Dosje

HiStory/ Ismail Kadare: Si e përdora Enver Hoxhën për të shpëtuar veprën time letrare! Intervista e panjohur e kolosit të letërsisë shqipe

21 Shkurt, 22:53| Përditesimi: 21 Shkurt, 23:05

  • Share

Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88 vjeçare. Përtej respektit për vlerën e veprës së një shkrimtari që tashmë i përket gjithë botës dhe përtej një farë kodi të heshtjes që zakonisht e dikton vdekja, në vendin amë, në Shqipëri, pati edhe një fushatë të fundit të baltosjes.

Ishin sërish i njëjti grup laraman që e kishte përbaltur qysh pas rënies së komunizmit; ca të përndjekur politikë nga diktatura, capak otomanistë, disa katolicistë dhe sigurisht – ziliqarët dhe mediokrët.

Sërish të gjithë nisën tu binin timpanëve të vjetër të akuzave që thonë se me veprën e tij, ai i shërbeu diktaturës së Enver Hoxhës e të tjera.

Pesha e mërisë mbështetet në ndonjë kapitull të romanit “Dimri i Madh”, te ndonjë poemë apo poezi. Ndërkohë që nuk përmenden “Pallati i ëndërrave” apo “Pashallarët e kuq”, që siluronin regjimin komunist në kohërat më të mira të ekzistencës së tij dhe që i kushtuan plot andrralla Kadaresë.

Spartak Ngjela, ish-i burgosur i ndërgjegjjes, njohës i veprës dhe mik i Kadaresë, një nga shqiptarët e pakët që i ka të qarta arsyet e kësaj fushate të sëmurë kundër shkrimtarit dhe veprës së tij: “Kadarenë e kanë goditur mediokrët. Por nuk e kishin me Kadarenë, e kishin me veten. Ata kanë kërkuar të lançojnë veten duke goditur figurën e tij. Pra, ata, duke pasur komplekse parballë veprës, kanë analizuar figurën e tij. Pork jo nuk ndodh në Perëndim. Në Perëndim shohin veprën letrare. Nuk shohin sa burrë I mirë është shkrmtari”. 

Duke u rritur bashkë me sistemin komunist dhe duke e kuptuar atë, Ismail Kadareja sa duket, e ka ditur fare mirë se çfarë rruge duhet të ndiqte një talent i nivelit të tij. Zgjedhjet që mund të bënte ishin vetëm dy; ose të rrebelohej dhe qysh në krijimin e parë të përfundonte në burg, ose në plumb, ose të gjente një zgjidhje të zgjuar për ti dhënë jetë veprës së tij dhe siguruar mbijetesën e saj.

Sipas Spartak Ngjelës Ismail Kadareja u bë komunist vetëm për të shpëtuar veprën e tij. Ai nuk kishte një zgjidhje tjetër.

Ismail Kadareja vendosi të mos sakrifikohej, por të mbijetonte bashkë me veprën e tij, në mes të diktaturës komuniste. Ai e njihte vlerën e artit të tij, e dinte kush ishte krahasuar me shkrimtarët e tjerë.

Por që të mbijetonte ai duhet të gjente, të krijonte një mënyrë, një mundësi, për të pasur dhe për të gëzuar imunitet.

Zgjidhjen e gjeti duke u ulur të shkruante ca faqe heroike për Dikatatorin, ose, e thënë në zhargonin e sotëm, zgjodhi ti hidhte Enver Hoxhës një koskë.

Për herë të parë, këtë dilemë dhe njëkohësisht nyjë të rëndësishme të jetës së tij, Ismail Kadare e ka rrëfyer gjatë një interviste për një kanal televiziv francez, realizuar në vitet e para pas rrëzimit të sistemit komunist, të cilën jua propozojmë në vijim.

Kadare: Si në të gjitha regjimet komuniste, ishte shumë e lehtë të bëheshe shkrimtar, sidomos në fillim, në rini, sepse regjimi i inkurajonte të rinjtë që të shkruanin. Unë kam filluar të shkruaj në moshën 12 – 13 - 14 vjeç, domethënë që ka pasur shumë gazeta për të rinjtë, sepse ishte ana hipokrite. Dhe në të njëjtën kohë, regjimi shpresonte që këta shkrimtarë të rinj do t’i shërbenin më vonë. Ja, pse ishte e lehtë të nisje të shkruaje, dhe më pas, bëhej gjithnjë e më vështirë për të shkruar.

Letërsia duhet të jetë optimiste, për të mobilizuar masat, për të dhënë besim te jeta, për të besuar te socializmi, te klasa punëtore, te doktrina marksiste. Heronjtë e letërsisë duhet të jenë njerëzit e thjeshtë, punëtorët, komunistët, militantët, duhet të jetë e kundërta e klimës së letërsisë dekadente, të jetë e qartë.

Kur isha student, në Moskë, shkrova romanin tim të parë, “Qyteti pa reklama”, që është romani im i parë, që ishte krejtësisht, vërtet, kundër-modeli i realizmit socialist. Nëse mund ta lexoni këtë roman, ju do të shihni në të që të gjithë heronjtë janë anti-heronj, është një roman që ka në qendër falsifikatorët, mashtruesit, prostitutat, sëmundjet veneriane, gjithçka që është e ndaluar, homoseksualët, të gjitha këto janë aty.

Atëherë e kuptova, botova një fragment, kur u ktheva në Shqipëri, botova një fragment nga ky roman në gazetën e rinisë; fragmenti prej tridhjetë faqesh u ndalua menjëherë, sigurisht, gazeta u ndalua, e kuptova që kjo ishte përballja ime e parë me shtetin totalitar, e kuptova që kjo letërsi e lirë nuk shkonte këtu.

Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” më solli vërtet shumë fat. Pikërisht ky romani më bëri të botohem kudo në botë, ai është botuar tashmë në gati 40 gjuhë; fati im letrar ishte i lidhur me këtë roman. E shkrova kur isha 25-26 vjeç, pra, shumë i ri; romani u prit shumë mirë nga publiku shqiptar, por, sigurisht, kritika letrare e priti disi ftohtë, sepse ishte normale, ishte në logjikën e gjërave; sepse në këtë roman, unë kam dy heronj, të huaj, është një gjeneral i NATO-s, dhe një prift, gjë që nuk është shumë normale për letërsinë komuniste. Përveç kësaj, në këtë roman, nuk ka një urrejtje kundër këtyre personazheve, gjë që ishte gjithashtu një nga kërkesat themelore të realizmit socialist: duhet ta urresh armikun. Në këtë roman nuk ka gjëra heroike, ishin më fort episodet e luftës, pak a shumë groteske, episodi më i madh i luftës është episodi i një shtëpie publike për ushtarët italianë, që ishte gjithashtu shumë, gati tabu në letërsinë komuniste. Shkurt, në këtë roman, më e rëndësishmja është se ka një atmosferë shumë të trishtuar, shumë dimërore, gjë që është gjithashtu e çuditshme për këtë letërsi.

Kam shkruar dhe botuar romanin tim të tretë, “Përbindëshi”, që u gjykua menjëherë si një vepër krejtësisht dekadente. Regjimi e gjykoi gjithashtu si shumë të rrezikshme, sepse në këtë roman është shumë i pranishëm ankthi politik. Dhe ai u ndalua.

Unë isha shumë i dëshpëruar. Nuk e kuptoja se çfarë duhet të bëja, duhet të reshtja së shkruari, ose duhet të bëhesha shkrimtar konformist.

Më kanë kritikuar shumë herë, pse Kadare nuk shkruan për jetën socialiste, pse është gjithmonë ose në tema të të shkuarës, ose të dyshimta, si gjenerali që kërkon të vdekurit, ose si ai “Përbindëshi” i famshëm i luftës së grekëve kundër trojanëve, etj; atëherë e kuptova që isha i detyruar të shkruaja diçka për jetën bashkëkohore, domethënë, për ta paguar këtë çmim dhe për të qenë i lirë, për të qenë i lirë, dhe për të bërë atë që doja më vonë, për të thënë “mjaft, kam shkruar diçka bashkëkohore, unë nuk jam kundër socializmit”. Atëherë, më erdhi ideja, “a është e mundur të përshkruaj këtë konflikt ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik”.

Kam përshkruar në romanin tim, thuajse kam riprodhuar me besnikëri dialogët e Hoxhës me Hrushovin. U habita për një nivel mjaft të mirë të gjithë kësaj bisede, dhe vura re që diktatori ynë nuk ishte aspak më pak inteligjent se ata, përkundrazi. Nëse e lexoni, me pak fjalë, grindjen që u zhvillua, ai thoshte: “Nuk dua të jem vasal i Bashkimit Sovjetik, as shërbëtor. Unë jam kryetar i një shteti të pavarur”. Dhe të tjerët thoshin “Ti ke tradhtuar Bashkimin Sovjetik, ke tradhtuar komunizmin, je shitur te perëndimorët.” Pra, e shihni, akuzat janë absurde. Ç’ishte kjo “Ti ke tradhtuar Bashkimin Sovjetik”?

Jean-Paul Champseix: “Dimri i madh” është shkruar në vitet 1970-1972. Kjo periudhë është e rëndësishme, pasi revolucioni kulturor, i frymëzuar nga Kina, që kishte filluar më 1967, është qetësuar; megjithatë, shkatërrimet e tij janë të mëdha, dhe Kadare, përmes letërsisë, mendon se mund ta ndryshojë tiranin që ai të afrohet me Perëndimin. Atëherë, ai shkruan një roman që është i shumëkuptimtë, që është një bast tejet i rrezikshëm, sepse ai do të japë vërtet një imazh shumë lëvdues të tiranit, duke modifikuar madje të dhënat historike, pasi prishja nuk është më ndërmjet BRSS dhe Kinës, por vetëm ndërmjet BRSS dhe Shqipërisë, por dhe, në të njëjtën kohë që kryen këtë përpjekje për të ndryshuar tiranin, ai përshkruan vërtet Shqipërinë në një mënyrë shumë realiste, duke treguar spiunët e Partisë, që janë jashtëzakonisht të ashpër, duke treguar mjerimin, trishtimin e Shqipërisë, vështirësinë e pushtetit për të dhënë informacione të vërteta, ai tregon aty të gjithë propagandën e një pushteti që e mban peng popullin, dhe është e vërtetë që kjo vepër është mjaft e çuditshme, në Lindje kemi parë shumë pak një përshkrim të tillë të një vendi.    

Kadare: Ai donte shumë të figuronte në një roman, që portreti i tij të ishte aty, përballja e tij me liderët e tjerë komunistë, pra, për të, që, si të gjithë kryetarët kanë anën e tyre të mendjemadhësisë, ishte vërtet një ëndërr, të ishte në një roman, të ishte personazh historik në një roman, kjo ishte, besoj. Dhe, edhe mbrojtja e tij ishte shumë e hollë, ai nuk tha që “Kadare ka të drejtë”, jo, ai nuk u tha militantëve që “ju nuk keni të drejtë”,  ai u tha “ju keni të drejtë, por duhen kuptuar shkrimtarët, ata janë qenie kështu, nuk janë si ne, ata nuk janë të qartë, dhe, përveç kësaj, nëse e dënojmë Kadarenë, sovjetikët do të mendojnë: ja, ne e kontrollojmë Shqipërinë, ne jemi shumë të fortë atje”. Pra, e shihni, ai bëri një lloj kompromisi, i qetësoi militantët, dhe mua, më la të lirë, gjithashtu fitoi simpatinë e të gjithë intelektualëve të Shqipërisë.

Tri herë, vetë Alia, Ramiz Alia, më bëri një pyetje, për shkak të një poeme “Ju pyes, shoku Kadare, si dhe pse i keni shkruar këto rreshta, ç’doni të thoni me këtë që “burokratët tanë i kanë duart me gjak”. I thashë “Nuk e di”, sepse ishte shumë e rrezikshme. Dhe ai përsëriti: “Burokratët, ne e kemi luftuar burokratizmin, burokratët janë anëtarët e partisë komuniste, janë zyrtarët, janë ministrat, janë drejtorët e drejtorive. Pra, si keni guxuar të thoni që ata janë kriminelë. ”Dhe unë u përgjigja për herë të tretë “Nuk e di”, sepse nuk mund të gjeja vërtet një përgjigje tjetër. Ai nuk mund të më dënonte, për shkak të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, atëherë, mendoj se më fort, ai donte të kënaqte të gjithë ata militantë të partisë, ata bolshevikë që kërkonin që unë të dënohesha.

Dua të saktësoj se ky ishte një lloj dënimi absolutisht shumë i lehtë, në krahasim me dënimet e vërteta tragjike të kolegëve të mi, ky ishte vërtet një lloj internimi, mjaft i dykuptimtë, madje do të thosha disi surealist, sepse askush nuk e dinte me saktësi sa kohë do të më duhej të qëndroja këtu. Sigurisht që isha i trishtuar, sepse isha i vetëm këtu, të gjithë ishin armiqësorë, askush nuk fliste me mua, të gjithë më shihnin kështu me sy të habitur. Ata e dinin që isha dikush i ardhur këtu, sepse shteti, regjimi nuk e donte.  

Në një vend ku ka probleme të rënda politike, siç kishte Shqipëria nën komunizmin, të gjitha këto legjenda të së shkuarës janë një thesar i paçmuar për ta ndihmuar popullin të ruajë ekuilibrin e tij shpirtëror. Legjendat e mëdha, mitet e mëdha të lashtësisë ishin antidoti më i mirë kundër propagandës së tmerrshme, të frikshme komuniste, që fshinte gjithçka.

Jean-Paul Champseix: Kemi pyetur veten “a nuk është restaurimi i një ikone një tipar i nacionalizmit?” Dhe aty duhet parë mirë që ndeshen dy nacionalizma: nacionalizmi i Enver Hoxhës është një nacionalizëm krejt i veçantë, në masën që Enver Hoxha e urren Shqipërinë, e urren historinë shqiptare, dhe nëse stalinistët frymëzohen gjithashtu nga Mustafa Qemal Ataturku, pastaj nga Mao Ce Duni i revolucionit kulturor, me qëllim që, në një farë mënyre, të shkatërrojnë kulturën tradicionale shqiptare. Dhe Kadare do të ndërmarrë një betejë për t’iu kundërvënë kësaj, ai do të përpiqet, në veprën e tij, të restaurojë një Shqipëri tjetër që diktatori është duke e eliminuar. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se ka një nacionalizëm të Kadaresë, veçse duhet vërejtur që në veprën e tij nuk ka urrejtje.

Anne Tronche: Është një diktaturë që ka një përmasë tërësisht paranojake. Domethënë se, në thelb, vërtet, duhet gjithmonë të dëgjosh, duhet gjithmonë të interpretosh, ndaj dhe rëndësia e interpretimit në “Pallatin e ëndrrave”, për shembull. Interpretuesit janë pikërisht ata që do të pikasin synimet anti-regjim, përmes një ligjërimi që do të duket tërësisht i pafajshëm, tërësisht neutral. Pra, është ndërtimi i një universi paranojak, dhe do të thosha është një demiurgji në këtë kuptim, është një demurgji e vërtetë dhe, meqë po flasim për “Pallatin e ëndërrave”, ka diçka që më bën shumë përshtypje në “Pallatin e ëndrrave”, është përmasa e arkitekturës, gjithashtu. Kur heroi shëtit në rrugë, ai ndihet i përgjuar nga shtëpitë, sepse janë jo vetëm dëgjimet, por janë edhe vetë shtëpitë që vështrojnë, që ju vështrojnë, dhe që përpiqen të zbulojnë sekretet tuaja.

Kadare: Të gjithë ishin në ankth, askush nuk ishte i mbrojtur nga represioni, absolutisht, të gjithë kishin frikë. Ky është ligji themelor i diktaturës. Domethënë, të bënte një lloj represioni ndonjëherë logjik, ndonjëherë ilogjik. Jepeshin goditje, domethënë sipas logjikës së diktaturës, për dikë që dihej që ishte liberal etj., por ndonjëherë goditej dhe shpesh në një mënyrë krejtësisht joracionale, për të dhënë përshtypjen që goditja diktatoriale ishte e njëjta gjë si fataliteti i të lashtëve.

Jean-Paul Champseix: Besoj se Kadare ndoshta pati frikë, pasi dihet që ai figuronte në listën e zezë dhe se një aksident mund të ndodhte mjaft shpejt. Atëherë ai u largua, duhet theksuar, vërtet në çastin e fundit, në fund të vitit 1990, sepse Kadare nuk deshi të ishte një shkrimtar në mërgim, ai ka dashur gjithmonë të jetonte në vendin e tij dhe të shkruante sa të ishte e mundur për popullin e tij. Pra, Kadare ishte në të vërtetë një njeri i vetëm që mund të mbështetej vetëm te vetvetja, dhe, edhe kjo, ishte diçka paksa e vështirë për t’u kuptuar nga kritika franceze, që ka qenë shpesh e padrejtë, ose duke e cilësuar Kadarenë si shtyllë të regjimit, gjë që nuk ishte e vërtetë, qoftë duke e cilësuar si njeri që përfitonte nga jeta e luksit në Tiranë.

Besoj se duhet vlerësuar që Kadare ishte një nga të rrallët që, me veprat e tij, e luftoi diktaturën nëpërmjet letërsisë, pra, mund të diskutohen përmasat e betejës, dhe të thuash që një betejë letrare është diçka e paktë, por, megjithatë, beteja nuk mund të vihet në diskutim.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 21/02/2025 23:54

    /U be komunist vetem te shpetonte vepren e tij.Ai nuk kishte nje zgjidhje tjeter./-thote Spartak Ngjela.Eh more z.Ngjela, po kur Kadare vendosi te kerkonte strehim politik ne France e //te arratisej// ne nje kohe qe te gjithe e dinim qe Ramiz Alia e pushteti i tij ishin si nje qen plak pa dhembe,ose me proteza,kafshimi i te cilit nuk ka me efekt,edhe atehere per /te shpetuar vepren e tij/ e beri?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?