Kryetarja në ikje e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ngriti shqetësimin për fenomenin e mbipopullimit në paraburgime, duke theksuar se respektimi i të drejtave të të ndaluarve nuk është çështje buxhetore, por kushtetuese dhe ligjore dhe se numri i arrestimeve nuk mund të masë suksesin në drejtësi.
Teksa mori pjesë në aktivitetin e mbështetur nga Këshilli i Evropës me temë "Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standarteve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri", Zaçaj u shpreh se kufizimi i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i mbështetur në garanci procedurale, sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.
“Ne nuk mund dhe nuk duhet të matim suksesin e sistemit të drejtësisë me numrin e arrestimeve, nëse këto masa nuk respektojnë Kushtetutën apo standardet evropiane”, tha Zaçaj.
Duke cituar Benjamin Franklin: “Kush sakrifikon lirinë themelore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk meriton as lirinë dhe as sigurinë.”, Zaçaj u ndal të theksonte se drejtësia nuk mund të ndëshkojë autorët e shkeljeve në dëm të garancive procedurale dhe të të drejtave themelore të individit.
“Fuqia e drejtësisë nuk qëndron te dënimi, por te legjitimiteti dhe legjitimiteti lind nga respektimi i të drejtave, edhe kur kjo është e vështirë - sidomos kur është e vështirë.”, – i mëshoi fjalës së saj kreu i Kushtetueses duke kujtuar se shoqëria nuk ka nevojë për “drejtësi të shpejtë në dëm të drejtësisë së drejtë”.
Zaçaj përgëzoi Këshillin e Evropës për këtë nismë dhe siguroi mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese për forcimin e rolit të gjyqësorit si garant i lirive themelore të qytetarëve, duke theksuar se drejtësia nuk matet me numrin e arrestimeve, por me respektimin e të drejtave dhe legjitimitetin e vendimeve.
Gjykata e Lartë do të mblidhet më 30 shtator për të zgjedhur mes Asim Vokshit, Naureda Llagamit dhe Florian Ballhysës, si tre emrat më të pikëzuar nga KED për postin e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Anëtari i ri do të zëvendësojë Zaçajn vetëm si anëtare dhe jo si kryetare e kësaj gjykate.
Komente

Po moj zonje keni mbledhur aty persona qe duhet te jene larg drejtesise , vendim dhe edhe per hajdutin , vrasesin sali Largohu sa me pare .
Përgjigju