Skuadra kombëtare e Uzbekistanit

Sport

Historike/ Uzbekistani dhe Jordania kualifikohen në finalet e Kupës së Botës 2026, biletën e siguron edhe Korea e Jugut

6 Qershor, 12:40| Përditesimi: 6 Qershor, 12:45

  • Share

Uzbekistani dhe Jordania kanë shkruar një faqe të re në historinë e futbollit, duke siguruar për herë të parë në histori një vend në Kampionatin Botëror 2026.

Barazimi 0-0 ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi i mjaftoi skuadrës së Uzbekistanit, e cila drejtohet nga trajneri Srecko Katanec për të mbyllur Grupin A kualifikues të Azisë në vendin e dytë, duke e bërë ëndrrën realitet.

Uzbekistani mori një biletë direkte për Botërorin 2026, një arritje që për dekada kishte qenë e pamundur, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe talenteve të shfaqura ndër vite.

Sipas BBC Sport, ky është një sukses i jashtëzakonshëm për një kombëtare që gjithmonë ka qenë “në prag”, por kurrë nuk kishte kaluar pengesën finale. Ndërsa ESPN e cilëson këtë si një “moment historik për futbollin e Azisë Qendrore”, duke veçuar progresin në aspektin taktik dhe zhvillimin e gjeneratave të reja uzbeke.

Me 18 pikë në total, pesë fitore, tri barazime dhe vetëm një humbje, Uzbekistani tregoi jo vetëm cilësi, por edhe maturi në fazat vendimtare. Trajneri Katanec ka transformuar kombëtaren uzbeke në një formacion të disiplinuar, kompakt dhe konkurrues.

Ndërkohë që pas fitores 0-3 në Oman, edhe Jordania ka marrë një biletë për në finalet e Kupës së Botës. Nga ana tjetër Korea e Jugut mposhti 0-2 Iranin dhe siguroi një vend për në Botëror.

Në sfondin e një Botërori historik me 48 ekipe dhe tre shtete pritëse SHBA, Kanada dhe Meksikë, pjesëmarrja e Uzbekistanit dhe Jordanisë nuk është vetëm debutim, por një sinjal i fortë për rritjen e futbollit në rajon.

Dhjetë skuadrat që kanë marrë biletën për në Botërorin 2026:

SHBA, Meksika dhe Kanadaja si tre vendet organizatore. Japoni, Zelandë e Re, Argjentinë, Iran, Uzbekistan, Korea e Jugut, Jordani.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?