Redon Leka, 21-vjeçari i cili tentoi të prishte performancën e këngëtarit Goran Bregoviç duke hedhur kapsollë me gaz lotsjellës, gjatë Festës së Birrës në Korçë, është lënë në burg ditën e sotme nga Gjykata. Seanca u mbajt sot në orën 10:30, ndërsa ishte prokuroria që kërkoi masën e sigurisë "arrest me burg".
Redon Leka u vu në pranga po ditën e incidentit, më 23 gusht, ndërasa përpjekja e tij dështoi, pasi koncrti i Bregoviç nuk u ndalua. Bregoviç vijoi këngën dhe pas disa minutash gjithçka u kthye në normalitet.
Pjesëmarrja e këngëtarit serb në festën e Birrës në Korçë ngjalli jo pak polemika, ndërsa disa e lidhën atë me autorin e këngës që njihet si himn për masakrat serbe në Kosovë, gjatë 1999, “Kallashnikov”.Vetëvendosja, që u shfaq si një nga kundërshtaret më të fortë të koncertit në Shqipëri të Bregoviç, përmes selisë në Tiranë, mohoi të fshihej pas incidentit.
Megjithatë, përtej debatit dhe incidentit në koncertin e Bregoviç, qytetarët shijuan për 5 natë radhazi një muzikë të mirë, nën shoqërimin e birrës. Edhe këtë vit, 5 netët e feste kulmuan me bum turistësh të cilët tejmbushën terminalin e autobusëve dhe Pazarin e Vjetër të Korçës, si dy vendtakimet e përhershme.