Policia holandeze ka zbuluar një dhomë torturash e përdorur nga një bandë kriminale që merrej me trafik droge në Brabantin Verior, afër kufirit me Belgjikën
Brenda saj u gjetën sharra, gërshërë të mëdha, pinca, dalta, çekiçë dhe mjete të tjera të torturës, kurse policia ka arrestuar 6 persona me akuzën e planifikimit të rrëmbimeve.
Përveç mjeteve të torturës, policët zbuluan edhe karrige dentisti, tela dhe pranga të fiksuara në tavan dhe dysheme.
Dhoma e torturës ishte ngritur brenda njërit prej shtatë kontejnerë të anijeve dhe ndodhet afër një vile antike të shekullit të tetëmbëdhjetë, e cila vizitohej shumë nga turistët. Prandaj, për të mos lejuar që britmat e viktimave të dëgjoheshin jashtë, muret ishin izoluar me fije tekstil dhe lesh xhami.
Mes të arrestuarve është edhe një 40-vjeçar, i cili dyshohet se është kreu i organizatës kriminale. Burri, me origjinë nga Haga, ka një histori të gjatë të trafikut të drogës.
Prillin e kaluar, policët arritën të përgjonin disa nga mesazhet e tij zanore gjatë një bisede në të cilën ai fliste për plane për rrëmbime, tortura dhe kamuflazhe përmes uniformave të rreme policore, jelekë antiplumb, pistoleta dhe pranga.
Më 22 qershor, policia kreu disa kontrolle në trembëdhjetë vende dhe arrestoi disa persona në disa qytete të Holandës me akuzën e planifikimit të rrëmbimeve. Agjentët sekuestruan gjithashtu tre furgonë të vjedhur dhe dy makina BMË, kurse në një banesë në Roterdam sekuestroi edhe 24 kilogramë tableta Ecstasy, njëzet armë dhe një variant kinez të kallashnikovit AK-47.