Kultura

Homazhe në Teatrin Migjeni në nder të aktorit të madh të humori Paulin Preka! Bashkëudhëtarët në karrierën e tij brilante me lot në sy

8 Shtator 2021, 12:38| Përditesimi: 8 Shtator 2021, 16:36

  • Share

SHKODËR-Mjeshtri i Madh i humorit, aktori Paulin Preka, do të përcillet sot për në banesën e fundit me nderimet që i takojnë. Pasi trupi i tij i pajetë ka ardhur mëngjesin e sotëm nga Italia, homazhet kanë nisur në Teatrin “Migjeni", teksa aktorët e tjerë të humorit në Shkodër e në të gjithë vendin me dhimbje dhe lot në sy i kanë dhënë lamtumirën e fundit. 

"Partneri i 40 viteve më radhë. Sot Shkodër locja i jep lamtumirën e fundit personalitetit të artit shqiptar, Paulin Preka. Një aktor i mrekullueshëm edhe në dramë, edhe në film. Apo edhe me shkrimet e tij për Teatrin e Shkodrës. ", shprehet e përlotur Zyliha Miloti.

"Paulin Preka na ka lanë pasuri të madhe mbrapa. Unë e pata mik, mësues, bashkëpunëtor dhe me thënë të drejtën ai e jetoi jetën dhe spektatori ka për ta pasur ndër mend. Ka qenë shkollë në vete, aktor i dimensioneve të mëdha", ka thënë Sandër Ruçi.

"Një ditë shumë e vështirë sepse humori shqiptar humbi një nga akorët më të shquar të skenës dhe humorit shqiptar. Humba profesorin, kolegun, prindërin", u shpreh e emocionuar aktorja Drande Xhaj.

"Paulini ishte gjithë jetën i qeshur, i mrekullueshëm, me një humor të jashtëzakonshëm edhe në tavolona", tha aktori i njohur Edmond Halili.

"Paulin Preka është artisti që mori zemrën dhe e hodhi në skenë. Ai mbeti gjithmonë i kënaqur", u shpreh mes lotësh Zef Deda.

"Paulini e ka filluar karrierën e vet si aktor dramatik dhe ka qenë i jashtëzakonshëm. Unë mendoj që Paulini ka për të mbetur gjithnjë në kujtesën e brezave prej roleve të tij pafund", tha aktorja Rita Gjeka.

Për aktorin e humorit Besnik Çinari, Paulin Preka nuk u vlerësua aq sa duhet nga shtetit shqiptar , por një gjë të tillë e bëri Italia…..

"Paulin Preka ka lënë shpirtin dhe eshtrat në këtë teatër. Ka hapur siparin  e estradës profesioniste të Shkodrës. Edhe pse u detyrua të largohej shpirtin gjithnjë e ka pasur në Shkodër. Në vend që ta shpërblente vendi i tij, Italia e shpërbleu me pagë", tha Çinari.

Paulin Preka u nda nga jeta 4 ditë më parë. Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij. Preka numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ndërsa ka spikatur me estradën e Shkodrës në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kush ishte Paulin Preka

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj integrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesëmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.

Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë. Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlerësuar  me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.

Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.

1631098250_preka1.jpg

 

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Makiwa71: 10/11/2021 22:58

    Aktor dhe artist i madh.Hyn në plejadën e figurave të paharruara.Kam pas fatin ta njof nga afër.Shpirti ju preftë në paqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?