LIMA, Peru - Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja është shpallur kampione bote e trefishtë në Botërorin e Peshëngritjes për moshat deri në 17 vjeç që po mbahet në kryeqytetin e Perusë, Lima. Kjo është hera e parë që Shqipëria fiton medalje ari për të rinjtë në një kompeticion të tillë, me Carjan që është futur në histori.
Sportistja kuqezi ka dominuar në pedanë dhe veç titullit kampione bote në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, ka thyer edhe tre rekorde evropiane duke përmirësuar peshat e ngritura. Carja jo vetëm që fitoi medalje ari në peshën deri në 64 kilogramë, por mori edhe medalje të bronztë në stilin e shkëputjes pas dy sportisteve nga Kina. Në stilin e shkëputjes Carja ngriti 98 kilogramë, duke përmirësuar edhe rekordin evropian që më herët ishte 97 kg për moshat deri në 20 vjeç.
MEDALJA E ARTË - Carja ngriti me radhë 94, 97 dhe 98 kilogramë në shkëputje, për të merituar medaljen e parë të artë. Më pas shkëlqeu edhe në shtytje, teksa finalizoi me sukses provat me 110, 113 dhe 115 kilogramë, duke shtuar medalje ari edhe në këtë stil. Me 213 kilogramë në total, sportistja kuqezi koleksionoi gjithashtu edhe medalje ari në dygarësh, duke e mbyllur si kampione e trefishtë e botës për U-17.
Trajnerja e saj, Eglantina Kalemi tha se e kanë pritur këtë sukses pasi kanë punuar për një kohë të gjatë.
"E kemi pritur këtë sukses. Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe Enkileda është tani një atlete me kohë të plotë. Kampionia e parë botërore e Shqipërisë dhe tre rekorde evropiane, kjo është shumë mbresëlënëse", tha trajnerja e saj, Eglantina Kalemi.
Komente

Bravo vajza! Suksese gjithmonë! Uroj qe ta kete merituar plotesisht dhe ti dalin testet antidoping me sukses se jemi zhgenjyer jo pak here nga kampionet tanë.
PërgjigjuTë lumtë krenari për gjithë shqiptarinë!!!
PërgjigjuBravo,suksese
Përgjigju