Në ditën e parë të shkollës, Nikita, në klasë të 5-të dhe motra e saj, Fjonisa në klase të parë nuk u shoqëruan nga babai i tyre i dashur, dhe as me buzëqeshje si gjithë fëmijët e tjerë. Të kapura për dore nga nëna e tyre Kristina e cila mbante në krah dhe foshnjën 9- muajshe, dy vajzat iu bashkuan fëmijëve të tjerë, në shkollën e artistike “Jakov Xoxa” me trishtimin që u lexohet në sy.
Babai, i tyre, Kreshnik Barjami, ndërroi jetë pesë ditë më parë në spital. Nëna, Kristina, me mjekrën që i dridhet, i mban lotët teksa shoqëron të bijat drejt shkollës. I shoqi e ka lënë në dhimbje të thellë dhe mes shume vështirësish për të përballuar jetesën, por nuk është në gjendje të flasë...
35-vjeçarin Kreshnik Barjami (alias) Tomani e përplasi makina më 24 gusht, teksa kalonte në vijat e bardha përballë shkollës së muzikës ku mësojnë vajzat.
Një 17-vjeçar pa patentë në timon, me “Range Rover” luksoz, i mori jetën. Aksidenti ndodhi më 24 gusht, ndërsa Kreshniku qëndroi 10 ditë në koma në spitalin e Traumës, ku mbylli sytë më 3 shtator.
35-vjecari ishte i vetmi që siguronte të ardhura përmes punës si shofer betoniereje në Orikum. Të njohurit e përshkruajnë si një baba model, i përkushtuar ndaj tre fëmijëve dhe mbështetës i palodhur i vajzës së tij Nikita, e talentuar në muzike. Publiku e njihte Kreshnikun nga rrjetet sociale dhe audicionet televizive, ku gjithmonë shfaqej në krah të së bijës këngëtare. Sot, një video ku ai vallëzon me Nikitën është shndërruar në kujtimin më të dhimbshëm të familjes...
Adoleshenti që shkaktoi aksidentin po hetohet në gjendje të lirë për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim të mjetit pa leje drejtimi”. Kjo tragjedi ka nxjerrë në pah edhe njëherë problemin e madh të mjeteve luksoze që u lihen në dorë adoleshentëve, ndërsa mungon ndëshkimi...
Komente
