Ritëm dhe gëzim përcollën në sheshin “Skënderbej” hitet e njohura të viteve ’90-të, të grupit suedez, “Ace of Base”. Vokalistja kryesore e grupit, Jenny Berggren solli drejtpërdrejt për herë të parë para publikut shqiptar një koncert në kuadër të Javës së Kulturës Suedeze, ndërkohë që ajo ‘surprizoi’ edhe me interpretimin e një kënge në shqip.
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar të sjell në këtë koncert Jenny-n e ‘Ace of Base’, një nga grupet muzikore suedeze më të suksesshme të të gjitha kohërave, që interpreton për herë të parë në Shqipëri. Mendoj që të gjithë njerëzit që dëgjojnë këtë muzikë e shoqërojnë me rininë, lumturinë, dashurinë.”, - tha ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Strom.
Shumë nga të pranishmit në sheshin “Skënderbej” e lidhin këtë koncert me ndjenjën e nostalgjisë, pasi në kohën kur dëgjonin këto këngë ishin të rinj.
“Kemi dhe nostalgji, duke qenë se të dyja kemi jetuar edhe në Suedi. Është një grup shumë nostalgjik për ne dhe do ta dëgjojmë me shumë kënaqësi. Pothuajse të gjitha këngët e ‘Ace of Base’, hitet e mëdha i dimë, kështu që do të këndojmë bashkë me Jenny-n.”, - u shpreh një grua.
“Bëhet fjalë për një grup shumë të njohur suedez. Unë jam brezi Millenium dhe ne jemi rritur me këngët e tyre, kështu që mezi po pres t’i dëgjoj.”, - tha një tjetër.
“Ne jemi rritur me 'Ace of Base'. Gjithë këngët e tyre janë shumë të bukura, prandaj kemi ardhur edhe sot këtu, ta shijojmë dhe shohim nga afër se kemi vite që dëgjojmë këngët e tyre.”
I pranishëm mes publikut ishte edhe Bardhyl Kokalari, ish ambasador i Suedisë në Shqipëri, i cili tashmë prej vitesh jeton në Stokholm.
“Është shumë interesante për mua se në rininë time dëgjonim dhe shihnim në televizor përmes Rai Uno-s, “Abba”-n, “Ace of Base” dhe “Europe”. Na pëlqenin shumë, jo vetëm si muzikë, por dhe si përmbajtje. Jam shumë i gëzuar që grupet suedeze të vijnë, që dhe publiku shqiptar t’i prekë nga afër këto grupe, që për rininë dhe brezin tonë ishin një ëndërr, që t’i shikonim.”, - tha ai për "Report TV".
Koncerti i Jenny-t të “Ace of Base” është vetëm një ndër aktivitetet e programuara të mbahen gjatë Javës së Kulturës së Suedisë, e cila mbyllet këtë të mërkurë me një aktivitet dedikuar biçikletave dhe sigurisë në trafik.
Komente
