Është përcjellë sot për në banesën e fundit ish-futbollisti i shquar i Vllaznisë dhe trajner i Kombëtares Ramazan Rragami. Homazhet për 77-vjeçarin, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, u mbajtën në ambientet e stadiumit ‘Loro Boriçi’ ku morën pjesë figuara të shquara të futbollit ndër të cilët edhe drejtues të Vllaznisë.
“Sot përcjellim në banesën e tij të fundit mjeshtrin e madh të sportit, qytetarin, zotërinë, njeriun që i dha qytetit, por të gjithë Shqipërisë emocione të jashtëzakonshme me atë që arriti të bënte ai përmes sportit", tha kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi.
“Nuk është e lehtë për asnjë qytetar shkodran, tifoz futbolli apo edhe qytetar të Shqipërisë që përcjellin sot një nga njerëzit me kontribute në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm në futboll. Ramazan Rragamin nuk ka njeri në botën e futbollit që të mos thotë ‘ishte njeri i mirë. Ishte njeri i shoqërisë dhe i komunitetit sportiv", u shpreh presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Një moment shumë i vështirë për ne sepse jemi rritur me profesorin. Megjithatë jeta kjo është të vjen keq kur përcjell njerëzit e dashur të tuajt”, tha trajneri i futbollit, Amir Grima.
Përveçse me Vllazninë Rragami si futbollist ka qenë pjesë edhe e Partizanit e Dinamos, ndërsa si trajner mbahet mend në Kombëtaren U-21 të cilën në vitin 1983 e renditi të tetën në botë.
Presidenti Ilir Meta ka udhëtuar drejt Shkodrës për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës shkodran të futbollit, Ramazan Rragami.
Ai e cilësoi futbollistin si legjendën e të gjitha legjendave, duke theksuar se do të mbetet përgjithmonë në memorien e tij.
“Nuk mund të mos vija sot në Shkodër për t'i dhënë lamtumirën e fundit, futbollistit legjendë të Vllaznisë dhe Ekipit Kombëtar, trajnerit dhe profesorit të paharruar Ramazan Rragami.
Ndava me familjen e tij të dashur, miqtë, bashkëlojtarët, dashamirësit dhe komunitetin shkodran ngushëllimet më të sinqerta dhe më të ndjera për humbjen e këtij personaliteti, që do të na mungojë të gjithëve dhe me të cilin pata privilegjin të njihesha nga afër.
E kam të vështirë ta kuptoj një vizitë në Shkodër pa e takuar Ramazan Rragamin, po jam i bindur që kjo legjendë si gjithë legjendat do të mbetet gjithmonë në memorien tonë.
Sa herë të kujtojmë atë barazim historik në dhjetor '67, që skualifikoi nënkampionët e botës do të kujtojmë Ramazan Rragamin dhe shokët e tij të skuadrës, që i dhanë emër dhe famë Shqipërisë në Europë.
Sa herë të kujtojmë arritjet e "Shpresës" tonë do kujtojmë Ramazan Rragamin, arkitektin e kualifikimit të saj në 8-të më të mirat e Europës.
Trashëgimia e tij sportive do të shërbejë përherë si frymëzim për fëmijët dhe të rinjtë, që me punë, pasion dhe dashuri për sportin të mund të bëjnë vepra të mëdha dhe të pavdekshme.
Gjithmonë do ta kujtojmë me dashuri futbollistin dhe trajnerin kampion, por mbi të gjitha do të na mungojë njeriu superkampion i vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare.”, shkruan Meta.