Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.
Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.
Vijon nga numri i kaluar
Dy gratë e moshuara serbe
“Spiunet” jugosllave Këto dy gra i sollën në kamp në vitet ’78-’79, s’e mbaj mend saktë. Më kujtohet pamja e munduar e fytyrave të dy grave të moshuara serbe, të paditura për spiunazh në shërbim të Jugosllavisë. Para se të vinin ato, në kamp nuk kishte jugosllave, kështu që duhej mbushur “boshllëku”. Më e reja, Nada, ishte 60 vjeçe, ndërsa Mica, diçka më e madhe. Gratë fatkeqe ende nuk po e kuptonin përse i futën brenda dhe se si qe kurdisur akuza. Nadën e arrestuan bashkë me të shoqin. Në shtëpi mbeti vetëm vajza, artiste. Bashkë me arrestimin e prindërve, mori fund edhe karriera e saj, tani atë mund ta merrnin vetëm në punë të rëndomta, me pagë të ulët. “Grupi i spiunazhit”, burri i Nadës, Nada dhe Mica “spiunonin” për Jugosllavinë. Dikur, rreth 15 vjet para arrestimit, te Nada vinte për vizitë një kushërirë e largët, e cila atëkohë punonte në ambasadën jugosllave. Para se ta ftonte kushërirën në shtëpi, Nada kishte kërkuar lejë nga Dega e Punëve të Brendshme. Lejen i’a kishin dhënë, por as kjo nuk e ndihmoi. Kur u desh, këto vizita u interpretuan si takime spiunësh. Mica, që njihej shumë pak me Nadën, u përfshi në këtë grup, sepse vëllai i saj, punonjës i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme jugosllave, vinte shpesh për punë në Shqipëri dhe nganjëherë takohej me të motrën. Shumë pak “veprimtari”, por e mjaftueshme, për t’u dënuar me 14 dhe 15 vjet heqje lirie, me të cilat i “shpërbleu” gjykata.
Nada e pati shumë të rëndë qëndrimin në burg; ajo nuk qe mësuar të duronte vështirësi, prandaj sëmurej shpesh, ra në depresion. E bija vinte e takonte, i ndihmonte nënën dhe babanë. E ndihmonin edhe njerëzit e saj nga jashtë shtetit. Në burg, Nada mori lajmin për vdekjen e të shoqit… nga kanceri. Ky lajm thjesht e vrau. Mica ishte më e fortë moralisht. Gjatë gjithë ditës punonte, e gjente vetë punën, i ndihmonte të moshuarat dhe të sëmurat. Të tilla kishim shumë në korpusin tonë. Se si bëra llogari një ditë: mosha mesatare e të burgosurave të korpusit tonë ishte 51-52 vjeç. Burri i parë i Micës, ai që e kishte sjellë në Shqipëri, kishte vdekur. Ajo u martua me një të ve, që kishte 4 fëmijë. Ajo i rriti, punoi rrobaqepëse gjatë gjithë jetës, kurse para arrestimit, rriste nipat. I shoqi menjëherë kërkoi ndarjen, kurse fëmijët, që nuk e kishin nënë të vërtetë, nuk e braktisën, vinin në takim, e ndihmonin. Edhe i vëllai e ndihmoi, çdo gjashtë muaj i shkruante udhëheqjes shqiptare, edhe vetë Enverit, me lutjen për ta liruar të motrën. Por merrte vetëm refuzim. Parulla e regjimit komunist shqiptar: “Për armiqtë s’ka mëshirë”! gjente zbatim në jetë! Nada dhe Mica u liruan bashkë me të tjerat, pas amnistisë së vitit 1986.
Vala
“Korpusin tonë diplomatik” e plotësonin rregullisht. Gati çdo gjashtë muaj sillnin në kamp të dënuara të reja dhe në prag të vitit 1978, “korpusi” numëronte 19 vetë. Valën e arrestuan më vonë se ne. Ajo banonte në Vlorë. Me të u njoha në kamp. Burri i Valës ishte pilot. Si thuajse të gjithë ushtarakët, që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, aq më tepër ata që kishin gra sovjetike, atë e kishin liruar nga ushtria dhe punonte si mekanik. Vala, grua e bukur, bionde, me trup të derdhur, gazmore, e shoqërueshme, qëndistare e mrekullueshme, punonte mësuese në shkollë. Kishte dy djem të mirë. Njërin prej tyre, të voglin, e pashë kur erdhi në takim me nënën. Ne po ktheheshim në kamp nga arat, kurse ai qe ulur në bar pranë kolibes, ku rrinin zakonisht ata që vinin për takim me të burgosurat. Simpatik, biond, i gjatë, ai dukej më i madh nga ç’ishte. I ngjante shumë të ëmës, prandaj ne menjëherë e kuptuam se te kush kishte ardhur. Ata, që e kishin njohur Valën më parë, thoshin se djali i madh i saj ishte edhe më i mirë, bukurosh shtatlartë, sportist. Një ditë prej ditësh, krejt papritur, arrestuan burrin e Valës. Disa ditë më pas, u zhduk djali i madh. Vala e priti në shtëpi, pastaj nisi ta kërkonte, vrapoi rrugëve, pyeti të njohurit, shokët e të birit. Askush nuk dinte gjë. Ky tmerr vazhdoi disa ditë. Vala e priti, e kërkoi, qau. Papritur e thirrën në zyrat e Sigurimit të Shtetit. “Kemi të dhëna, – i thanë atje, – se djali juaj ka vdekur…! Deshi të arrinte me not deri te një anije e huaj e ndaluar në radë dhe… u mbyt. E kuptoni edhe vetë… veprimi i tij është veprim prej armiku të popullit”.
Po, Vala e kuptonte… madje fort mirë! Ajo nuk e mbante mend se si arriti deri në shtëpi. Por në thellësi të shpirtit, ruante shpresën që djali i saj, notar i shkëlqyer, do të ketë arritur deri tek anija, s’kishte vdekur. Pas arrestimit të babait, nga djalë i mrekullueshëm, ai u transformua, ndryshoi për keq. Të gjithë i largoheshin… e ai nuk e duronte dot diçka të tillë. Pas disa ditësh para shtëpisë së Valës ndaloi një kamion, ku ngarkuan shpejt e shpejt plaçkat dhe bashkë me djalin e vogël, i degdisën në internim, në një fshat të largët dhe i strehuan në një karakatinë gati për t’u shembur. Valën e dërguan të punonte në fermë. Por shumë shpejt autoritetet ndërruan mendje dhe… e arrestuan Valën. (Me sa duket, rrethi i Vlorës nuk e kishte realizuar planin e arrestimeve, kurse Vala ishte objekt shumë i përshtatshëm). Djali, i cili tani ishte 12 vjeç, mbeti rrugëve. Në fillim e morën njerëzit e burrit, por pastaj u detyruan ta çonin në shtëpinë e fëmijës dhe prej andej në konvikte e në shkolla të ndryshme. Kudo rreth tij krijonin atmosferë armiqësie, urrejtjeje. I gjori djalë nuk i duronte dot këto dhe ikte, por e gjenin, e kapnin dhe e kërcënonin me gjyq. Vala shkroi disa letra në komandën e kampit, në prokurori, në ministri, i’u lut të kujdeseshin për të birin. Por gjendja nuk ndryshonte. Edhe i shoqi, që vuante dënimin në një burg burrash, përpiqej ta ndihmonte të birin. Ai e mbaroi dënimin dhe doli para Valës. Një ditë erdhi e takoi. Paskëtaj Vala sikur u qetësua disi, e dinte që djali ishte në shtëpi me të atin. Pasi ndenji 6 vjet në burg, Vala doli me amnistinë e vitit 1982. Nuk e takova më, por dëgjova se djali i saj i madh nuk kishte vdekur, kishte arritur me not deri te një anije bullgare, ku i dhanë strehim… me pak fjalë, e fshehën dhe e morën me vete. Ai mundi të arrinte në Amerikë, ku më vonë, pasi kjo u bë e mundur, u shpërngul e gjithë familja.
Gala
Para burgut nuk njihesha me Galën. Kur e sollën në kamp, mua menjëherë më pëlqeu për thjeshtësinë, zellin e veçantë në punë dhe çiltërsinë. Në kamp ajo nuk shoqërohej me njeri në mënyrë të veçantë dhe nuk grindej kurrë. Punonte në fushë, merrej me punët e veta dhe… këndonte shumë bukur. Edhe kur lante rroba, këndonte. Ne zinim vend, ku ajo nuk na shihte, dhe e dëgjonim. Para se ta arrestonin, Gala banonte në një qytet të vogël afër Elbasanit. Të shoqin, ish-oficer, e kishin liruar me kohë nga ushtria, tani punonte si punëtor i thjeshtë. Vetë Gala punonte në çerdhe fëmijësh. Kishin tre fëmijë. Kur arrestuan Galën, më i vogli ishte katër vjeç. Gala fliste shumë mirë shqip, mirëkuptohej lehtë me njerëzit, por nuk kërkonte të dilte tepër midis shoqeve. Nga frika se mos i bënin keq familjes, ajo nuk u shkruante fare njerëzve të saj në Bashkimin Sovjetik. Por asgjë nuk e shpëtoi; po të të vinin një kryq të vockël anash emrit tënd, ishe i mbaruar…! E kam vrarë mendjen shpesh, përse e kishin burgosur, kujt i duhej arrestimi i saj?! Por, duke e njohur pak metodën e punës të organeve shqiptare të Sigurimit, përgjigjja dilte vetiu dhe e vetme: arrestimi dhe burgosja e grave të huaja, ishte vendosur nga lart. Në rrethin e Elbasanit duheshin arrestuar dy të huaja, mirëpo vetëm Lenën kishin arritur të arrestonin dhe për të realizuar planin, i vunë hekurat edhe Galës. E paditën për “agjitacion e propaganda” kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Agjitacioni i Galës ishte ky: “Në Bashkimin Sovjetik, reçelin e manaferrës e bëjnë më të shijshëm”! Edhe një shprehje tjetër e Galës: kur një fqinjë i qau hallin, që nuk i sheh dot njerëzit e saj, ajo u përgjigj: “Mali me mal s’piqen, njeriu me njeriun po”. Kjo fjalë e urtë “e tmerrshme”, figuronte në konkluzionin përfundimtar të padisë së Galës, si dëshmi e shpresës, që ushqente ajo, se regjimi komunist në Shqipëri do të binte një ditë. Galës i vinin fëmijët nganjëherë, më shpesh djali 16 vjeçar, i dobët, i veshur keq. Vështirë e patën pa nënën. Lavdi Zotit, që ajo u dënua vetëm 5 vjet, pastaj u lirua dhe u kthye në shtëpi.
Lusja
Lusja nuk rron më. Vdiq në Leningrad pas një sëmundjeje të rëndë. Ajo ishte e trembëdhjeta dhe e fundit e pjesës sovjetike të “trupit diplomatik”. Më duket se edhe vetë organet, e kishin kuptuar që ishte tepruar me arrestimet. S’mund të ishin spiune të gjitha gratë sovjetike! Pastaj ku qenë këto organe të lavdishme plot 15 vjet pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik? Si nuk e pikasën dhe nuk e zbuluan këtë “rrjet spiunazhi”, gjatë këtyre viteve?! Në periudhën që nga mesi i viteve ’70-të, në vend u “kapën” aq shumë spiunë, sa edhe partiakët më besnikë po e humbitnin besimin, megjithëse vazhdonin të heshtnin nga frika. Jeta e Lusjës nuk qe aspak e lehtë. Ajo u nda nga i shoqi oficer dhe menjëherë e dërguan në një qytet tjetër, ku u ndodh pa njerëz të afërt, pa të njohur, pa zanat dhe me dy fëmijë në duar. Ama duart i kishte flori! Nisi punë në rrobaqepësi dhe shumë shpejt u bë ndër mjeshtret më të mira të qytetit. I’u desh të hiqte shumë. Ish-burri i saj, i cili jetonte më mirë materialisht, e tërhoqi të birin nga vetja, e ndërseu kundër të ëmës dhe ai vajti tek i ati. Lusja mbeti vetëm me të bijën. U njoh me një burrë me të cilin deshi të lidhte fatin, por nuk arriti sepse… të dy i arrestuan…! Lusjën e morën kur ndodhej në punë, me zhurmë, cinizëm dhe poshtërime. Në sy të të gjithëve, i vunë hekurat, ajo u bë keq, por në atë gjendje e futën në burg. Pati hetim jashtëzakonisht të rëndë, por, meqë norma e spiuneve, me sa duket, ishte realizuar, Lusjën e dënuan vetëm 8 vjet për agjitacion e propagandë. Mikut të saj i dhanë… 25 vjet, pasi e paditën për “tentativë arratisje”. Kjo lloj padie ishte shumë komode dhe mbahej si rezervë, për çdo rast, për t’ia ngjitur dikujt, që donin ta futnin në burg për një kohë të gjatë.
Lusja e përjetoi shumë rëndë dënimin e mikut të saj. Ne, që e njihnim që më parë, e vumë re, se ajo u bë tjetër njeri, e çuditshme dhe shumë nervoze. Vajza e Lusjës, Xhulia, mbeti vetëm. Tani ishte vajzë e rritur, por e kishte shumë të vështirë. Për të studiuar nuk i dhanë lejë. Jeta vetjake i shkoi ters. Të gjithë i shmangeshin, kishin frikë t’i afroheshin, sepse e kishte nënën të huaj, sovjetike dhe, për më tepër… në burg! Xhulien e vunë në një punë të rëndomtë. Ajo u mundua ta ndihmonte të ëmën me sa mundej, vinte shpesh e takonte, pasi bënte gati 20 km. rrugë në këmbë nëpër fusha dhe kodra, edhe e ngarkuar. Një herë deshën ta grabisnin, ajo mezi arriti t’ia mbathte me vrap dhe një fshatar që kalonte pranë, i doli krah. Lusja e vuante shumë, i lutej të bijës të mos vinte. Lusja kishte vërtet duar flori; mësoi të priste veshje me një gjysmë brisku rroje, që e fshihte te një e çarë në mur, pastaj qepte shpejt me dorë. Shumë shpejt nisi të merrte porosi, që vinin kryesisht nga korpusi i ordinereve. Atje lipsej shpesh “veshje për ditën e lirimit”. Vajzat e reja te dënuara për vjedhje dhe imoralitet, kishin afate të vogla dënimi, dilnin shpejt nga burgu, por edhe ktheheshin sërish pas pak kohësh, tanimë pa rroba të bukura, prandaj edhe porositnin të tjera. Lusja fitonte jo keq dhe e ndaloi të bijën të vinte për ta parë, madje edhe e ndihmonte herë pas here. Lusjën e liruan me amnistinë e vitit 1982. Pastaj, në fillim të viteve ’90-të, bashkë me të bijën, u kthye në Leningrad. /Memorie.al
O popull me i lig se ju majmunat e Shqiperise qe jo vetem ju ka ndaluar civilizimi po edhe evoluimi shkruani gjithe kete tekst per dy-tri shkina te cofta “te martirizuara “ e nuk shkruani per mijera e mijera Shqiptare Kosove duke filluar nga masakra e TIVARIT qe aradhat e juaja partizane i morren ne Kosove e I dorezuan ne Mal te Zi e mos te flasim per mijera Shqiptare Kosove e Shqiperie qe vuajten e vdiqen ne burgjet e Jugosllavise e Shqiperise sllavokomuniste.
Përgjigju