Dosje

HiStory/ Çamëria e rrëfyer nga historianët grekë, si ka ndryshuar narrativa dhe fajësimi i shtetit të tyre

14 Mars, 22:55| Përditesimi: 14 Mars, 23:04

  • Share

Në vitin 1945, në Konispol të Sarandës, mbërriti një komision ndërkombëtar hetimor, me detyrë për të prekur nga afër dhe grumbulluar provat e masakrës dhe shpërnguljes së popullsisë së Çamërisë. 

Mes dëshmitarëve, një pjesë ende me plagët e dhunës në trup, përpara tyre u shfaq një grua plakë e cila nxorri nga gjiri, si gjënë më të shenjtë, skalpin e kokës së një të afërmi të saj.

Plaka quhej Fatime Pronjo, ishte 75 vjeçe, ndërsa pjesa e lëkurës së kokës, me flokë të zinj, i përkiste të birit, Abedin Pronjo, të masakruar nga forcat greke të Napoleon Zervës.

Këto janë të vetmet pamje filmike të kohës që provojnë gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë. Një ngjarje që për shkak të rrethanave historike, për 8 dekada me radhë, për autorët greke, ka mbetur e vulosur dhe e ngrirë në kohë.

Ndërsa për palën tjetër, për ne shqiptarët, ka mbetur një ngjarje e kohës që nxiton, qoftë vetëm për shkakun se dëshmitarët, tashmë, për shkak të moshës, pothuaj të gjithë, janë ndarë me këtë jetë, duke u larguar me peng në zemër.

Por le ta marrim nga historia një shpjegim të këtij rezultati aktual. Le të kthehemi pas në kohë dhe të shohim si e gatiti ajo masakrën dhe shpërnguljen masive të popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Dihet se kufijtë e cunguar të shtetit shqiptar, ata kufij që kemi edhe sot, u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, që u mbajt në Londër në korrik të vitit 1913.

Jashtë trungut amë mbetën territore të konsiderueshme, përfshirë Kosovën, që u bë pjesë e Mbretërisë Serbe dhe Çamëria që u bë pjesë e Greqisë.

Sipas studjuesve të ndryshëm, Çamëria popullohej kryesisht me shqipfolës dhe përbëhej nga dy grupe integrale fetare: të krishterët ortodoksë dhe myslimanët sunitë.

Ky grup jetonte në një zonë gjeografikisht të gjerë, duke përfshirë territoret që sot njihen si Prefektura e Prevezës dhe duke u zgjeruar në veri-perëndim me territoret që sot i përfshin prefektura e Thesprotisë.

Sipas një regjistrimi osman të vitit 1908 në Çamëri jetonin 30726 muslimanë shqipfolës. Pak më vonë, pas një vale emigrimi për shkak të Luftrave Ballkanike, sërish sipas statistikave, numri i myslimanëve shqiptarë të Çamërisë ra në 26 mijë.

Në Çamëri gjendej edhe një popullsi shqipfolëse e besimit ortodoks, por që ishte më larg idesë kombëtare sesa fqinjët myslimanë. Kjo pjesë mbeti më e orientuar nga Greqia dhe për pasojë, pas aneksimit të zonës, shpejt u identifikua me shtetin dhe kombin grek, duke u regjistruar zyrtarisht si e tillë.

Gjuha e zonës ishte shqipja, ndërsa greqishtja përdorej si një gjuhë e dytë, madje edhe nga myslimanët.

Grekët e shënjuan atë që kishin në plan të bënin me Çamërinë dhe çamët, vetëm disa ditë pas pushtimit të zonës. Sipas burimeve të historigrafisë, përfshirë atë greke, pikërisht në këtë kohë, një njësi e parregullt pushkatoi në Paramithi përmbi 70 fisnikë muslimanë.

Mbështetur në të dhënat e publikuara në gazetën “Bashkimi” të dhjetorit 1945, kjo pjesë e historisë është dokumentuar edhe nga UNRRA -  Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Rehabilitimin e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore që së shmumti kontrollohej nga Shtetet e Bashkuara.

“Nga viti 1913 filloi pushtimi; më vonë fiset vijuan të merren me punët e tyre dhe pas fiseve ishte politika e qeverisë dhe autoritetet e tyre administrative, të cilat shtypnin një pas një popullsinë shqiptare. Në atë kohë prijësi i një fisi, i quajtur Deli Janaqi, nga Kreta, vrau në mënyrë të pabesë 72 persona, prijës nga Paramithia dhe fshatrat e tjera përreth atij distrikti; të gjithë u morën dhe u vranë në përroin e quajtur Selani.”

Sipas historisë, periudha e viteve 1913-1914 ka qenë tejet e vështirë për shqiptarët e Çamërisë edhe për faktin se ata nuk mund të merrnin asnjë mbrojtje nga shteti shqiptar që ishte ende në fazë embrionale. Por, edhe pse të mbetur jetimë, në njëfarë mënyre, shqiptarët muslimanë të Çamërisë, pohohet të jenë ndihmuar nga shteti turk – një e vërtetë apo pretendim që gjithsesi nuk provohet nga ana dokumentare. Ja si vazhdon më tej artikulli i “Bashkimi”:

“Pesë ditë pas kësaj ngjarje, ushtria greke mblodhi në distriktin e Gumenicës 23 burra, të përzgjedhur nga krerët e fshatrave të Grykohorit, me qëllimin për t'i vrarë, por duke qenë se në atë kohë u përhapën thashetheme se qeveria e Turqisë kishte arrestuar në Stamboll shumë grekë në shenjë hakmarrjeje për atë që u ishte bërë çamëve, 23 personat nuk u vranë, por pësuan terror aq të rëndë sa u desh të dërgoheshin në spitalin e Korfuzit, ku duhej të kuroheshin për muaj të tërë.”

Një nga studjuesit më seriozë dhe të paanshëm grekë, profesor - doktor Lambros Baltsiotis, i Universitit Pantheon të Athinës, i cili në vitin 2011 ka publikuuar një studim tejet serioz me titull “Çamët myslimanë të Greqisë Veriperëndimore”, argumenton se menjëherë pas përfshirjes brenda kufijëve të zonës së Çamërisë, shteti grek nisi të ndërtojë politika për të shmangur rreziqet që mund të vinin nga komuniteti i shqiptarëve.

“Para kësaj periudhe, Çamëria ishte tashmë një shqetësim si për shtetin grek, ashtu edhe për të krishterët e Epirit që identifikoheshin si grekë. Duke qenë se objektivi më pak ambicioz i irredentistëve grekë, në vitin 1912, ishte përfshirja e të gjitha zonave në një linjë që përfshinte Korçën, Gjirokastërën dhe Himarën brenda kufijve të shtetit të zgjeruar grek, synimi ishte të errësohej fakti që popullata e krishterë, apo edhe ajo myslimane, nuk fliste greqisht, por shqip.”

Shtetit grek i kishte të qarta politikat që duhet të ndiqte me çamët muslimanë. I njëjti studjues serioz, paraqet fakte se si që të gjithë historianët e kësaj periudhe nisën të falsifikonin të vërtetën. Sipas Baltsiotis, institucionet greke ndoqën dy politika të ndryshme: E para ishte të fshihnin gjuhën që popullsia fliste dhe e dyta të amplifikonin argumentin se se gjuha e përdorur nga kjo popullsi nuk kishte asnjë lidhje me përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ekzistenca e një rajoni (Çamëria), popullsia e të cilit ishte përafërsisht gjysma myslimane dhe thuajse tërësisht shqipfolëse, konsiderohej një problem serioz për shtetin grek, i cili duhej të përballej si praktikisht ashtu edhe diskursivisht. Çdo lëvizje proshqiptare në këto vise duhej eliminuar me të gjitha mjetet.”

Pas kujdesit për fshehjen e gjuhës, shteti grek nis të ndërhyjë te prona e shqiptarëve të Çamërisë. Për këtë qëllim u miratua një legjislacion të ri që parashikonte vendosjen e kufizimeve në të drejtat pronësore të popullsisë muslimane që banonte në territoret e sapopërfshira në hartën e shtetit grek.

Sa duhet krijimi i një baze ligjore për të ndërhyrë te prona, mbështetej në të dhëna e informacione që shteti grek i kishte nga terreni. Në këtë kohë në Çamëri kishte një numër pronarësh toke të mëdhënj, të quajtur bejlerë, që të gjithë shqiptarë muslimanë. Po kështu, sipas studjuesve, veç bejlerëve, shumica e popullsisë myslimane përbëhej nga pronarë të mesëm tokash.

Sulmi ndaj pronave të çamëve kishte edhe një tjetër synim. Zona e Çamërisë ishte më e mira e gjithë Greqisë për cilësinë e prodhimin e ullinjve dhe konkurrente për mbarështimin e blegtorisë, sidomos për prodhimin e djathit që shqiptarët e zonës e quanin feta.

Edhe për këto arsye, hapi tjetër i shtetit grek, do të ishte ngrirja e shitjes së pronave dhe lejimi me ligj, miratuar në vitin 1914, i pushtimit të parcelave të quajtura të braktisura, të cilat ishin në pronësi të muslimanëve që kishin emigruar.

Sipas profesor Baltsiotis, këto politika të shtetit grek ndikuan shumë te popullsia e krishterë e Çamërisë:

“Sjellja e ushtrisë greke, në lidhje me legjislacionin e zbatuar në atë kohë, preku thellë myslimanët dhe konfirmoi çarjen e parë serioze midis komuniteteve të krishtera dhe shtetit grek nga njëra anë dhe komuniteteve myslimane nga ana tjetër. Tensionet midis myslimanëve dhe të krishterëve në zonë filluan në fund të shekullit të 19-të, kur elementi i krishterë gradualisht përmirësoi statusin e tij financiar dhe social. Menjëherë pas viteve 1912-1913 ata (të krishterët) kishin një aleat të madh për të përmbushur ambicien e tyre: shtetin grek.”

Po sipas studimit të profesor Baltsiotis, politika e shtetit grek me popullsinë munslimane të Çamërisë nisi të jepte rezultate të shpejta dhe konkrete. Sipas një përshkrimi të vetë autoriteteve greke, në vitin 1919, mjetet e jetesës së komuniteteve myslimane ishin reduktuar në mënyrë drastike, duke i vendosur ato në një gjendje mjerimi.

Në vijim shteti grek tentoi të shfrytëzonte, me qëllim spastrimin e Çamërisë nga muslimanët, vendimin e Konferencës së Lozanës, të vitit 1923, për këmbimin e detyrueshëm të popullsive turke e greke, bazuar në kriterin e fesë.

Popullsia shqiptare e Çamërisë refuzoi të lëshonte pronat dhe banesat për të shkuar në Turqi. Kundërshtia u pranua nga shteti turk dhe, për herë të parë në histori, u mbështet fort edhe nga shteti i ri shqiptar, në këtë kohë i avokatuar nga politika italiane.

Dokumentet thonë se në këtë kohë një rol të rëndësishëm për të shmangur spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët, ka luajtur edhe komunikimi, që disa personazhe të pasur dhe të arsimuar të kësaj krahine, realizuan me Lidhjen e Kombeve. Më në fund, në vitin 1926, tre vite pas përfundimit të negociatave dhe pazareve diplomatike, popullsia myslimane e Çamurisë u klasifikua “me origjinë shqiptare” dhe nuk u prek.

Jo vetëm kaq, por futja për herë të parë e çështjes çame në agjendën ndërkombëtare, detyroi shtetin grek të lëshonte terren. Kështu, pas vitit 1923, shqiptarët muslimanë të Çamërisë fituan qytetarinë greke duke ruajtur kombësinë shqiptare, fituan të drejtën e pronës dhe të arsimimit sipas ligjeve për të drejtat e minoriteteve.

Sipas Baltsiotis, ndërhyrja e shtetit të ri shqiptar për të penguar këmbimin e popullsisë çame, për herë të parë orientoi muslimanët e Çamërisë drejt shtetit amë.

“Në fakt, shkëmbimi duket se i ka çuar gradualisht myslimanët të kthehen drejt Shqipërisë në kërkim të mbrojtjes dhe në përgjithësi, ka çuar në krijimin e lidhjeve më të forta midis shtetit shqiptar dhe popullsisë muslimane të Çamurisë. Nacionalizmi shqiptar, në duart e fshatarëve dhe elitave myslimane, u kthye në një mjet të dobishëm për të ushtruar presion ndaj kërkesave nacionaliste të shtetit grek, siç ishte krijimi i shkollave shqipe dhe u shfaq për herë të parë pas mesit të viteve 1920.”

Por megjithë këto zhvillime që mund të quhen pozitive, qeveria greke vijoi me politikat e saj shtrënguese ndaj muslimanëve të Çamërisë.

Thembra e Akilit mbeti prona.

Në 13 shkurt 1923 me anë të një dekreti, shteti grek lejoi shpronësimin e pronarëve të tokave me qëllim vendosjen në Çamëri të fermerëve pa tokë si dhe të refugjatëve të ardhur nga Azia e Vogël. Të ardhurit jo vetëm që përfituan nga shpronësimet e tokës, por edhe u vendosën në shtëpitë e muslimanëve.

Një dokument i Lidhjes së Kombëve, i vitit 1926, vërteton shpërndarjen e familjeve të refugjatëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël në territorin e Çamërisë.

Për shembull, në Margariti në atë kohë kishte 400 shtëpi muslimanësh dhe 80 shtëpi të krishterësh. Në shtëpitë e muslimanëve janë vendosur 60 familje emigrantësh grekë, ndërsa në shtëpitë e të krishterëve asnjë.

Në Grykohor kishte 200 shtëpi muslimanësh dhe 100 shtëpi të krishterësh. Por 35 familje emigrantësh grekë u strehuan vetëm në shtëpitë e muslimanëve.

Dokumenti e rrëfen, e zeza mbi të bardhë, se në shtëpitë e banorëve kristianë të Çamërisë nuk është strehuar as edhe një familje e vetme emigrantësh.

Por nuk ishin vetëm masat shtrënguese ndaj pronës dhe popullimi i zonës me emigrantë grekë. Sipas historianit Baltsiotis, kohë pas kohe shteti grek inkurajoi edhe forca paramilitare që të futeshin në territorin e Çamërisë për të kryer akte kërcënimi e dhune me qëllim demotivimin e tyre për të jetuar në këto troje.

“Shteti grek në qendër ishte i paduruar të shtynte popullsinë ‘armiqësore’ që të migronte në Turqi. Për këtë qëllim, ai përdori taktika ngacmuese të cilat kryheshin nga grupet paraushtarake lokale.

Kjo ishte një praktikë e njohur dhe e adoptuar qysh në periudhën e Luftërave Ballkanike. Në raste të tjera ata thjesht i detyronin njerëzit të largoheshin nga vendi, pas vendosjes së ultimatumeve.

Për shembull, deri në shkurt 1925, Administrata e Përgjithshme e Epirit mori përsipër detyrën e kryerjes së një operacioni të posaçëm për t'i bindur ata të largoheshin nga vendi.”

Sipas profesor Baltsiotis, pikërisht kufizimet e vendosura mbi të drejtën për të shitur, marrë me qira apo edhe për të kultivuar tokën, për shkak të konsiderimit të muslimanëve si të “këmbyeshëm”, gradualisht çuan në shkatërrimin financiar të tyre.

Sipas historianëve, në sytë e administratës dhe të popullsisë greke të zonës, perspektiva e qëndrimit të çamëve në Greqi ishte një çështje kohe. Pikërisht ky konceptim do t'i udhëhiqte për një kohë të gjatë veprimet e tyre, deri në shfaqjen e aktit final të dramës.

Vetëm pas vitit 1928 për banorët muslimanë të Çamërisë ka pasur një periudhë qetësie dhe sigurie.

Shteti grek u duk sikur u pajtua me praninë e tyre. Njëkohësisht ishte shfaqur edhe një elitë udhëheqëse muslimane. Ajo kishte lidhje të forta me Shqipërinë, ndërkohë që vendosej në distancë të largët nga sistemi politik i Greqisë.

Përfaqësuesit e Çamërisë kishin arritur të vendosnin kontakte me Lidhjen e Kombeve, të dërgonin ankesa kundër Greqisë, të aplikonin për hapjen e shkollave shqip dhe dërgonin fëmijët të studionin në Shqipëri.

Gjithsesi, situata ekonomike e muslimanëve të Çamërisë, në fillim të viteve ‘30, raportohet e vështirë. Shkak-pasojë ekonomia e dobët dhe politikat e administratës greke shkaktuan nisjen e emigrimit – një fenomen që deri në atë kohë shteti grek ishte munduar ta provokonte me anë të shtrëngimeve dhe dhunës.

Sipas studimit të Profesor Batsiotis, në këtë kohë qeveria greke inkurajonte migrimin drejt Turqisë, ndërkohë që dekurajonte, apo edhe ndalonte migrimin në Shqipëri.

“Dokumentet e ndryshme tregojnë se autoritetet greke ose nxitën zhvendosjen, ose, siç shprehet qartë një dokument, “të gjitha shërbimet tona, por mbi të gjitha Nënprefektura dhe Xhandarmëria e Filiatit dhe Igumenicës po punojnë fort për të përforcuar fluksin e emigrimit”.

Gjithsesi, në vitin 1935, kontaktet me Lidhjen e Kombeve dhe pesha në rritje e shtetit shqiptar, që arriti të përdorte si kundërpeshë minoritetin grek në jug të vendit, mundësuan caktimin e disa mësuesve për të dhënë mësimin e gjuhës shqipe, një numër që me kalimin e kohës u rrit.

Shteti grek i pranoi shkollat shqipe jozyrtarisht, por në baza reciproke dhe si ballancë për shkollat greke që funksiononin në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Himarë.

Në vitin 1936, për të pasur një kontroll më të plotë mbi muslimanët e Çamërisë, shteti grek krijoi një prefekturë të re, atë të Thesprotisë. Këto zhvillime bënë që çamët muslimanë jo zyrtarisht të fitonin një gjysmë njohje si pakicë kombëtare. Në dokumentet e përdorura në këtë kohë etnonimi kalon nga “muslimanë osmanë” në “shqiptarë me origjinë shqiptare”.

Por megjithë realitetin e ndryshëm të krijuar, gjatë viteve 1930-1940 çamët do i lodhte shumë procesi i konfirmimit të pronës.

Liga e Kombeve në këtë periudhë ka marrë një numër të madh ankesash, që përshkruanin kalvarin e vuajtveje të tyre për shkak të mashtrimeve nga zyrtarët grekë.

Ata u kishin kërkuar që të shkonin në kadastrat e Stambollit për të vërtetuar se prona ishte e tyrja, të përkthenin e noterizonin dokumentet në gjuhën greke, të hapnin e fitonin gjyqin në Greqi, e të tjera.

Po sipas këtyre ankesave të dërguara në Ligën e Kombeve, në shumë raste, prefektura sërish i mashtronte duke mos ua regjistruar pronat, pra duke mos respektuar vendimet e gjykatave.

Faktin e provon një dokument i shtetit shqiptar të kohës që përmban ankimet që një grup çamësh kanë paraqitur para Kryeministrit grek Metaksa në 13 qershor të vitit 1937.

“Delegacionet e popullsisë çame të viseve: Filat, Gumenicë, Paramithia dhe krahinat respektive patën vendosë me përfitue nga ardhja e Kryeministrit helenik në Janinë për me i parashtrue rishtas ankimet e formuluara nga parësia e Çamërisë në Athinë, më 15 maj 1937.”

1-Në krahinat e Margllëçit e të Paramithisë janë shpronësuar, veç pasurive tokësore të mëdha edhe kopshte e oborre. Shpërblimi i caktuem, tepër i vogël, nuk ka qenë pague.

2-Shumë familjeve u janë marrë tokat që ata i punojshin vetë, dmth që nuk mund të konsideroheshin çifligje për t’u çpronësue mbas ligjit.

3-Familjes së madhe Fetahenj nga Grikohori i Gumenicës ia ka zaptue komuna ullinjt e don ma i marrë edhe shtëpijat. Mbi këto pasuri të interesuemit kanë tapija prej 300 vjetësh dhe çpronësimi i pasurive të këtilla nuk parashihet nga ligji përkatës....

Tashmë është një fakt i njohur se si në shtator 1940, menjëherë pas nisjes së sulmit të Italisë fashiste për pushtimin e Greqisë, krerët e komunitetit çam u arrestuan dhe u internuan larg, në disa ishuj, përfshirë Kretën.

Të ndërgjegjshëm për dhunën e vazhdueshme që kishin ushtruar ndaj kësaj popullsie, autoritetet greke ishin të bindur se shqiptarët e Çamërisë do të bashkoheshin me ushtrinë italiane. Pra intermini, sipas tyre, ishte një masë parandaluese.

Sipas Profesor Baltsiotis, në retroskeptivë ky veprim është kritikuar, pasi i dha komunitetit mysliman prova të padiskutueshme të perceptimit negativ të autoriteteve greke ndaj çamëve.

“Kjo masë i la ata pa lidership, fakt që ndoshta, gjatë muajve në vijim, ndikoi në sjelljen e tyre kundër grekëve. Kur refugjatët çamë shkuan për të luftuar në krahun e ushtrisë italiane që po pushtonte Greqinë, ata u kthyen kundër popullsisë së krishterë vendase, të favorizuar nga politikat e shtetit grek. Megjithatë, në ditët në vijim ushtria greke ripushtoi zonën, internoi pothuajse të gjithë popullsinë mashkullore çame dhe mbylli sytë para mizorive të kryera nga grekët vendas kundër çamëve.”

Gjatë pushtimit italian të zonës, çamët ishin përpjekur të rifitonin disa nga pasuritë e tyre të paluajtshme si dhe pushtetin që kishin humbur gjatë dekadave të mëparshme.

Duke risjellë një histori të shkruar nga një historian i quajtur Janis Sarras, Baltsiotis tenton të argumentjë se si politikat e shtetit grek, dhe sidomos pushtimi fashist, ndikuan së tepërmi në përkeqësimin e marrdhënieve mes popullsisë çame muslimane dhe asaj kristiane.

Incidenti i sjellë si shembull në fakt rrëfen shumë më tepër, pasi emeton burrërinë e shqiptarëve muslimanë, krahasuar me veprime të pjesës tjetër të popullatës së zonës.

“...rreth 300 myslimanë të armatosur pushtuan fshatin Ka’stri, për t'u hakmarrë për plaçkitjet e ndodhura dy vjet e gjysmë më parë në fshatin mysliman Parapo’tamos (ish-Varfani) nga banorët e fshatrave shqipfolës ortodoksë të Kastrit dhe Agjios Vlasios. Pas tre ditësh negociata në fshat, të dy palët ranë në një marrëveshje. Pjesë e kësaj marrëveshjeje ishte kthimi i kafshëve shtëpiake dhe pjesa tjetër e plaçkës që ishte marrë. Megjithatë, kur plaçka u paraqit para komitetit, muslimanët e Parapo’tamos refuzuan t'i pranonin duke thënë: "Ne erdhëm këtu për vënë të drejtën në vend dhe për të treguar fuqinë tonë" - dhe u larguan nga fshati.”

Masakra kundër popullsisë muslimane në fund të Luftës së Dytë Botërore nisi menjëherë pas largimit të forcave pushtuese gjermane.

Përgjegjëse për masakrën do të ishin forcat e EDES - Liga Kombëtare Republikane Greke, që drejtohej nga Napoleon Zerva, i cili e kishte prejardhjen nga krahina e Sulit, pra me gjak shqiptar në vena.

Sipas Profesor Balstiotis, fakti që një pjesë e çamëve muslimanë ishin bashkuar me ELAS-in - Ushtrinë Popullore Çlirimtare të Greqisë, që drejtohej nga komunistët, shërbeu si një kërbaç shtesë në duart e Zervas.

“Kur gjermanët u tërhoqën, batalionet e guerilëve të EDES-it qëlluan dhe vranë jo vetëm forcat e armatosura të çamëve myslimanë që u dorëzuan, por edhe gra e fëmijë, një praktikë të cilën ata e zbatonin rregullisht kur hynin në fshatrat myslimane. Këto ishin kryesisht rastet për Karvunarin, Pargën, Trikorifon (ish-Spatarin), Filatin dhe mbi të gjitha për Paramithinë ku u vranë rreth 300 persona. Në total u vranë më shumë se 1200 persona. Disa burime shqiptare sugjerojnë se numri është afërsisht 2000. Popullsia myslimane u largua nga vendi në fund të vitit 1944 dhe popullsia e krishterë vendase kontribuoi në këtë eksod duke plaçkitur dhe vrarë, megjithëse kishte raste kur banorët vendas ofruan mbrojtje...”

Rrëfimet e një pjese të çamëve - dëshmitarë të masakrave - që ruhen në Arkivin e Shtetit shqiptar, një pjesë të të cilave historiani Kastriot Dervishi i ka përfshirë në këtë libër, kërkojnë zemër të fortë për ti lexuar.

“Atë ditë Tosho Çifuti me shokët e tij na mblodhi në pllate që ishim gjithsej, burra, gra, fëmijë më se 3500 vetë dhe kështu u nisëm. Andartët na dolën në kodrën e Filatit. Ndanë në një anë gratë dhe në një anë burrat. Burrat i merrnin diku dhe i vrisnin, dikë e thernin me thika e me hanxhar. Një tmerr u fut në mes tonë...

Andartët në këto vrasje kishin marrë edhe gratë dhe fëmijet e tyre, të cilët shihnin një njeri dhe ato e vrisnin. Një mizerje e madhe ishte kur pashë që tre djem, si i lidhën mirë, ju prenë veshët, i nxorrën sytë, iu prenë këmbët, i rropën lëkurën dhe i linin të kërcenin si zogj të lidhur...”

Masakra dhe dëbimi i popullsisë muslimane provuan se shteti grek e kishte pasur qëllim dhe plan të vjetër spastrimin e krahinës së Çamërisë nga shqiptarët – një mundësi që e krijoi Lufta e Dytë Botërore

Që shteti grek kishte plane të vjetra për të arritur këtë qëllim, kjo është pranuar edhe nga historianët.

Profesor Baltsiotis shkruan se politikat e ashpra të ndjekura për çamët muslimanë nuk u zbatuan edhe për minoritetet e tjera, si për shembull me turqit myslimanë të Trakisë Perëndimore.

Napoleon Zerva, sipas tij, qysh nga themelimi i EDES-it, dhe deri në përfundim të luftës, nuk kishte ndonjë plan bashkëpunimi me çamët.

Po kështu, Mark Mazouer, historian britanik, një nga studjuesit më të mirë të historisë së Greqisë, ka dalë në të njëjtin përfundim.

Në librin e tij, “Brenda Greqisë së Hitlerit” ai shkruan se grekët nuk vepruan njëlloj me të ashtuquajturit bashkëpunëtorë të fashistëve. Ata masakruan shqiptarët e Çamërisë, por kursyen vllehët e Thesalisë, edhe pse këta, gjatë pushimit, ishin armatosur nga italianët duke formuar një legjion roman që ishte bërë jashtëzakonisht i urryer për grabitjet dhe krimet.

Dëshmitë e para të çamëve të dëbuar në territorin shqiptar janë mbledhur nga Majori Gay Hudson i ushtrisë britanike, i cili ndihmoi, me trupat e tij, në çlirimin e Sarandës dhe Himarës.

“Gjenerali pyeti: Juve me cilët bënit pjesë? Çamërit përgjigjen: Neve kemi patur 3 batalione me lëvizjen Nacional-Çlirimtare greke. Gjenerali pyet: me cilën organizatë greke? Çamët përgjigjen: Me Ellasin. Gjenerali pyet; në ç’mënyrë ju jeni furnizuar me armë? Ata përgjigjen: Duke luftuar në çeta kemi fituar armë nga armiku. Gjenerali pyet: cilët kanë qenë komandantët që ju masakruan? Ata përgjigjen: Kanë qenë toger Kristo Koçua, Major Ilia Koça nga Palo Fshati dhe kolonel Zotua. Këta gjenerali i mori shënim. Çamërit filluan ti tregonin edhe masakrimet e fundit duke i thënë se, që të besoni, mund të vizitoni prej këtej deri në Konispol dhe do të shihni të gjithë shpellat të mbushura me çamër, të cilat janë mburoja për ta”.

Në rrëmujën e krijuar në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar dëshmohet të jetë treguar apatik përballë gjenocidit dhe shpërnguljes së popullsisë të Çamërisë.

Më të kujdeshëm dhe më njerëzorë rezulton të jenë treguar përfaqësuesit e misionit amerikan në Tiranë, të Drejtuar nga Joseph Jacobs, të cilët u kujdesën, përmes UNRRA-s, që të siguronin ushqim dhe strehim me çadra për rreth 20 mijë refugjatët çamë.

Në fakt amerikanët prisnin që Enver Hoxha t’ua kthente grekëve me të njëjtën monedhë, do me thënë, për kundërpeshë, të përzinte minoritetin grek nga territori shqiptar, por drejtuesi i qeverisë shqiptare ishte krejtësisht larg këtij veprimi.

Më tepër përpjekje në këtë kohë, që çamët të ktheheshin në trojet e tyre, dokumentohet të ketë bërë Lidhja e Kombeve. Ndërsa grekët në të gjitha rastet kanë refuzuar.

Si justifikim sillnin gjendjen e pakontrolluar e zonës dhe konfliktet që sigurisht do të lindnin me pjesën tjetër të popullsisë.

Qendrimi grek lexohet edhe në një dokument zyrtar që përshkruan rezultatet e një takimi që një përfaqësues i Lidhjes së Kombeve ka realizuar me një zyrtar të ambasadës greke të Londrës më 14 maj 1946.

“Ai shpjegoi se në gjatë periudhës së invazionit italian dhe ma pas atij gjerman, çamët morën pjesë bashkë me shqiptarët kundër kombit grek dhe për rrjedhojë opinioni publik i grekëve është shumë i hidhur ndaj tyre, aq i hidhur sa edhe nëse qeveria greke i lejon ata të futen në vend, jetët e tyre do të jenë në rrezik.

Për më tepër, situata në Pire është aq e keqe, saqë është materialisht e pamundur për të marrë brenda 20 mijë varfanjakë”.

Po përse zyrtarët e Lidhjes së Kombeve duhet tu kërkonin grekëve me rixha rikthimin e çamëve në trojet e tyre dhe përse këtë duhet ta bënin me zyrtarët e ambasadës së tyre në Londër?

Si vendoseshin britanikët me faktin e spastrimit etnik të Çamërisë dhe a kishin ata dijeni, apo më tepër se kaq?

Historia thotë se misionet ushtarake britanike të vendosura gjatë Luftës së Dytë në territorin e Greqisë kontinentale jo vetëm që janë përfshirë, por kanë pasur rol përcaktues në fatin e popullsisë çame.

Gjatë kësaj periudhe, Mbretëria e Bashkuar dhe Kryeministri Uinston Çërçill ishin shfaqur jo vetëm si tutorë, por edhe si ëngjëj mbrojtës të Greqisë. Në vitet 1940-1941 ata e kishin ndihmuar shtetin ballkanik të përballonte dhe thyente sulmin e Italisë Fashiste, dhe, të njëjtën ndihmë, madje me forca e mjete britanike në terren, do të ofronin edhe gjatë viteve të Luftës Civile.

Por le të vijmë te thelbi i çështjes dhe implikimi i misionit ushtarak britanik në shpërnguljen e çamëve.

Pikërisht drejtuesi kryesor i këtij misioni në Greqi, Koloneli Kristofer Udhaus me titull, Baroni i Pestë Terrington, njohur si filogrek i përjetshëm, ka pohuar dhe dokumentuar në shkrimet e tij me karakter historik, se masakrat dhe dëbimi i popullsisë shqiptare të Çamërisë ishte ekzekutuar në terren nga forcat e Zervas por me INKURAJIMIN e misionit ushtarak britanik.

I siluruar shpesh për këtë përgjegjësi, Koloneli Udhaus, i cili më pas pati edhe një karriere në politikë, si anëtar i parlamentit britanik, u largua nga kjo jetë pa pendesën më të vogël duke lënë madje edhe një shënim të dedikuar për ngjarjen që ka në brendësi edhe shumë të pavërteta.

“NJË SHËNIM PËR ÇAMËT

Çamët jetonin në cepin veriperëndimor të Epirit Grek, veçanërisht rreth fshatit të madh Filat dhe Paramithi. Nga raca janë pjesërisht turq, pjesërisht shqiptarë, pjesërisht grekë. Feja e tyre është ajo Muhamedane. Ata ishin një komunitet i pasur dhe i veçuar, shumë i urryer nga grekët. Në vitet 1941-1943 ata bashkëpunuan me italianët duke vështirësuar organizimin e rezistencës guerile në atë zonë. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ndonjë prej tyre të ketë marrë pjesë në ndonjë rezistencë kundër armikut. Zervas, i inkurajuar nga Misioni Aleat që drejtohej prej meje personalisht, i përzuri ata nga shtëpitë e tyre në vitin 1944 me qëllim për të lehtësuar operacionet kundër armikut...”

Pra vetë kreu i Misionit Ushtarak Aleat në Greqi pranon se ata e ka inkurajuar Zervën të bënte spastrimin etnik të Çamërisë, duke përfshirë në këtë krim strukturat e shtetit të tij.

Në përfundim të sqarimit të dedikuar, Koloneli Udhaus nuk tregon në asnjë paragraf vrasje të ndërgjegjjes.

“Zonat e Filatit dhe Paramithisë, të cilat i vizitova në korrik, duket se janë 100% greke tani. Ato do të preferonin të qëndronin të tilla. Çamët e meritonin atë që morën, por metodat e Zervas ishin shumë të këqija, ose më mirë, oficerët e tij vartës dolën jashtë kontrollit. Rezultati ka qenë në fakt një zhvendosje e popullsisë, duke hequr një pakicë të padëshiruar nga toka greke. Ndoshta do të ishte më mirë t'i lini gjërat me kaq.

Kristofer Montegju Udhaus, 16 tetor 1945”

Kthyer në amfiteatrin shqiptar të zhvillimeve të pas Luftës së Dytë Botërore, vërtetohet se qeveria komuniste e Enver Hoxhës e ka trajtuar problemin e refugjatëve çamë sikur ata të ishin ca të huaj të bezdisshëm, të cilët nuk meritonin asgjë.

Madje, moskuptimi i momentit historik, mungesa e ndjenjës kombëtare dhe injoranca totale politike, sa duket bënë që komunistët, jo vetëm të pranonin vullnetin e shtetit grek për popullsinë e shpëngulur me dhunë të Çamërisë, por të futeshin edhe në aventura të rrezikshme.

Në këtë periudhë Greqia ishte përfshirë në luftë civile. Konflikti për marrjen e pushtetit kishte ngërthyer në beteja të ashpra, nga njëra anë komunistët - të mbështetur nga Stalini dhe Titua dhe nga ana tjetër nacionalistët, të mbështetur nga britanikët dhe amerikanët.

Pikërisht në këtë periudhë komunistët shqiptarë përpiqen të rekrutojnë çamët e aftë për të mbajtur armë me qëllim për ti futur në territorin grek si forca ushtarake në ndihmë të guerriljeve komuniste greke.

Pra synimi ishte ti përdornin si mish për top - u kërkohej të lufonin e vriteshin për kauzën e gueriljeve komuniste greke dhe kjo nuk kishte asnjë lidhje me rikthimin në territoret e pronat e tyre të humbura, as me ndonjë përpjekje për ti fituar ato.

Çmenduria lexohet në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të Partisë së Punës, të datës 25 mars 1949.

Në mbledhje, anëtarja e Byrosë, Liri Belishova, ankohet dhe deklaron se vetëm 30 çamë kanë pranuar që të shkojnë në luftë dhe se anëtarët e Partisë e kanë marrë këtë çështje pa entusiazëm.

Ndërsa Mehmet Shehu tenton të japë një zgjidhjeje sipas stilit të tij. Ai propozon që çamët të merren forcërisht dhe të dërgohen në Greqi për të luftuar në krah të gueriljeve komuniste.

“Këtë duhet ta bëjmë pa e diktuar kush, brenda një nate, se ndryshe na ikin. Tani, të mos përdorim forcën me ta, se janë shtetas të huaj. Tani tu themi komiteteve të Partisë së rretheve ta lënë këtë çështje në heshtje dhe brenda një nate ti shpiem në kufi.”

Fatmirësisht historia nuk e ka dokumentuar realizimin e një krimi të tillë.

Në vijim komunistët vërtetohet të jenë treguar të pandjeshëm, qoftë me faktin e spastrimit etnik, qoftë shkuar te akomodimi apo ushqimi për refugjatët.

Madje, përjashtuar ndonjë fotografi propagandistike, shteti shqiptar i kohës nuk njihet të ketë shfaqur interes për ta.

Dukumentet tregojnë se 20 mijë refugjatët që u grumbulluan disa kampe, u strehuan në çadrat e ushtrisë dhe u mbajtën me ushqime dhe ndihma të siguruara nga amerikanët e UNRRA-s.

Pamjet e fëmijëve në kampe dhe mjerimi që përcillet, janë vërtet prekëse.

Pandjeshmëria e shtetit shqiptar kundrejt refugjatëve çamë vërtetohet edhe nga një urdhëresë Sigurimit të Shtetit, e marsit të vitit 1953, me anë të së cilës kërkohej organizim i një kontrolli rigoroz për çifutët, dmth hebrenjët dhe çamët.

Ndërkohë, në anën tjetër të kufirit, krejt i pashqetësuar dhe komod, shteti grek e vijoi betejën me çamët edhe pse në mungesë.

“Më 1945 dhe 1946 pasoi ndjekja penale e më shumë se 2100 çamëve, kryesisht meshkuj. Ata u dënuan në mungesë si kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë me Forcat e Pushtimit. Pasuritë e tyre të paluajtshme (ndonjëherë edhe ato të bashkëshortëve dhe fëmijëve) iu nënshtruan konfiskimit të përgjithshëm. Të njëjtat rregulla u zbatuan edhe për pjesën tjetër të çamëve myslimanë, si persona “që braktisën pronat e tyre dhe vepruan jashtë vendit kundër kombit grek”. Këto prona të konfiskuara kaluan në duart e grekëve, dhe jo gjithmonë nëpërmjet mjeteve formale ligjore.”

Investimi më i madh i shtetit fqinj, në këtë periudhë vërtetohet të ketë qenë propaganda për të bindur shoqërinë greke se, me Çamërinë dhe çamët, nuk është bërë asnjë veprim i gabuar.

Sipas profesor Batsiotis, publikimet e kësaj periudhe janë të mbushura fund e krye me të pavërteta. Ai shkruan se mizoritë që kanë ndodhur ndaj popullatës myslimane nuk përmenden në asnjë dokument zyrtar, se çështja çame ishte një çështje e mbyllur për shtetin grek dhe se shteti dëshironte të zhdukte plotësisht çdo prove.

Në librat e publikuar menjëherë pas luftës së dytë Botërore, shkruesit flisnin për një origjinë greke të çamëve, të cilët ishin konvertuar në fenë islame dhe ishin “të detyruar me kohë të mësonin gjuhën shqipe”. Në të njëjtat publikime shkruhej se çamët karakterizoheshin nga prirje të natyrshme kriminale, e të tjera të ngjashme.

Sipas Baltsiotis kjo bëhej me qëllim që në shoqërinë greke të ngulitej ideja se të gjitha tokat që përfshinin Çamërinë ishin të banuara nga grekët, se i gjithë territori grek kishte një histori të pastër greke, që nuk mund të pretendohej nga shtetet e huaja dhe historitë kombëtare kundërshtare.

Sigurisht që e gjithë propaganda e vijuar deri në përfundim të viteve të shekullit të shkuar, kishte si qëllim të justifikonte spastrimin e përgjakshëm të pakicës.

Sipas profesor Baltsiotis, gjërat kanë shkuar në këtë formë që kanë aktualisht edhe për shkak të pozicionimit agresiv të popullsisë çame të besimit kristian.

“Njolla apo turpi i vrasjeve, ose siç e quajmë ne stigma e gjakut, që mban popullsia e krishterë vendase, e ndihmoi administratën që çështja çame të zhdukej absolutisht nga diskursi publik. Ndryshe nga rasti i sllavo-maqedonasve, çamët myslimanë ishin zhdukur të gjithë, pa asnjë shenjë të ndonjë pranie të natyrshme pas Luftës. Duke bashkëpunuar me Forcat e Pushtimit, ata kishin humbur edhe mbështetjen nga të majtët. Për më tepër, të krishterët vendas përgjithësisht përfituan nga dëbimi, përveç faktit se një shumicë e tyre mori pjesë në incidentet e viteve 1944-1945. Për rrjedhojë, institucionet shtetërore e patën të lehtë t'i bënin çamët të padukshëm.”

Historiani pohon se procesi i shuarjes së çdo shenje të ekzistencës së mëparshme të çamëve ka ndodhur në mënyra reale, se menjëherë pas dëbimit të çamëve muslimanë, fshatrat e tyre u ripopulluan nga popullsi grekofone nga zonat malore fqinje si dhe me vllehë. Njëkohësisht u shfarosën edhe të gjitha objektet e kultit. Madje një numër xhamish demonstrativisht u hodhën në erë me eksploziv.

Sipas punimit të Profesor Baltsiotis, shteti grek ka arritur të realizojë një proces aq të sukseshëm të fshirjes dhe errësimit të çështjes së çamëve, saqë edhe sot në televizionet greke, gazetarët dhe spikerët i emërtojnë ata si “pseudoçamë” apo si “të vetëquajtur çamë”.

Njëhohësisht shteti shqiptar i postdiktaturës nuk ka rrëfyer në asnjë rast vizion të qartë përballë kësaj tragjedie.

Vizioni tij ka qenë ashtu si e duan grekët, e dobët dhe i kontrolluar.

Po kështu, një numër shoqatash të vetëshpallura për mbrojtjen e të drejtave të çamëve si dhe një numër peronash që njohin veten për personalitete, janë shfaqur në diskursin publik, ashtu si shteti grek e dëshiron.

Për trurpin e një shoqërie të tërë, sot padrejtësia e madhe e gjenocidit, apo spastrimit etnik, e ndodhur me shqiptarët muslimanë të Çamërisë, është lënë jetime, e zhveshur dhe e mardhur, në mes të udhëkryqit.

Të mbetura në mëshirë të fatit, sot vajtojnë edhe banesëat dhe trojet e tyre në Çamëri, si dëshmi e një padrejtësie të stërmadhe greke dhe pazotësie, po aq të madhe, shqiptare.

https://shqiptarja.com/galeri/11755

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?