Nëse kërkesa e Prokurorisë së Shkodrës për ta dënuar përfundimisht me 3 vite e 8 muaj burg Ragip Gilën, do të ishte pranuar nga Gjykata, e cila në fakt, i dha lirinë me kusht, autori i masakrës së 8 shtatorit në kryeqendrën e veriut, do të ishte në qeli dhe vrasjet mund të ishin shmangur.
Report Tv ka mësuar se Prokuroria e Shkodrës nuk është pajtuar me vendimin e gjyqtarit Albert Keraj që e liroi në mars 2025 Gilën, por e ankimoi çështjen në Apel në Tiranë, kundërshti që mbetet ende mes stokut të dosjeve, në pritje për gjykim.
Report Tv ka lexuar vendimin e plotë të gjyqtarit Keraj. Ragip Gilës, 5 dhjetorin e vitit 2023, i ishin gjetur në banesë në Shkodër 7 jelekë antiplumb; 13 pako me ngjyrë dhe aromë si ato të cannabis sativës; një kavanoz qelqi me material bimor cannabis sativa; një qese blu me cannabis sativa; një qese transparente cannabis sativa; dy palë doreza të zeza; dy maska të zeza; një maske silikoni; dy paruke një gri e një kafe; një skafander ngjyrë e zezë; 4 fisheke 9 mm; një çifte; një brez me 32 fishekë kalibër etj.
Ndaj tij u ngritën 3 akuza, ajo e armëmbajtjes pa leje, prodhimi dhe mbajtja e armëve sportive pa leje dhe ajo e prodhimit dhe trafikimit të drogës. Por në gjykatë Gila shkoi i pandehur vetëm si trafikant droge, pasi një amnisti e miratuar në Kuvend prillin e 2024-s ia kishte ‘falur’ akuzat për armëmbajtje pa leje.
Në vendimin e marrë 4 mars 2025 gjyqtari Keraj arsyetoi se akuza e prokurorisë për trafik droge është e provuar pa asnjë lloj dyshimi, por sipas tij qëndronin disa rrethana që legjitimonin lirimin e tij.
Fakti kryesor ishte që Gila kishte qenë tashmë prej 15 muajsh në qeli në paraburgim, që i llogaritej 22 muaj e 9 ditë burg dhe i mbeteshin më pak se 1 vit e gjysmë nga dënimi përfundimtar me 3 vite e 4 muaj, që i dha gjykata. Gjithashtu gjyqtari ka marrë si rrethanë lehtësuese faktin se Gila nuk kishte qenë i dënuar më parë, si dhe gjendjen shëndetësore të vëllait dhe babait të tij, të cilët kishin nevojë për përkujdesje.
Po si ishte kryer arrestimi i tij dhe si shkoi policia në banesën e 26-vjecarit 2 vite më parë?
Gjithçka nisi më 5 dhjetor 2023, kur në Komisariatin e Policisë Shkodër u paraqit Ergys Gila vellai i Ragip Gilës, i cili kishte denoncuar zhdukjen e bashkëshortes së tij. Gruaja, pasi u gjet deklaroi në polici se kishte ikur për shkak të kërcënimeve dhe pranisë së armëve në shtëpi. Nga verifikimet, policia nuk gjeti ndonjë send të pa lejuar në banesën e Ergys Gilës, por kur kontrolluan edhe në banesën e vëllait të tij, Ragip Gila, në katin e dytë zbuluan materialet e shumta të aktivitetit kriminal, të cilat e çuan në burg.
Interesant në vendim është edhe një përgjim ambjental mes Ragip Gilës dhe vëllait të tij, Ergys Gila, brenda komisariatit të policisë Shkodër. Ragip Gila e këshillon të vëllanë që si duket është në dijeni të armëve dhe drogës në shtëpinë e tij, të mos tregojë asgjë dhe të mbajë qëndrim mohues.
Ragip Gila: Ti mos fol gja mor njish, rri i qetë, unë nuk kam lidhje me vllanë, jam në vedi unë mor vlla! A ndin mor?
Ergys Gila: Po mor po, njashtu i thashë:
Ragip Gila: Kur të dalësh, ruji fëmijët, mos i ço në shkollë një herë. Nuk të majn ty, ti rri i qet. Nuk ke punë ti! Ja pava sherrin Erit, ty edhe atij, ti rri i qet, mos ha provokime hiq! Ça ke hall ti!? Ti me pas nja tmendje vlla, mos me ba gabime hiq! Xero, xero, xero! A more vesht?....Shyqyr qe e fshina do foto Pistoletet Ç-se. Desht me e gjet ai bosi! Thashë tesh pa e gjen!! E heka se e pata me vedi! Dy minuta pa ardh ju, dy minuta robt!
Por pavarësisht këtyre provave, gjykata vendosi që Ragip Gila të mos qëndrojë në burg. Vendimi e cilëson veprën penale si të izoluar dhe merr si rrethana lehtësuese faktin që Gila nuk ishte dënuar më parë. Në vendimin e gjykatës thuhet se për të pandehurin Ragip Gila mbahet parasysh: personaliteti i të pandehurit; mosha e tij në momentin e kryerjes së veprës penale (26 vjeç); fakti që është i padënuar më parë; gjendja e tij familjare. Ndërsa vetëm 6 muaj pas këtij vendimi, në një lokal në qendër të Shkodrës ai i mori jetën 2 personave dhe plagosi 2 të tjerë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Ai kontrollon kush këtë gjykatës bandita me këto vendime wë japin për këto kriminelë?
Përgjigju