Në datën 9 shtator Nelson Hysa shënoi fitoren numër 11-të në boksin profesionist, në po kaq ndeshje të zhvilluara. Boksieri shkodran hodhi në tapet me "knockout" rivalin nga Argjentina, Maximiliano Alejandro Sosa, kjo pas vetëm dy minutave në raundin e parë të zhvilluar në Luksemburg.
Tanimë pas kësaj paraqitje shkodrani është i 66-ti në renditjen e boksit në botë, duke mbajtur titullin e kampionit të botës në WBC për peshën mbi 99 kilogramë.
Për mediet, Hysa tregon se synimi i radhës është të futet brenda vitit në 50 më të mirët e këtij sporti, teksa në fundjavë do suksesin me Vllazninë në turneun e kampionatit kombëtar që zhvillohet këtë fundjavë në Tiranë.
"Oreksi vjen duke ngrënë, sot jam i 66-ti në listën boterore, por po premtoj publikisht që brenda këtij viti unë do të jem i renditur në 50-shen më të mirë të botës. Ky është synimi im”, tha Hysa.
Sa i takon kampionatit kombëtar që do zhvillohet në Tiranë këtë fundjavë, Hysa shton se do i japë Vllaznisë titullin e 25-të kampion.
"Nga kjo palester kemi dalë të gjithë dhe boksi olimpik është 'dashuria ime e parë'. Padyshim që do të jem në ring duke përfaqësuar Vllazninë edhe në këtë kampionat duke synuar t’i japim asaj titullin e 25-të kampion, ndërkohë që në aspektin personal do të jete titulli i 17-të", tha Hysa mes të tjerash.