At ZEF PLLUMI erdhi në këtë jetë në gusht të vitit 1924. Martirologu dhe breviari roman, ku përmblidhen gjithë emrat dhe jetët e shenjtëve e të të lumëve të Kishës Katolike, një pjesë prej tyre ndërtuar sipas gojëdhanave mbresëlënëse, nuk e përfshin - jo ende - jetën e tij, por jeta e tij e përmban martirologun dhe gjithë breviarin, si shembëlltyra vetë e mesazhit që prej 1500 vjetësh ato letrat me pluhur yjesh përpiqen të tejçojnë: Mishërimin njerëzor të dashurisë shëlbyese të Zotit të vuajtjeve, për të gjithë të vuajturit në mish e në shpirt, deri kur kësaj bote t'i vijë fundi.
Jeta legjendare e Patër Zef Pllumit o.f.m., që s'është as gojëdhanë, as hagjiografi konvencionale, zuri fill në bjeshkë, mes Shkrelit e Shalës, 96 vite më parë. Qysh herët ajo u vu në shej të martirit, qëkurse pragun e banesës së thjeshtë të vocërrakut e kapërcyen At Gjergj Fishta e At Anton Harapi. Me një gisht drejt qiellit dhe me një pëllëmbë në zemrën e kërthiut, i cili do të bëhej një ditë françeskani simbol i rrethit të nëntë të ferrit komunist, mu si në enluminurat e vëllimeve të vjetra monastike ku rrëfehen bëmat e të Vorfnit të Asizit, këta korifej të besimit e shënuan Zefin me karizmën e dëshmorit. "Ji dëshmitar i kumtuem", pra martir, "gjeje kudo dashurinë e Zotit", pra dëshmo! Dhe duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut, dy të ardhurit e rekrutuan atë ushtar të dritës.
Jeta e tij prej ushtari të dritës, u lidh pazgjidhshmërisht me hetuesitë e nëntokës famëkeqe komuniste e me burgjet e mbitokës fatkeqe shqiptare, aty ku lëngata e trupit bëhej barrë e pambajtshme e trurit dhe ai u përgjigj tue mos lëshu fe e pe!
Kam pasur fatin ta njoh Padren e të shihem dhe flas me të disa herë, e s'e harroj kurrë kur më inkurajoi në betejën për lidershipin e Partisë Socialiste, me ata sytë e tij si zgavra të shpuara nga brenda prej një drite të çuditshme, nën atë zhgunin e tij si lëkurë mali mbi trup, me vështrimin ëmbëlsisht përçues dhe të folurën me tinguj si të kambanares, "veç ti munesh me e krye dekomunistizimin përfunimtar t'asaj partie e t'ksaj shoqnie, prandaj hiç mos u tut n'dasht me i dal për zot ksaj Shqipnie t'ngatrrume!" Komunistët i'a kishin bërë të gjithë nderimet e ferrit, ku e patën kyçur dhe ku e patën sprovuar deri në asht me torturat më speciale, por Padrja nuk i urrente, thjesht i mëshironte, ndërsa komunizmin po, atë as e falte, as e duronte dot. Qeshte Padrja me antikomunistët e kohës, tundte kokën shkëmbore mbi qafën e tretur dhe gjente fjalë mëshiruese, si për të thënë Zoti i faltë se s'dinë çka bëjnë!
Të rrëfyerit e Patër Zef Pllumit, mund të krahasohet vetëm me Shën Augustinin, paçka se ipeshkëvi i madh Hiponës e grishte Zotin duke e hedhur në qiell vështrimin, ndërsa françeskani prej Shkreli e gjente atë "në do këpucë të vjetra mu nën hundën e xhelatit", ku hosta e shenjtë e meshës futej fshehurazi në burgun e Antikrishtit.
Apoteoza e martirologut të tij, fara e besimit të një jete të tërë për me rrnue për me tregue, them se gjendet në çka ka shkruar për ditën e parë pas daljes prej këpucëve të të burgosurit, për të hyrë në liri si ajo hosta në gojën e besimtarit që mbyll sytë për të parë atë s'duket. "Atê natë fjeta aty. Fjeta a nuk fjeta. Në çdo çast që më delte gjumi pvetshëm veten: "Ku jam? I lirë apo jo?..." Kurrgjâ nuk besojshëm. Kur duel dita, u çova dhe thirra:
- Motër!... Motër!...
Nga dhoma tjetër ajo përgjegji:
- Vëlla, vëlla!... asht tepër herët.
- Më ka marrë malli me thanë meshë (...)
Kur e fillova Meshën, zemra m'u çue peshë. Më rrethuen gjithfarë mendimesh (...) E në ç'shekull jena sot?... Pse doktrina e dashunisë gjithmonë do rrijë e strukun prej dhunës?... Mister i madh i historisë njerëzore... Kjava me lot ndër sy. Vetëm me vedi thashë:
"O Zot! E kur do të vijë fundi i kësaj bote?!".
Patër Zefi e ndërroi këtë jetë me një tjetër në vitin 2007, duke i lënë kësaj bote dashuninë dhe këtij vendi shembullin e të jetuarit për me tregue.
Nuk kam cte te them me ,vec faqezi. Hetimet e tua nuk kane asnje vlere.ai eshte denuar me vendim gjukate. Vetem nje gjukate mund ta rehabilitoje.ndaj mos u tall me te. Po pate te ndenjura plotesoja dosjen me dokumenta dhe dergoje gjukatave per fitim te pafajesise. Pastaj BEJ hartime sa te duash.nje kryefashist ne krye te partise socialiste je,asgje me teper
Përgjigju