SHBA -Basketbollistët e Oklahoma City Thunder janë kampionët e rinj në NBA, pasi fituan finalet e Play-Off me rezultatin 4-3 kundër Indiana Pacers. Në ndeshjen e shtatë vendimtare, të zhvilluar në Oklahoma City, Thunder triumfuan me rezultatin 103-91. Ky është titulli i parë në histori për Oklahoman.
Kishte 9 vite që titulli kampion nuk vendosej në finalen e shtatë, ku përballë ishin dy skuadra surprizë. Një triumf i merituar për Oklahoma, që ishte edhe skuadra me e mirë në sezonin e rregullt, teksa ngriti lart trofeun para tifozëve të saj.
Pjesa e parë përfundoi me epërsi për Indianën, 48-47, por pas pushimit loja mori drejtim tjetër. Në çerekun e tretë, Oklahoma dominoi dhe e mbylli atë me avantazh 81-68. Në fillim të çerekut të katërt, kur udhëhiqte 90-68, fitorja dukej e sigurt. Për Indianan ishte fatkeqësi lëndimi i Tyrese Haliburton, i cili dëmtoi tendinin e Akilit pas vetëm shtatë minutash lojë dhe nuk mundi të vazhdonte.
Shai Gilgeous-Alexander shkëlqeu me 29 pikë, pesë kërcime dhe 12 asistime, duke fituar edhe çmimin MVP të finales. Jalen Williams shtoi 20 pikë, ndërsa Chet Holmgren kontribuoi me 18. Për Pacers, më i miri ishte Bennedict Mathurin me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për të marrë fitoren dhe titullin.
Finalet play-off
Nd.1, Oklahoma – Indiana, 110-111
Nd.2, Oklahoma – Indiana, 123-107
Nd.3, Indiana – Oklahoma, 116-107
Nd.4, Indiana – Oklahoma, 104-111
Nd.5, Oklahoma – Indiana, 120-109
Nd.6, Indiana – Oklahoma, 108-91
Nd.7, Oklahoma – Indiana, 103-91 (4-3)
Komente
