Hrushovi të kishte hequr këpucët, duke pasur parasysh, sesa e ngushtë ishte hapësira dhe sesa i shëndoshë ishte ai. Mirëpo, një ish-gazetar sovjetik, ka shkruar që një ish-punonjëse e OKB-së, i kishte treguar një here, se Hrushovit i kishte dalë këpuca nga këmba, kur po shkonte drejt tavolinës së tij dhe ajo e kishte marrë, e kishte mbështjellë me një pecetë letre dhe ia kishte dhënë. Ai ishte tepër i shëndoshë për ta veshur dhe e kishte mbajtur aty mbi tavolinë, derisa i kishte hyrë në punë.

Shqipëria kundër Bashkimit Sovjetik

Shqipëria, njihej deri vonë, si vasale e bindur e Moskës. Ndërhyrja e Stalinit, e kishte shpëtuar Enver Hoxhën nga Titoja, njerëzit e të cilit në Beograd, sidomos serbët, kishin filluar të preferonin më shumë ortodoksin Koçi Xoxe (ose të paktën kështu i dukej Enverit, që ishte nga natyra paranojak). Enver Hoxha, iu bashkua me entuziazëm nismës së Stalinit, për ta përjashtuar Jugosllavinë nga kampi socialist dhe u kthye nga lake, në një armik personal të Titos. Mirëpo, Hrushovit i dukej çmenduri që Stalini, “ia kishte falur” Perëndimit Jugosllavinë dhe në kuadrin e rehabilitimit të disa prej viktimave të Stalinit, u përpoq të pajtohej me Titon dhe udhëzoi Enverin, të bënte të njëjtën gjë. Beogradi nuk ishte kundër pajtimit, mirëpo Enveri duhej të rehabilitonte Koçi Xoxen, të cilin e kishin ekzekutuar si armik.

Kjo e alarmoi Enverin dhe rrethin e tij. Ata druheshin se në fund Titoja, në bashkëpunim me Hrushovin, do t’i ndërronin me komunistë të tjerë, në krye të vendit. Shpëtimtare e radhës, u gjet Kina, me të cilën Bashkimi Sovjetik, kishin hyrë në konkurrencë për udhëheqjen e kampit socialist. Kina ndjehej tepër e madhe dhe e fortë, për të qenë një vasale e Moskës, ndërsa Bashkimi Sovjetik, nuk kishte ndërmend të ndante me ndonjë vend tjetër, udhëheqjen e kampit. Mao Ce Duni, që ishte po aq i çmendur sa Stalini, e akuzoi Hushovin, për revizionizëm dhe gjeti vetëm një përkrahës në mbarë rruzullin: Enver Hoxhën. Si shpërblim, Kina denoncoi afrimin e Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë. Ndonëse ende përpiqeshin të ruanin fasadën, mes Moskës dhe Tiranës, kishte nisur çarja e madhe. Në këto kushte, vjen data e Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. Në mënyrë kuptimplote, të gjithë udhëheqësit komunistë, udhëtuan së bashku drejt Nju Jork-ut, me tragetin “Baltika”. Përfaqësuesit e Shqipërisë, nuk i ftuan ose i ftuan, por këta nuk pranuan ftesën, për të udhëtuar së bashku.

Pse Enver Hoxha nuk shkoi në Nju Jork?

Enver Hoxha vendosi që Shqipëria, të përfaqësohej me Kryeministrin Mehmet Shehu, krahun e tij të djathtë, aleatin më të egër e më anti jugosllav, por edhe kriminelin më të egër, që i shërbente regjimit. Përse Enveri nuk mori pjesë vetë në këtë cirk botëror të diplomacisë?! Ai ndoshta nuk e mori me mend, sesa bujë do të bënte ky sesion i Asamblesë së Përgjithshme në OKB. Ose ndoshta, nuk ishte ende gati, të përballej me Hrushovin (gjë që do ta bënte dy muaj më vonë në Moskë, në mbledhjen e 81 partive komuniste e socialiste). Ndoshta ende ishte duke studiuar situatën, për të parë se deri në çfarë pike do të thellohej përçarja. Ose, ose, mbase për të kishte nisur ajo paranoja e jashtëzakonshme, që do ta bënte të mos dilte kurrë në mënyrë zyrtare dhe publike, jashtë kufijve të vendit, duke pasur frikë se do ta vrisnin. Udhëtimi i tij në Moskë, në vitin 1960, do të ishte i fundit.

Kundër armatimit në Ballkan

Mehmet Shehu udhëtoi për në Nju Jork, me tragetin “Mbretëresha Elisabeth”. Për koincidencë, në këtë target, ishte edhe udhëheqësi jugosllav, Josip Broz Tito. Mehmeti i urrente jugosllavët, se ata e kishin hequr nga posti, duke e cilësuar “si shumë ekstremist”. Mirëpo më vonë, pas vetëvrasjes, kur Enveri e shpalli “poliagjent”, këtë udhëtim të rastësishëm në një traget me Titon, e shfrytëzoi si fakt për të treguar se Mehmeti, ishte agjent i jugosllavëve. Mehmet Shehu në fakt, ka bërë shumë krime dhe ka pasur lidhje të dyshimta në të gjitha drejtimet, mirëpo ai nuk ishte aq i trashë, sa mos të kuptonte se jugosllavët, e kishin në listën e tyre të zezë dhe nëse do të riktheheshin, do t’ia merrnin jetën. Në Nju Jork, Hrushovi, që tashmë e dinte “tradhtinë” e Shqipërisë, e injoroi praninë e Shehut dhe në sy të tij, u përqafua gjithë dashuri me Titon. Mirëpo edhe Mehmeti, do të hakmerrej shpejt, por në mënyrë të tërthortë. Hrushovi kishte vendosur të impresiononte afrikanët dhe vëzhguesit e pavarur, me nismën e tij për një Ballkan të lirë nga armatimet bërthamore.

Synimi ishte të detyronte amerikanët, të hiqnin raketat bërthamore nga Turqia, prej ku mund të godisnin kollaj çdo qytet sovjetik. Me këtë, ai vriste “dy zogj me një gur”. Edhe i bënte amerikanët të hiqnin bazat e tyre nga Turqia, edhe ia merrte nga dora shqiptarëve nëndetëset, që ia kishte dhënë për bazën e Pashalimanit, për shkak se ata, po kalonin në anën e Kinës. Moska nuk kishte çfarë të humbte, se pas prishjes me shqiptarët, do ta mbyllte atë bazë gjithsesi. Mirëpo shqiptarët, edhe diktatin e Moskës, nuk e donin, edhe nëndetëset e tyre, nuk kishin ndërmend t’i lëshonin. Në mbledhjen e Komitetit Politik të Asamblesë së Përgjithshme, Shqipëria u përfaqësua me ministrin e saj të Jashtëm të asaj kohe, Behar Shtyllën. Ai votoi kundër projekt-rezolutës sovjetike, duke argumentuar se armët bërthamore, duhet të asgjësohen në gjithë botën. Ndalimi i tyre vetëm nga rajoni i Ballkanit, nuk ka kuptim. Vota shqiptare, nervozoi edhe më shumë sovjetikët. Ndërsa në planet të tjera, komunistët ishin në një front. Sidomos për çështjen e paqeruajtësve në Kongo.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, u sulmua me kritika për raportin e tij. Kritikat i erdhën nga dy ambasadorë në OKB, ai i Rusisë, Zorin dhe nga ai i Shqipërisë, Reiz Malile. Në fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme, Mehmet Shehu sulmoi imperializmin amerikan dhe kërkoi anëtarësimin e Kinës, vendin e të cilës, e kishte zënë që prej më shumë se dhjetë vjetësh, Tajvani. SHBA-ës dhe shumë vende të botës, nuk e njihnin qeverinë komuniste të Kinës dhe trajtonin si përfaqësuese të Kinës, qeverinë e Çang Kai Shekut, që mbante në zotërim ishullin e Tajvanit, ndërkohë që në pjesën kontinentale, kishte fituar “Revolucioni i kuq” i Mao Ce Dunit. Ky ishte fillimi i një lufte të gjatë të Shqipërisë për Kinën në OKB, luftë e cila, përfundoi me fitore në vitin 1971, kur Kina dhe SHBA-ës shkrinë akujt dhe Tajvani humbi anëtarësinë në OKB. Qëndrimi shqiptar në OKB, ishte edhe faza e parafundit e përplasjes me sovjetikët. Në atë kohë Hrushovi, vazhdonte ta kishte një shpresë se Shqipëria, do të bindej që ta linte Kinën dhe të mbetej në vathën sovjetike.

Antikomunistë, por mbi të gjitha patriotë

Ardhja e kryeministrit të shtetit komunist shqiptar në Nju Jork, u dha mundësinë emigrantëve të shumtë politikë nga Shqipëria, që të protestojnë publikisht përpara OKB-së, kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Një numër shqiptarësh ishin mbledhur në 20 shtator 1960, për të protestuar kundër komunizmit në sheshin përpara ndërtesës së OKB-së. Ata lëshuan thirrje kundër Mehmet Shehut dhe kundër qeverisë shqiptare. Një grup shumë më i madh, po protestonte jo shumë larg prej tyre. Ishin grekë që kërkonin “Vorio-Epirin” dhe kishin dalë gjithashtu për të protestuar kundër Mehmet Shehut. Nuk kaloi shumë dhe shqiptarët antikomunistë, lanë protestën e tyre dhe iu vërsulën grekëve, duke i sharë e duke u thënë, se ishin ata që kishin marrë tokat shqiptare dhe jo e kundërta.

Pas kësaj shpërthyen grushtet, goditjet me çadra e me tabelat e parullave. Një shqiptar i përgjakur në atë demonstrate, është fiksuar nga revista e njohur “Life” dhe shoqëron këtë artikull. Një skuadron i madh policësh, shumë prej të cilëve me shkopinj gome, në majë të kuajve të lartë, mezi mundën të ndajnë shqiptarët, nga grekët. Shumë prej demonstruesve, kishin rrobat e grisura dhe shenja dhune në fytyrë. Ky ishte një shembull interesant, për të vërtetuar sesi çështja kombëtare mbetej më e rëndësishme për shqiptarët, sesa ajo ideologjike. Grekët i kishin thënë gazetës “The New York Times”, se ata që kishin sulmuar ishin një grup i vogël, prej 20 “komunistësh shqiptarë”.

Dita e 20 shtatorit, qe e gjitha ditë rrahjesh nëpër rrugët e Nju Jork-ut. Demonstruesit antisovjetikë, kryesisht emigrantë hungarezë dhe ukrainas, protestuan përpara konsullatës ruse dhe u shpërndanë dy-tri here, me përleshje nga policia. Një përpjekje për të djegur një flamur sovjetik, u pengua gjithashtu nga policia e Nju Jorkut. Në mbrëmje, një shqiptar, i quajtur Gjok Dragusha, 29 vjeçar, në atë kohë u arrestua (sipas gazetës “The New York Times”), gjatë një demonstrate pranë hotelit të Fidel Kastros, në Harlem. Urdhrit të një polici për t’u larguar, ai dhe një amerikan, Bennie Bryant, i ishin përgjigjur, duke e goditur me çadra. Policia u kishte vënë prangat që të dyve.

Epilog

Vetëm pak javë pas ngjarjeve të vrullshme diplomatike në OKB, në zgjedhjet presidenciale amerikane, demokrati John F. Kennedy, fitoi kundër antikomunistit të vendosur, Richard Nixon. Kjo fitore u përshëndet, si një rast i madh për paqe në botë. Në fakt, shumë shpejt situata do të errësohej me krizën e Berlinit dhe me atë të raketave në Kubë. Kennedy, do të mësonte shpejt se me sovjetikët, butësia nuk ecte, ndërsa Hrushovi, do të mësonte se rinia dhe butësia e Kennedy-t, nuk do të thoshte se ai nuk ishte gati t’i përballej dhunës me dhunë. Po në atë vjeshtë të ethshme të vitit 1960, këto gjëra ende nuk diheshin. Megjithatë, cirku diplomatik, e kishte dhënë një shenjë të qartë se raportet në OKB që këtej e tutje, do të fillonin të ndryshonin në mënyrë drastike, aq sa gati një gjysmë shekulli më vonë, janë amerikanët, ata që ankohen më shumë nga kjo organizatë, ndërsa Moska e Pekini, mbahen fort pas saj./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?