Minuta Zero në Report TV diskutoi edhe këtë mbrëmje mbi zhvillimet e Euro 2024. Së bashku me Andi Kapxhiun dhe Ogerta Spahiun, në studio ishte edhe specialisti i futbollit, Andrea Marko.
Ai tha se Holanda kërkon finalen pas suksesit në 1988, teksa këtë mbrëmje në 21:00 luajnë kundër Anglisë në gjysmëfinale. Nga ana tjetër, për eliminimin e Francës, Marko tha se përgjegjësia është e Deschamps.
"Gjermania dhe Dortmundi sot janë portokalli. Nga 1988 Holanda nuk ka një finale dhe dëshiron të jetë aty. Nga ana tjetër Spanja e meritoi finalen sepse ka gjashtë fitore radhazi. Yamal është shumë lart, nëse të tjerët janë në tokë.
Spanja në finale dhe Franca jashtë? Nuk e japin statistikat ecurinë e një ndeshje. Ishte një ndeshje deri në kufijtë e së barabartës. Nuk pajtohem me Deschamps që tha se shënuan shpejt dhe u tërhoqën. Të mos dish të menaxhosh këtë situatë nuk shkon.
Deschamps dje gaboi, e la Griezmann pas dhe nuk ishte nga minuta e parë. Ai e njeh ekipin spanjoll, luan me Atl. Madrid dhe duhej nga minuta e parë. Griezmann edhe në 2016 dhe 2018 ka qenë kyç.
Spanja? Ka raste që dilnin jashtë anës taktike, kjo për shpejtësinë e lojës. Goli i Yamal ishte fantastik, ka dy vlera. Barazoi ekipi dhe u rrit entuziazmi në ekip. Futbollistët në këtë moment u bënë tifozë. Gola si i Yamal i kemi parë edhe nga Jasir Asani", tha Andrea Marko.
Spanja është finalistja e parë e Euro 2024, duel që luhet më 14 korrik në orën 21:00 në Berlin. Ndërkohë finalisti i dytë del sot nga çifti Holandë - Angli.