Foto ilustruese

HOMO UNIVERSALIS / Koha e artë kur njeriu rilindi

5 Tetor 2022, 08:47| Përditesimi: 5 Tetor 2022, 08:49

  • Share

Provoni të mendoni një shkencëtar, arkitekt, piktor, poet, shpikës dhe matematicien të Rilindjes së hershme italiane. Leonardo da Vinci? Jo, Leon Battista Alberti. Dhe tani mendoni për një arkitekt, piktor, skulptor të po të njëjtës epokë. Mikelanxhelo? Jo, Francesco di Giorgio Martini. Dy shembujt – të zgjedhur mes atyre shumë mendjeve shumëplanëshe që kanë jetuar më shumë se 500 vjet më parë – demonstrojnë shumë mirë se si gjenia leonardiane, në shumë drejtime e pakapshme, është në të vërtetë vetëm maja e ajsbergut e një epoke të shenjuar prej lulëzimit të “gjenive shumëformësh”.

Njeriu universal

Humanizmi dhe Rilindja, domethënë vitet që shkojnë nga mesi i katërqindës e përgjatë të gjithë shekullit pasardhës, ishin një shpërthim i pandërprerë “fishekzjarresh” të mendjes, fryt i kontributit të një ushtrie të vërtetë talentesh në gjendje të luanin në mënyrë të njëkohshme – dhe me rezultate shpesh të jashtëzakonshëm – në tryezën e lojës së dijeve. Homo universalis, i përgatitur në cdo fushë të dijes dhe trashëgimtar i asaj figure që grekët e lashtë e quanin polymathes (“ai që ka mësuar shumë”), nuk lindi rastësisht: ishte pikëmbërritja ideale e një vizioni të botës që, duke aktualizuar fjalët e filozofit grek Pitagora, e shihte njeriun si “njësinë matëse të gjithckaje”, duke iu kundërvënë kështu një Mesjete ku gjithcka vërtitej përreth Zotit. Tek “Libri i kurtizanit”, Baldassarre Castiglione (1478-1529) shkruante madje një listë rregullash (mes të cilave mësimi i artit të bashkëbisedimit) për të aspiruar për këtë status të privilegjuar.

Përtej “recetave të gjenialitetit”, bumi i jashtëzakonshëm i intelekteve superiorë në ata 150 vite të historisë italiane është e vështirë të shpjegohet. Një enigmë për të cilën ngrinin pikëpyetje edhe njerëz të epokës. Për shembull Gorgio Vasari, artist dhe historian arti që për herë të parë përdori termin Rilindje për kohën e tij. Tek libri i tij “Jetët” ai rimerr teorinë e “ajrit” nga greku Hipokrat, për të shpjeguar atë pranverë të mendjeve me “ajrin”, ose më saktë klimën dhe atmosferën.

Disa shpjegime modernë e gjejnë arsyen tek përhapja më e shpejtë e informacionit favorizuar prej teknikave të shtypit të Gutenberg (1450); të tjerë tek periudha me një qetësi relative politike që pasoi Paqen e Lodit të 1454 mes Milanos dhe Venecias, pas një lufte gjysmëshekullore; të tjerë akoma e gjejnë arsyen tek mendimi laik dhe “lidership”-i i ridimensionuar i Kishës (i futur në krizë prej Lorenzo Vallas, i cili në vitin 1440 demonstroi me instrumentat e filologjisë së sapolindur se Dhurata e Konstantinit, që ishte themeli i supremacisë së Romës ndaj kishave të tjera, ishte në fakt false). Të tjerë e gjenin shpjegimin tek zhvillimi i shpejtë i qyteteve italianë.

Megjithatë, po ta vëresh me kujdes, asnjë prej këtyre shpjegimeve nuk është shterues: përndryshe nuk do të kuptohej përse revolucione si kapitalizmi, laicizimi dhe interneti, bashkë me paqen relative, nuk kanë prodhuar në epokën tonë një seri po kaq të spikatur gjenish. Në të vërtetë, shpjegojnë historianët, ishin shkaqe kontribues, por asnjëri i mjaftueshëm për të shpjeguar i vetëm atë lulëzim intelektësh brilantë. Jo vetëm kaq. Qarkullojnë edhe shkaqe më pak të dukshëm, por ndoshta më vendimtarë. Si përshembull përhapja e projektimit, që u hapi rrugë projekteve të detajuar të pallateve dhe kishave, por edhe makinave të jashtëzakonshme për kohën si ato të Leonardos, që megjithatë nuk ishin të vetmet.

Sipas Paolo Aldo Rossi, docent i historisë së mendimit shkencor në Universitetin e Xhenovës, “gjenialiteti i përhapur” në ‘400 kishte megjithatë edhe një shkak më pak fisnik dhe pothuajse të padukshëm: bakterin Yersinia pestis, bartës i murtajës së zezë që mes viteve 1347 dhe 1352 solli vdekjen e më shumë se një të tretës së popullsisë së Kontinentit të Vjetër (afro 25 milionë vetë). “Vetëm në Itali llogaritet të kenë vdekur afro 100 mijë artistë dhe intelektualë”, shpjegon Rossi. “Popullsia e Firences, përshembull, u përgjysmua. Kjo gjë solli në 100 vitet që pasuan një rinovim të madh të punëtorisë, me të rinj artistë që kalonin nga një laborator në tjetrin dhe shpesh herë zëvendësonin mësuesit e tyre, në një klimë ndërkëmbimi dhe një lirie më të madhe shprehëse në krahasim me të kaluarën”.

Në këtë terren pjellor u hodh fara e rizbulimit të teksteve klasikë. Falë eruditëve si toskani Poggio Bracciolini dolën më në fund nga “burgu” i bibliotekave të manastirëve tekste që konsideroheshin të humbur. U pastruan prej pluhurit, pothuajse 1500 vjet më vonë, teoritë arkitektonike të Vitruvit dhe idetë e Ciceronit bashkë me ato të filozofëve grekë. Kërkimet financoheshin prej familjeve të të pasurve të rinj, si Medicit. Madje edhe një disfatë, sic ishte rënia e Kostandinopojës në duart e turqve në vitin 1453, u transformua në një shans të artë: falë imigrimit drejt Perëndimit të bizantinëve të ditur, që largoheshin prej otomanëve, mbërritën në Itali veprat e para të përkthyera nga greqishtja. Bota.al

Rrofshin paganët

Nuk bëhej fjalë për thjeshtë ripeshkim, apo imitim. “Rikthimi në klasicitet ishte vetëm pikënisja për të formuluar një gjuhë të re, shprehje të reja artistike, një konceptim të ri të njeriut dhe të natyrës”, shpjegon Rossi. “Mjafton të mendosh elementë paganë të pranishëm në pikturën e Botticellit, apo rilindjen e matematikës të nxitur prej përkthimit të traktateve grekë të epokës aleksandriane. Ishte kjo risia e vërtetë e epokës, më shumë se sa shkenca dhe kultura arabe, studimet astronomikë dhe filozofikë të së cilës qarkullonin tashmë qysh prej mesjetës.

Një tjetër shenjë dalluese e njerëzve të Rilindjes ishte eklektizmi: Leonardo dhe të tjerët ishin të interesuar për gjithcka, eksploronin botën duke kërcyer nga një fushë e dijes në tjetrën. Edhe kjo ishte e mundur vetëm në atë moment të vecantë, kur nuk ekzistonte ende shkenca moderne, e ndarë në disiplina.

“Ai i rilindjes ishte një mjedis parashkencor. Nga ‘revolucioni’ që shpërtheu në gjashtëqindën prej Keplerit, Galileos, Bacones, Kartezit dhe Njutonit ishin shfaqur vetëm shenjat e para”, sqaron Rossi. “Vetë Leonardo ndonjëherë është mbivlerësuar si inxhinier: shumë prej gjetjeve të tij ishin shumë embrionale dhe disa studime të tij (ata të optikës për shembull) shfaqnin një lloj frike”. Me fjalë të tjera, territori i virgjër ishte shumë i madh dhe si pasojë, eksploruesi ishte në gjendje të zbulonte shumë, por pa metoda.

Të lirë

Kthimi (pozitiv) i medaljes ishte sjellja që nxitej prej një kurioziteti ndaj gjithckaje, ajo hapje totale që stimulon eksperimentimin në të gjithë drejtimet. Në një figurë si Girolamo Cardano gjejmë përshembull të bashkuar mjekun që përshkruante i pari ethet tifoide, matematicienin që coi përpara algjebrën dhe inxhinierin. “Shkenca e hiperspecializuar e sotme është e lidhur me rezultate specifikë të tregut, ndërkohë që ajo e asaj kohe ishte e lirë: matematicieni apo astronomi zhvillonin teoritë e tyre pa u interesuar shumë për zbatimin e tyre në praktikë. Në po të njëjtën mënyrë inxhinieri dhe arkitekti kryenin kërkime dhe studime spekulativë, ndonëse e dinin që për të siguruar jetesën duhet të projektonin fortifikime dhe makina lufte”. Klisheja moderne e studiuesit me drejtim unik, ishte shumë larg nga “forma mentis” e shkencëtarëve që ishin shpesh edhe piktorë, shkrimtarë apo poetë, që ishin edhe juristë, si Angelo Poliziano. “Leonardo shkruante përralla dhe Mikelanxho ka lënë sonete shumë të bukur”, shton Rossi. Bota.al

Mbërritja e grave

I rëndësishëm ishte edhe kontributi femëror. “Poetesha si Gaspara Stampa në ‘500 dhe, në fundin e Rilindjes, piktore si Artemisia Gentileschi vlerësoheshin shumë për dijet e tyre, përvec se për artin që bënin”, vazhdon historiani. “Ky fill i kuq i Rilindjes, me thënë të vërtetën, shkon pas në kohë që në Mesjetë, një epokë e konsideruar e errët, por kur ekzistonin përjashtime: shkolla e famshme mjekësore e Salernos nxirrte, të paktën që nga vitet Dyqind, profesioniste të vërteta”.

Sponsorë të iluminuar

Edhe pesë shekuj më parë, shkenca dhe kultura nuk mund të ecnin shumë përpara pa paranë. Një bollëk i tillë gjenish nuk do të shpjegohej dot pa figurën e mbrojtësit, që në vitet 400-500 mori edhe tipare unikë. Princi protektor i arteve dhe shkencave ishte pikësëpari politik dhe një njeri i pushtetshëm. Por, në shumë raste, edhe një intelektual i gatshëm që të investonte për kërkime të dijes dhe të bukurës. Dedikimi ndaj një traktati të astronomisë apo zbukurimi i qytetit me statuja dhe monumente ishin sigurisht demonstrime të supremacisë dinastike dhe forma propagande. Por jo vetëm kaq: zotërinjtë e Rilindjes duhej të dinin dhe jo vetëm të shfaqeshin. Për këtë arsye, pikërisht Firence u shndërrua në polin më të madh kulturor të kohës: kthesa ndodhi kur Cosimo dhe Lorenzo de Medici mbështetën studimin e teksteve të lashtë, sepse donin shumë të lexonin në origjinal veprat për të cilat paguanin përkthimin.

Edhe oborri ndërroi stil: një grup personash të ditur, që pëlqenin shumë të darkonin së bashku duke dëgjuar Ludovico Arioston, Torquato Tasson apo Angelo Polizianon ndërkohë që lexonin pjesë nga veprat e tyre, zunë vendin e shoqëruesve të armatosur në krah të zotërisë-luftëtar. “Kultura ishte shumë më pak e përhapur se sa sot, por mbrojtësit e saj të privilegjuar ishin përfshirë nga një entuziasëm i pashoq”, shpjegon Rossi. “Në ambiente si oborri në Ferrara, Mantova, Milano apo Venecia mbizotëronte pikërisht kjo atmosferë”.

Edhe Roma dhe ambienti fetar duket se pranoi centralitetin e njeriut dhe në fillimet e Katërqindës Papa Piu II ishte një humanist i madh, ndërsa shumë pasardhës të tij ishin të dhënë pas arteve. Sigurisht, pikërisht në atë kohë teoria heliocentrike e Kopernikut u quajt herezi, por fakti që ishte një njeri fetar nuk e pengoi fra’ Luca Paciolin që të hidhte bazat matematikore të studimeve të tij laikë mbi “seksionin e artë”: përmasat e të bukurës përcaktoheshin me numra, duke marrë si model masat njerëzore. “Imazhi i vetë Leonardos që bredh tinëz netëve nëpër varreza, në kërkim të kufomave për t’i hapur, në kundërshtim me fenë, është një legjendë romantike: Kisha e toleronte këtë praktikë që në vitet 300”, konkludon Rossi.

Pra, ishte mbrojtja prej princërve dhe njerëzve të pushtetshëm faktori vendimtar? Ndoshta. E megjithatë, për Vasarin, shpërthimi i atij bumi ishte, dhe është i thjeshtë dhe më “humanistik”: “Eshtë zakon i natyrës, kur ajo bën një person të shkëlqyer në një profesion të caktuar, nuk e lë të vetëm, por në po të njëjtën kohë, dhe pranë tij, bën edhe një tjetër, për t’i bërë konkurrencë”. / Focus – Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?