HOMAZHET/ I biri i emocionuar rrëfen Vladimir Priftin: Me sytë e vegjël zhytur në fantazi, imazhi i fundit i tim ati! Pikturë në zemër, dedikimi gjatë ‘Udhës së shkronjave’

6 Nëntor 2023, 17:20| Përditesimi: 6 Nëntor 2023, 17:56

  • Share

Familjarë, miq e kolegë mbajtën homazhe për regjisorin e njohur Vladimir Prifti, i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 81-vjeçare. I biri dhe kolegët rrëfejnë kineastin në të gjitha dimensionet, me dëshirat, por edhe pengjet e tij.

Pranë Rrugës së Dibrës ku jetoi, regjisorit Vladimir Prifti, i bëhen homazhet e fundit... U nda nga jeta këtë të dielë në moshën 81-vjeçare. Pas një ndërhyrje kirurgjikale shëndeti u rëndua, ndonëse iku nga kjo jetë i përmbushur...

Të afërm, miq, kolegë, dy fëmijët, Bora dhe Keidi janë pranë tij. Ndarja është vetëm fizike. Ata tregojnë se lidhja e tij e fortë me filmin, nuk i privoi asnjëherë nga angazhimi maksimal, përkundrazi të dy këto dashuri ditën të bashkëjetojnë...

“Kujtoj gjatë ‘Udhës së shkronjave’, ku ai ishte tërësisht i zhytur në punë, i mbyllur në studion e tij. Vinin dhe aktorët si Sandër Prosi, që të futeshin sa më mirë në rol, ndërsa unë si fëmijë në atë kohë kërkoja vëmendje. Dhe ai më merte me përkëdheli me duart lart në ajër. Ky imazh i tij , i buzëqeshur dhe i lumtur do të mbetet pikturë në zemrën time dhe ka ndikuar shumë në formimin e personalitetit tim’, thotë i biri Kejdi Prifti.

E nisi karrierën me teatrin, në krah të kolosëve si Piro Mani.

Si regjisor në televizion e ish-Kinostudio më pas ‘AlbaFilm’ dhe ‘Eurofilm’, çdo film i tij diti t’i rezistojë  kohës. Janë mbi një gjysmë shekulli pasuri filmike...

Tentoi të mbështetej në temat historike, për të shmangur ideologjinë komuniste në artin e tij. Por, siç tregon regjisori Osman Mula, nuk kanë munguar as problemet si në rastin e filmit “Udha e shkronjave”, ku perfeksionizmi i Priftit, i linte hapësirë dyshimit për qasje kundër rrymës..

Në postdiktaturë krahas filmit “Dasma e Sakos” realizoi kryesisht dokumentarë, si “Skënderbeu”, ku bashkëpunoi me aktoren Roza Anagnosti.

“Ishte një artist, bashkëshort, baba, mik i mrekullueshëm. Bashkëpunuam me të për dokumentarin ‘Skënderbeun’, donte ta vijonte, po s’kishte financim!”, rrëfen aktorja Roza Anagnosti.

Vladimir Prifti ishte ‘sqimatar’ edhe për bashkëpunëtorët e tij, duke nisur që nga përzgjedhja e skenarëve.

Krahas merakut për ruajtjen e filmave, Prifti mbarte edhe të tjera ‘pengje’ lidhur me ngërçet e kinematografisë shqiptare sot.

Regjisori sa ‘avanguard’ dhe antikomformist përcillet për në banesën e fundit në Sharrë këtë të martë.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Plaku: 06/11/2023 19:24

    Ngushëllime familjes.Sa keq që dhe në mortë futet politika,gjynah nga zoti për këta njerëz që nuk njohin ditë morti.Tek këta njërëz të artit nuk edi ku e kanë gjetur atë frymëzim që kan realizuar tërë ato VEPRA TË MËDHA NË TË GJITHË FUSHAT E ARTIT.MJERË HIPOKRITËT.I PËRJETSHËM KUJTIMI I VLADIMIRIT.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?