Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë ndaj 47 vjeçarit Saimir Rrapallari, i cili rrëzoi bashkëshorten nga kati i dytë i banesës.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Patos, ku Saimir Rrapallari ka hyrë në shtëpinë e ish bashkëshortes se tij E. Sulejmani pa pëlqimin e saj, e ka keqtrajtuar dhe e ka rrëzuar.
Ndërkohë 38 vjeçarja ishte ndarë nga burri një vit më parë dhe tashmë është pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata. Ajo ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve.
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.
Saimir Rrapallari ka pretenduar se akuzat janë sajesa nga ish bashkëshortja. Ai thotë se kishte nënën sëmurë dhe kishte vajtur për të marrë vajzën e tij. 47 vjeçari ka deklaruar se E. Sulejmani është hedhur vetë dhe se vajza është manipuluar nga e ëma.
Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata ka vendosur që ta lërë në burg.