Astrit Hasani është zgjedhur president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në kongresin zgjedhor të EWF të mbajtur në Chisinau të Moldavisë më 11.04.2025.
Kështu ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Sipas KOK, Hasani ka fituar kundër italianit me nënshtetësi moldave, Antonio Conflittit, presidentit të deritanishëm të EWF. Në një ballafaqim mes dy kandidatëve, Hasani mori 24 vota kundrejt 19 për presidentin aktual italian Antonio Conflitti
Komiteti Olimpik i Kosovës ka theksuar se Hasani bëhet presidenti i parë shqiptar i ndonjë federate europiane.
“Jam thellësisht i nderuar dhe me të vërtetë i përulur nga besimi juaj për të më zgjedhur mua si President të Federatës Evropiane të Peshëngritjes,” u tha Hasani delegatëve në Kongresin Zgjedhor të EWF në Chisinau, Moldavi, qyteti pritës i Kampionatit Evropian për të moshuarit që fillon këtë të dielë. "Unë do të drejtoj një ekip që do të tregojë transparencë të vërtetë. Evropa do të jetë vërtet e bashkuar dhe ne do të zgjedhim njerëzit më të mirë për Kongresin e ardhshëm të IWF", vijoi Hasani.
“Dr. Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ishte arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes që nga viti 2016. Hasani ka një shkollim superior me magjistraturë në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit dhe doktoraturën në Universitetin e Varshavës.
Është i njohur në Federatën Botërore të Peshëngritjes për qëndrimin e tij që sporti është mbi politikën”- thuhet në njoftimin e KOK-ut më 11.04.2025.KOK ka njoftuar po ashtu se Hasanit i ishte besuar pozita e CEO-s (bashkëthemeluesit) për organizimin e kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, të mbajtur në vitin 2022 në Tiranë, organizim që më vonë organizata “Albanian Excellence” i dha çmimin “The Grand Excellence Award”.
“Po ashtu, për shkak të kontributit në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, pranoi çmimin e madh evropian “Ylli i Artë”. Si kandidat për president të Federatës Evropiane të Peshëngritjes Dr. Hasani kishte mbështetje të plotë nga KOK-u dhe KOKSH-i. Ai është edhe këshilltar i KOK-ut, i emëruar muaj më parë pas Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut” – njofton KOK.
Komente
