Historia tragjike e familjes së firmëtarit të Pavarësisë: Vëllain na e pushkatuan në 79-ën, pas letrës që i dërgoi Enverit, por ne s’i treguam nënës

21 Shtator 2022, 07:26| Përditesimi: 21 Shtator 2022, 07:49

  • Share

Nurfezo apo siç njihej ndryshe Nurfo, ishte një vajzë nga familja Koka e Delvinës, e cila ishte martuar në Korçë me Sami Koprenckën, djali i Xhelal Koprenckës, (me origjinë nga fshati i Skraparit prej nga ata kishin trashëguar dhe mbiemrin) që kishte marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në 1912-ën në Vlorë, duke qenë një ndër firmëtarët e aktit të Pavarësisë. Samiu ishte nolist dhe ai u zgjodh deputet në moshën 19 vjeçare, në Parlamentin e parë të Shqipërisë që çeli punimet në prillin e vitit 1921. Ndërsa në periudhën 1939-’41, ai ishte me detyrë nën/Prefekt, në disa rrethe të vendit.

Nurfezo me Samiun ishin një familje e lumtur, por mbas vitit 1944, me ardhjen e komunistëve në pushtet, të gjithë pjesëtarët e saj do të pësonin vuajtje e dhimbje të shumta. Në vitin 1946 arrestojnë babain, Samiun, duke e akuzuar për aktivitet anti-komunist dhe e dënojnë me pushkatim. Pasi e morën nga qelia e burgut dhe po e dërgonin për ta ekzekutuar, në momentin e fundit, e ulën nga makina, ia falën jetën dhe i’a kthyen dënimin, me burgim të përjetshëm. Ndërsa pjesëtarët e familjes Koprencka, i nxorën natën nga shtëpia, vetëm me rrobat e trupi dhe atyre iu grabit çdo gjë që kishin në shtëpinë e tyre.

Zonja Nurfo e ndoqi burrin saj nëpër burgje e ngarkuar me trastat me ushqime, por në vitin 1947, e arrestojnë dhe pasi e mbajtën disa kohë në qeli, e nxjerrin në gjyq duke e akuzuar, për agjitacion e propaganda dhe e dënuan me katër vjet heqje lirie. Pas kësaj, fëmijët mbetën vetëm, pasi Samiu me Nurfon ishin ne burg. Duke qenë pa kujdesin prindëror e në kushte të mjerueshme jetese, vajza e tyre, Lilja u sëmur rëndë dhe atë e shtruan në Sanatorium në Shkodër, ndërsa djali, Xhelali, mbeti vetëm në moshën 12 vjeçare dhe ngrysej e gdhihej lulishteve të qytetit.

Duke u endur rrugë si jetim (por me prindërit gjallë), Xhelali i vogël pa me sytë e tij vendet ku ekzekutoheshin “armiqtë e popullit” si dhe ndiqte gjyqet e shihte si dënoheshin njerëzit. Çdo moment, fëmija provonte dhimbje të mëdha në shpirtin e tij dhe pas ca kohësh atë e mori halla e tij, Zengjine Begolli, në familjen e saj në Tiranë, por trajtimi i tij, në shkollë ishte shumë i keq, e godisnin, e fusnin në ujë, e shanin “djali i armiqve të popullit”, duke ia bërë të padurueshme periudhën që ai kalonte në shkollë.

Pasi plotësoi dënimin dhe doli nga burgu, zonja Nurfo shkoi të takonte të shoqin, Samiun, në burgun e Burrelit, duke marrë me vete edhe të birin, Xhelalin. Por kur u afruan te dhoma e takimeve, Samiu i habitur e pyeti gruan e tij: I kujt është ky fëmijë? Ajo në moment u shkri në vaj dhe qante me dënesë, pasi babai nuk e njohu të birin!

Kjo vuajtje e nënë Nurfos, që e ndiqte burrin e saj, në burgun e Burrelit, s’do të ishte asgjë në krahasim me ato që do të provonte kjo zonjë fisnike, se çfarë i kishte rezervuar e ardhmja…?

Ndërsa regjimi komunist i Enver Hoxhës vazhdonte pa pushim luftën e klasave, nga e cila nuk vuanin vetëm të burgosurit politikë, por të gjithë pjesëtarët e familjes, gjë e cila bënte që edhe fëmijët e vegjël t’i ndiqte kudo lufta e egër e diskriminimit klasor, që kishte projektuar ai regjim, që me ardhjen e tij në pushtet në nëntorin e ’44-ës.

Kështu u veprua dhe me Xhelalin, djalin e kësaj familjeje të nderuar e me tradita patriotike, i cili sa më shumë rritej, aq më shumë shtohej për të, kalvari i vuajtjeve. Ndërsa familja Koprencka jetonte në Shkodër, mbasi ata i kishin dëbuar nga qyteti i tyre, Sigurimi i Shtetit ndiqte dhe survejonte në çdo hap Xhelalin, ashtu siç ndodhte pothuaj me të gjithë pjesëtarët e familjeve të deklasuara, siç i etiketonte regjimi komunist, kundërshtarët e tyre politikë.

Kështu më 30 dhjetor 1957, vetëm pak kohë pas “Kundër-Revolucionit hungarez”, regjimi komunist me anë të organeve të saj të Diktaturës së Proletariatit, (Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria etj), filluan një valë arrestimesh, ndaj së cilës nuk mund të shpëtonte as Xhelal Koprencka!?

Xhelali në hetuesinë e Shkodrës në vitin 1957

I akuzuar për tentativë arratisje, gjatë procesit hetimor në hetuesinë e Shkodrës, hetuesi e pyet:

– I pandehur, a e pranon akuzën që gjatë vitit 1957 keni bërë përpjekje të arratiseni jashtë shtetit?

Xhelali: – Jo, nuk e pranoj, nuk kam dashur të iki. Nuk e di pse jam arrestuar!

Hetuesi: -Ti, Xhelal, je arrestuar, sepse ke pasur mendimin të arratisesh jashtë….!

Edhe pse Xhelali nuk pranoi asgjë në hetuesi, pasi akuza dhe procesi ishin tërësisht i montuar, Gjykata Ushtarake e dënoi Xhelalin, me dhjetë vjet burg, me motivacionin absurd: “Ke menduar të arratisesh jashtë shtetit”.

Pas kësaj, nënë Nurfos iu shtua dhe burgu i të birit, e cila me torba në krah, merrte rrugët në këmbë, duke shkuar sa tek i shoqi në burgun e Burrelit, aq dhe tek i biri në burgje dhe në kampet e punës, si Spaçi etj. Ecte e ecte plaka e shkretë, me trastat dyfish të ngarkuara, me shpresën se do të vinte një ditë e mirë, një ditë ku do të mbaronin vuajtjet e saj…! Por nuk ishte e thënë që për të, të vinte ajo ditë, madje situata u keqësua aq shumë, sa nëna Nurfo, do të provonte dhimbje të tjera që nuk i kishte menduar ndonjëherë. Kjo ndodhi pasi djalin e saj të dashur, Xhelalin, s’do ta lejonin të dilte më nga burgu komunist…!

Teksa vuante dënimin në kampin e Borshit të Sarandës, ku Xhelali njihej si intelektual dhe përkthyes i talentuar, atë e arrestojnë dhe pas një gjyqi të montuar të zhvilluar më 25 mars 1967, e ri dënojnë me njëzet vjet, heqje lirie e për shumë kohë e mbajtën të izoluar. Por s’ishte e thënë që nëna Nurfo, ta takonte të birin në liri, pasi Xhelalin e arrestojnë për të tretën herë, me 21 nëntor 1967, kur ishte në kampin-burg të Ballshit. Pas kësaj ai provoi izolimet në biruca, keqtrajtimet, duke u akuzuar se “ka konsumuar krimin e agjitacion-propagandës”!

E ri dënojnë për herë të katërt, duke e akuzuar se bashkë me të burgosurin tjetër politik, Veiz Çela, bashkëvuajtës i tij, i kishin dërguar një letër dy bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës, sekretarëve të komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë e Hysni Kapos, ku me anë të asaj letre, u kërkonin atyre, që të bënin diçka të mirë për Shqipërinë. Si rezultat i asaj letre, Xhelalin e dënojnë përsëri me dhjetë vjet heqje lirie.

Dënimi i pestë për Xhelalin, erdhi gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgun e Spaçit, ku në datat 21-22 dhe 23 maj 1973, ndodhi ‘Revolta e Spaçit’- Mirditë. Pas kësaj, së bashku me një grup shumë të madh të dënuarish, që kishin qenë në ballë të asaj revolte dhe organizatorët kryesorë të saj, e nxjerrin në gjyq dhe e dënojnë si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit, që ka bashkuar rreth vetes armiqtë e pushtetit popullor e do kthimin e kapitalizmit”.

Pas kësaj ngjarjeje, nëna e shkretë Nurfo, tashmë e mplakur e veshur e tëra në të zeza, zvogëluar nga hallet, u dërgon një letër organeve kompetente…! Ishte një lutje e shkruar nga një zemër nëne, e cila u kërkonte që t’ia lironin të birin, djalin e saj të vetëm, dritën e saj, që ishte jeta e saj. Por për këtë veprim, nënë Nurfon e moshuar, e hoqën nga qyteti i Shkodrës dhe e internuan në fshatin Hajmel./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kosta: 21/09/2022 13:45

    Dje komunistet goditen dhe shkaterruan te gjithe "armiqte" e brendshem dhe vendosen nje sistem korruptiv ekonomiko politik. Sot, neokomunistet, serish vazhdojne te godasin dhe presojne sipas qefit per te shantazhuar kedo qe dje kishin shàntazhuar per spiunim. E gjitha kjo per te mbrojtur trashegimine komuniste,shmangur cdo llogaridhenie dhe vazhduar skllaverimin permes korrupsionit ekonomiko politik.

    Përgjigju
    • Cagej: 21/09/2022 17:37

      Komunizmi gjithmone humb sepse eshte nje sistem i bazuar ne dhune dhe terror. Nuk zgjat edhe shume o Kosta, sepse gjithmone falimenton. Eshte ne prag te falimentit.

  • Marian Laca: 21/09/2022 09:34

    Komunizmi kanceri me i madh i Shqiperise pas pushtimit turk. Fatkeqesi e madheqe sot drejtojne te bijte e xhelateve te atehershem.

    Përgjigju
    • Vsgsj: 21/09/2022 17:38

      Sistemi me terrorist dhe gjenocidial qe ka patur ndonjehere Shqiperia. Te gjithe do vene ne spac dhe ne rec.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?