Për shkak të një sëmundje, Bashkim Dervishi e ka humbur shikimin kur ishte 9-vjeç. Asokohe iu desh të shkëputej nga familja në Zejmen të Lezhës dhe të ndiqte shkollën në Institutin e Shikimit në Tiranë.
Vitet kanë kaluar jo pa vështirësi, por pavarësisht të gjithave, Bashkimi Dervishi ka arritur të përfundojë studimet e larta dhe të punojë në administratë.
"Fillimisht kam krye klasën e parë dhe të dytë në një shkollë normale, pastaj më humbjen e shikimit më është dashur ta filloj rishtazi në institutin e të verbërve në Tiranë. Pastaj kam kryer gjimnazin dhe Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë dhe kam mbaruar edhe bachelor për jurisprudencë", tha Dervishi.
42-vjeçari arrin te lëvizë pa shoqërues dhe të kryejë të gjithë detyrat e angazhimet e përditshme.
"Që në 2006 që kam filluar punë u bën gati 15 vjet që ndjek të njëjtin itinerar Zejman-Lezhë, në mjediset ku shkel për të herë të parë vendos disa pika referimi dhe më pas nuk është problem me lëviz", tha ai.
Ai është baba i tre fëmijëve, të cilët gëzojnë shëndet të plotë. Aktualisht është punonjës social në shkollën 9-vjeçare "Besëlidhja" në qytetin e Lezhës. Falë programe të posaçme, Bashkim Dervishi përdor pajisjet elektronike.
"Për sa i përket kompjuterit ekziston një program që ka akses në leximin e shkrimit për të verbrit. Vullneti dhe duke sakrifikuara shumë e kam mësuar. Është e vështirë por jo e pamundur, duhet t'i vendosësh vetës disa objektiva", u shpreh Dervishi.
Ai tregon se nuk është ndjerë asnjëherë i diskriminuar në shoqëri.
"Jo nuk e ndjej këtë pjesë, jam i mirë integruar", tha ai.
Ndërsa shqetësimi kryesor mbetet mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për të verbrit.
"Vështirësitë janë pasi ka mungesë së sinjalistikave që janë të nevojshme në rrugë e trotuar për të verbrit", tha Dervishi.