Kultura

Historiku i biçikletave në shqipëri! ‘Dëshmi’ arkivore, fotoja më e vjetër me biçikletë në 1919

9 Maj, 18:05| Përditesimi: 9 Maj, 18:14

  • Share

Një ekspozitë me fotografi dhe materiale arkivore që dëshmojnë historikun e përdorimit të biçikletës në Shqipëri është çelur te “Reja”, paralelisht me “Giro d’Italia”, që këto ditë po mbahet në Shqipëri.

Përdorimi i biçikletës në Shqipëri dëshmohet që në fillim të viteve 1900 përmes këtyre fotografive dhe materialeve arkivore të ekspozuara te “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita e çelur jo rastësisht gjatë ditëve kur në Shqipëri po mbahet “Giro d’Italia” sjell fotografi nga disa studio italiane, nga Arkivi Qendror i Shtetit, nga koleksioni i Marubit, disa arkiva private dhe Arkivi Austriak.

Mes fotografive ka foto nga qytete si Shkodra, Korça, Tirana etj, por kryesisht nga Shkodra duke marrë parasysh kulturën shkodrane në përdorimin e biçikletave, ndërkohë që fotografia më e vjetër e ekspozuar daton në vitin 1919.

Është interesante të përmendim që mes materialeve të paraqitura ka shumë fotografi të vajzave dhe grave që përdorin biçikletën.

“Kemi shumë fotografi ku janë gra dhe vajza që përdorin biçikletën, gjë që nuk e shohim në ditët e sotme. Kjo për shkak se në atë kohë ka qenë mungesa e makinave, nuk kemi pasur makina aq sa sot. Ia vlen të përmendim edhe që në kohën e komunizmit biçikleta ka qenë i vetmi mjet që lejohej të posedohej dhe nuk ka qenë e njëjta situatë si sot. Ndoshta gratë dhe vajzat ndiheshin më të sigurta për të lëvizur në rrugët e qytetit. Kemi fotografi shumë të bukura me vajza dhe gra të reja duke shkuar në punë ose duke bërë shëtitjen e mbasdites, fotografi grupesh ushtarësh duke shkuar në luftë, fotografi grupesh shokësh e shoqesh duke dalë në rrugët e qytetit etj.”, - thotë Iden Petraj, kryebashkiake e biçikletave në Bashkinë e Tiranës.

Petraj vëren se duke marrë parasysh kulturën shqiptare në përdorimin e biçikletave, ky aktivitet synon të jetë edhe një lloj nxitjeje për përdorim më të madh të biçikletën.

“Duke pasur parasysh që trafiku sot është i papërballueshëm duam të organizojmë sa më shumë aktivitete promovuese për përdorimin e biçikletës.”

Pjesë e aktivitetit ishin edhe disa interpretime muzikore, siç është ai i këngës “Biçikleta” e kantautorit Françesk Radi.

 Ekspozita e organizuar nga organizata “Active Mobility” mbështetet nga MEKI dhe Bashkia e Tiranës dhe do të qëndrojë e çelur deri më 15 maj.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?