Politikë

‘Lamtumira’ e Zaçajt: Zbatoni vendimet e Kushtetueses! Spiropali: Të jenë më të qarta! Gonzato: Bëni drejtësi që të hyni në BE

14 Korrik, 10:44| Përditesimi: 14 Korrik, 14:55

  • Share

Pak javë para se të largohet nga Gjykata Kushtetuese, kryetarja Holta Zaçaj mblodhi krerët e institucioneve dhe diplomatët për tu prezantuar Udhërrëfyesin, një dokument që duhet të ndihmojë ligjbërësit dhe ligjzbatuesit. Apeli kryesor i drejtueses së Kushtetueses, ishte: të mos injorohen vendimet e kësaj gjykate.

"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar. Ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. Kjo vlen për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet, përfshirë dhe ato gjyqësore, krijojnë dhe ato konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues, kjo minon vetë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut, u shpreh Zaçaj.

Në të njëjtin panel, foli edhe kryetarja e Kuvendit, institucion i cili nuk ka zbatuar vendimet e Kushtetueses në të paktën dy raste, duke refuzuar t’ia kalonte Gjykatës çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Por Elisa Spiropali kishte një shpjegim tjetër pse Parlamenti nuk i është bindur gjykatës.

"Inkurajoj Gjykatën Kushtetuese të shprehet qartë për çështje që lidhen me funksionimin e saj, përfshirë edhe çështjen e afateve të mandateve të anëtarëve. Qartësia ligjore per te shmangur ndikimet, keqkuptimet apo influencat jashtë saj, është thelbësore për forcimin e besimit publik dhe për funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve", tha ajo. 

Komisioni Evropian e kritikoi Kuvendin e Shqipërisë në raportin e fundit për faktin se nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës, duke kujtuar se në përplasjen mes palëve Komisioni i Venecias i kishte dhënë të drejtë Kushtetueses. Ambasadori i BE-së Gonzato përforcoi mesazhin e Unionit. Gonzato e vuri theksin të drejtësia si një ndër kushtet për integrim në BE. Ai tha se drejtësia që duhet të jetë e prekshme për qytetarët.

Vetë Zaçaj u vu në fund të vitit të shkuar në qendër të kritikave për mandatit të saj. Në përplasjen me Gjykatën e Lartë, ajo u tërhoq, dhe vetë trupa e Kushtetueses, njohu faktin se duhej deklaruar përfundimi i mandatit të saj në këtë gjykatës.

Në përfundim të aktivitetit,  kryetarja në largim i Gjykatës Kushtetuese, tha se vetëm dialogu e zgjidh ngërçin mes institucioneve.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese garantojnë ekuilibrin mes pushteteve.

Ora 12:43
Spiropali: Vendimet e Kushtetueses, kontribut për forcimin e shtetit të së drejtës! Në tetor, organizojmë Konferencën ndërkombëtare me fokus reformën në drejtësi

 

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në prezantimin e Vëllimit të Dytë të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, tha se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike dhe anëtarësimit në familjen europiane. Ajo theksoi edhe rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe kontributin e saj në forcimin e shtetit të së drejtës në tërësi. 

“Ky udhërrëfyes nuk është vetëm një përmbledhje teknike, por një burim referimi për të gjithë aktorët institucionalë dhe ligjorë, me qëllim ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të parashikueshëm dhe më efektiv, në funksion të qytetarëve. Për Kuvendin e Shqipërisë, ky udhërrëfyes shërben si një mjet i vlefshëm për të garantuar përputhshmërinë e legjislacionit me Kushtetutën dhe për të forcuar rolin mbikëqyrës të tij në një sistem demokratik.”, tha Spiropali. 

Spiropali kërkoi qartësi ligjore mbi çështje të ndjeshme si mandati i anëtarëve të Gjykatës, dhe shpalli organizimin e një konference ndërkombëtare në tetor 2025, për nder të 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës.

“Inkurajoj Gjykatën Kushtetuese të shprehet qartë për çështje që lidhen me funksionimin e saj, përfshirë edhe çështjen e afateve të mandateve të anëtarëve. Qartësia ligjore per te shmangur ndikimet, keqkuptimet apo influencat jashtë saj, është thelbësore për forcimin e besimit publik dhe për funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve. Sot, gati një dekadë pas miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi, kemi arritur një transformim të thellë të sistemit: strukturor, kulturor e institucional. Ky transformim nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë: Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, tha Spiropali.

“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm: Në tetor 2025, me rastin e 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare, e cila do të fokusohet në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese.”, shtoi më tej ajo. 


 
Ajo përfundoi duke riafirmuar angazhimin e Kuvendit për mbështetjen e reformave, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

"Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, forcimin e kushtetutshmërisë, zbatimin e ligjit, luftën ndaj pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut – për një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe profesionale, të ndërtuar mbi fakte, prova dhe standarde ligjore, integritet jo mbi perceptime apo interesa.", u shpreh ajo. 
  
"Ndërkohë, Kuvendi do të vijojë të tregojë kujdesin, vëmendjen dhe angazhimin e duhur për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e kontributeve tona për forcimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë.", shtoi më tej Spiropali. 
 

Ora 11:19
Manja: Të vendosur për të garantuar një drejtësi që i shërben qytetarit

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se Gjykata Kushtetuese është mbrojtësi i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese (Vëllimi II), Ministri Manja u shpreh se ky Udhërrëfyesit përmban masa të forta për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

“Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit.

Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit.

Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

Ai synon: përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, tha Manja.

Manja tha se këto masa janë pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët. Manja u ndal edhe tek procesi i integrimi të Shqipërisë në BE, duke thënë se është një reformë e thellë shoqërore. E në këtë reformë, ministri theksoi se Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç, të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik. Manja u shprej se janë të përkushtuar për ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit.

“Për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv. Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit. Kjo nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”, tha Manja.

Ora 11:15
Ambasadori Gonzato: Drejtësia duhet të duket që po jepet, të arrijë të qytetarët

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka theksuar se drejtësia e dhënë nga gjykatat do të jetë një kontribut i çmuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e prezantimit të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, Gonzato theksoi se është me rëndësi që drejtësia të jetë e dukshme dhe e prekshme për qytetarët.

“Sot nuk është rasti për të rishikuar përparësitë e Reformës në Drejtësi. Megjitatë, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar vlerën e dialogut. Këto elemente janë kyçe që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet e larta të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Ky është një proces i vazhdueshëm.

Drejtësia, jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet. Drejtësia duhet të arrijë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim, dhe vetëm duke patur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë. Dhe për këtë çdo hap ka rëndësi, cdo përpjekje që bëjnë gjykatat kontribuojnë për këtë vizion”, u shpreh ambasadori Gonzato.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    AKU në ‘sitë’, a duhet bërë e njëjta gjë edhe me inspektorate të tjera?