Portieri Ronwen Williams dhe gjyqtari Clement Turpin

Sport

Historike në Kupën e Botës për Klube! Portieri ndëshkohet për mbajtje të gjatë të topit, jepet goditje këndi për herë të parë

19 Qershor, 14:22| Përditesimi: 19 Qershor, 14:26

  • Share

Një moment historik u regjistrua në Kupën e Botës për Klube gjatë ndeshjes mes Mamelodi Sundowns dhe Ulsan Hyundai, e vlefshme për raundin e parë të Grupit F. Skuadra afrikane fitoi minimalisht me rezultatin 1-0, por episodi që tërhoqi vëmendjen ndodhi në minutën e 83-të, kur për herë të parë në histori, një portier u ndëshkua me goditje nga këndi për tejkalim të kohës së lejuar në mbajtjen e topit.

Ronwen Williams, gardiani i Sundowns, e mbajti topin në duar për më shumë se tetë sekonda, kufiri maksimal i lejuar sipas rregullave të reja të FIFA-s për këtë kompeticion. Gjyqtari francez Clément Turpin ndërhyri menjëherë, duke akorduar goditje nga këndi për Ulsanin, një vendim që hyn në histori si i pari i këtij lloji në futbollin profesionist.

Ky rregull i ri, i zbatuar që nga vera në disa kompeticione të FIFA-s si Copa Libertadores dhe Sudamericana, synon të reduktojë vonesat dhe humbjen e kohës nga portierët. Pierluigi Collina, president i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s e konfirmoi këtë pak ditë më parë në një intervistë për gazetën spanjolle AS, ku theksoi se:

“Është risia më e madhe dhe ka një objektiv të qartë, të ndalojë humbjen e kohës. Nëse portierët e dinë se do t’u jepet një goditje nga këndi, ata nuk do të rrezikojnë”, tha italiani.

Në 160 ndeshjet e para ku është zbatuar ky rregull, janë regjistruar vetëm dy raste të tilla. Episodi në ndeshjen mes Sundowns dhe Ulsanit është i treti dhe i pari që ndodh në një kompeticion të madh si Kupa e Botës për Klube, duke vendosur një precedent të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit. Pas këtij dueli, me goditje këndi u dënua edhe Al Hilal në barazimin 1-1 kundër Real Madrid, pasi portieri Bono mbajti topin në duar më shumë se tetë sekonda.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?