Historiku i bashkësisë ortodokse të Tiranës

2 Korrik 2023, 10:18| Përditesimi: 2 Korrik 2023, 10:21

  • Share

Në shekullin e XVIII-të në qytetin e Tiranës ekzistonte një bashkësi e vogël ortodokse, kryesisht me origjinë vllehe, e cila për nevojat e saj shpirtërore me lejen e Ibrahim Pashë Bargjinit kishte ndërtuar kishën e Shën Prokopit. Ajo ishte vendosur aty pas prishjes së Voskpojës nga bejlerët dhe popullsia myslimane në vitin 1769, për shkak të pjesëmarrjes së vllehëve në revoltën greke të mbështetur nga Rusia.

Për shkak të aftësive të tyre në artizanate të ndryshme dhe ndihmës që ata i dhanë bargjinajve kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit, ortodoksët e Tiranës u lejuan që të hapnin dyqane në pazarin e qytetit dhe të integroheshin gjithnjë e më shumë në jetën sicial-ekonomike.

Bashkësia ortodokse e Tiranës, si të gjitha bashkësitë e tjera të vendit, gëzonte një lloj pavarësie në zgjidhjen e çështjeve të saj të brendshme. Ajo kishte organet e saj drejtuese të cilat i zgjidhte vetë. Organi më i lartë i saj ishte “Mbledhja e përgjithshme”, e cila përbëhej nga të gjith burrat me moshë 25 vjeç e lart. Ajo mblidhej zakonisht një herë në vit, në periudhën janar-shkurt, por herë herë edhe brenda vitit. Mbledhja kryesohej nga më plaku i bashkësisë ose nga prifti. Nga viti 1834 e këtej ajo është kryesuar nga mitropoliti i Durrësit ose nga i deleguari i tij. Kjo bashkësi kishte edhe dy këshilla:

a) Dhimogjerondia- e cila merrej me problemet administrative-shoqërore të bashkësisë, zgjidhte konfliktet që lindnin midis anëtarëve, gjykonte çështjet e merrte vendime. Ky këshill përgjigjej edhe për anën fiskale, verifikonte të tatuarit dhe interesohej për vjeljen e taksave të ndryshme që kjo bashkësi i detyrohej administratës shtetërore osmane.

b) Epitropia- e cila merrej me administrimin e të ardhurave dhe pronave që anëtarët e bashkësisë ortodokse linin në dobi të bashkësisë. Me këto të ardhura u ble toka dhe u ngrit ndërtesa e parë shkollore, u ndërtua kisha e re e Evangjelizmoit brenda në qytet, e cila u përurua më 1 shtator 1874; nga këto të ardhura paguheshin psalltët, mësuesit dhe personeli tjetër laik i kishës dhe i shkollës, me përjashtim të priftit, i cili paguhej direkt nga populli; mirëmbaheshin godinat kishtare dhe shkollore; ndihmoheshin vajzat jetime për t`u shkolluar dhe nxënës të vobektë me libra e bursa për të studiuar; ndihmoheshin me raste festash familjet e varfëra me veshje, bereqet etj. Madje, në fazën e parë të vendosjes së bashkësisë brenda në qytet, siç del nga të dhënat e Kodikut të Shën Prokopit, janë ndihmuar me shuma të ndryshme në formë huaje një sërë banorësh, madje dhe esnafësh për të marrë veten nga ana ekonomike.

Epitriopisë në fillim i qe ngarkuar edhe kujdesi për shkollën dhe mësuesin. Më vonë kur problemet e shkollës e të arsimit u zgjeruan, këtij këshilli iu shtua edhe një person tjetër, me titullin “efor”, i cili zgjidhej nga mbledhja e përgjithshme dhe merrej posaçërisht me problemet e shkollës. Efori në bashkëpunim me epitropët vizitonte vazhdimisht shkollat e bashkësisë, kontrollonte zbatimin e programeve dhe të disiplinës shkollore, interesohej që nëpërmjet Mitropolisë së Durrësit të siguronte e të pajtonte arsimtarë të aftë. Në Kodik përmenden emrat e mjaft eforëve, si të Nikolla Nishkut më 1887, të Dhimitër Theoharit më 1889, të Thoma Sallabandës më 1897, të Jovan Andonit më 1909, të cilët janë dalluar me përpjekjet e tyre në drejtim të përmirësimit dhe të mirëfunksionimit të tyre.

Në vitin 1841 për shkollën dhe arsimin në bashkësinë ortodokse të Tiranës nis një faze e re. Bashkësia këtë vit hapi shkollën e saj të parë të rregullt, por jo në një godinë shkollore të vetën. Kjo u arrit disa vjet më vonë. Sipas Kodikut, në vitin 1846 trualli për shkollën u ble 2000 groshë. Ndërtesa e re shkollore që u ndërtua kishte katër salla të mëdha, me një korridor në mes dhe me një oborr të madh përqark. Kjo shkollë fillore ishte katërvjeçare me një program mësimor pak më të zgjeruar se shkollat e zakonshme e me kuadër arsimorë më të aftë. Në këtë shkollë kanë shërbyer si mësues në vitet 1847-1848 Grigor Peliçev nga Ohri që kishte kryer shkollën e mesme greke në vendlindje. Ai u shqua si poet dhe si hartues i poemës me subjekt shqiptar “Skënderbeu”.

Në vitet 1850-1854 ka shërbyer Kostandin Kristoforidhi, i cili kishte kryer shkollën e dëgjuar “Zosimea” të Janinës. Ky në orët e mësimit, krahas gjuhës greke, u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe. Prej tij mësuan të lexojnë dhe të shkruajnë shqip me alfabetin e Stambollit Anastas Pano, Stefan Koja, Simon Dimroçi etj.

Në vitin 1869 në Kodik përmenden edhe dy arsimtarë të tjerë, Anastas Dhima nga Pogradeci dhe Mihal Xhaxho nga Narta e Vlorës.

Kjo shkollë mbahej me kontributin vullnetar të bashkësisë ortodokse të Tiranës, e cila sipas Kodikut të Shën Prokopit çdo të dielë apo të kremte fetare me rëndësi, nxirrte gjatë meshës një disk të veçantë për shkollën ku çdo pjesmarrës hidhte kontributin e vet sipas mundësive që kishte. Me këto të ardhura paguheshin mësuesit dhe shpenzimet që nevojiteshin për mirëmbajtjen e saj. Nga një raport që Mitropoliti i Durrësit Vissarioni i dërgoi Shoqërisë Kulturore Epiriote të Stambollit në vitin 1872 mbi gjendjen e shkollave në dioqezën e tij, konstatohet se në Tiranë ekzistonte një shkollë fillore të cilën e frekuentonin 40 fëmijë; ndërsa rroga vjetore e mësuesit që sigurohej me kontribut vullnetar ishte 2000 groshë.

Me kalimin e kohës kjo shkollë u bë pesëvjeçare dhe nevojat e saj për personel arsimorë e shpenzime erdhën duke u rritur. Të ardhurat që siguroheshin nga disku i kontributit vullnetar nuk mjaftonin më dhe ajo rrezikonte të mbyllej. Por shoqatat esnafore të bashkësisë, me iniciativën e tyre, lidhën me mitropolitin Vissarion një marrëveshje me anën e së cilës ata merrnin përsipër që për çdo ditë të shtunë çdo dyqan t`i jepte epitropit të kishës nga një grosh për mbajtjen e shkollës. Pas disa vitesh shkolla e shtoi përsëri kapacitetin e saj dhe nga shkollë pesëvjeçare, u bë shkollë qytetëse gjashtëvjeçare. Në vitin 1894-1895 pranë kishës së re të Ungjillizimit u ngrit një godinë dykatëshe me salla mësimi e dhoma të bollshme që t`i përgjigjej sa më mirë jo vetëm nivelit në të cilin qe ngritur në atë kohë shkolla, por edhe perspektivës.

Në vitin 1890 bashkësia ortodokse e Tiranës hapi një shkollë fillore pesëvjeçare për vajza.

Mendojmë se këto shkolla gabimisht quhen prej disave “shkolla greke” ose “të huaja”. Në fakt ato qenë shkolla të bashkësisë ortodokse të Tiranës “në gjuhën greke”, të ngritura dhe të mbajtura me sakrifica të mëdha, siç u tregua më lart, prej vetë bashkësisë.

Kodiku i kishës së Shën Prokopit, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit përmban të dhëna të vlefshme mbi zhvillimin ekonomik, arsimor dhe fetar të bashkësisë ortodokse të Tiranës që nga fillimi i shek. XIX-të deri në shek. XX-të. Shënimi më i hershëm i tij i përket vitit 1818, ndërsa shënimi i fundit mban datën 31 dhjetor 1922. Pjesërisht ky Kodik është përkthyer e botuar në gjuhën shqipe nga Dimitër Beduli.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 02/07/2023 12:09

    Na thuaj ndonje gje te re. Mos eshte dhe kjo pjese e propogandes shtetrore rumune qe po ben cmos dhe po mesyn kudo qe te shkrpuse ndonje cope toke "rumune" ne Shqiperi mundesisht ne bregdet para se Shqiperia te hyje ne BE. Rumania do te shpalle boterisht se ka dalje ne Adriatik dhe Jon.

    Përgjigju
    • Lala: 02/07/2023 14:48

      Akoma pretendojn ate token ne sarande

  • Emigrant: 02/07/2023 12:05

    Jam kurioz te di Meshat ne shqiperi behen ne gjuhen shqipe apo greke

    Përgjigju
    • Allai billai: 02/07/2023 15:43

      Në gjuhën arabe

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?