Hotelet, 2 çadra për 1 dhomë! Leje plazhi vetëm bizneseve me NIPT e pa detyrime tatimore

24 Tetor, 17:33| Përditesimi: 24 Tetor, 17:43

  • Share

Për çdo dhomë strukturat akomoduese do të kenë 2 çadra dhe në çdo 1000 metra vijë plazhi 300 metra do të jetë publike. I paralajmëruar në muajin shtator nga kreu i qeverisë Edi Rama, që stacionet e plazhit do të jenë vetëm për hotelet, dhe jo për strukturat e tjera si beach bar etj., ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Turizmit që specifikon rregullat për sezonin e ardhshëm.

Stacione plazhi në sezonin veror 2025 do të kenë vetëm ato struktura akomoduese që janë të regjistruara me nipt, janë të kategorizuara nga ministria (hotel me x yje, resort, hotel i shpërndarë, vilë etj.).

Po ashtu strukturat akomoduese nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara dhe kanë një plan për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit. Përparësi për stacione të plazhit do të kenë ato struktura që kanë hapësirë plazhi para dhe ato që kanë plazh në afërsi.

Aplikimi nga bizneset do të bëhet në e-albania me dy faza. Në fazën e parë ngarkojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar (formulari i aplikimit, numri i stacionit të plazhit, numri i dhomave, foto të strukturës akomoduese, apo planin e operimit) dhe më pas do jetë grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve, që do ta vlerësojë kërkesën dhe nëse kërkesat plotësohet bëhet aplikimi i dytë brenda 31 marsit të vitit që vjen, ku detajohet hapësira e plazhit, shqyerja e detyrimeve tatimore etj. Ndërsa kontratat do të lidhen nga 1 maji.

Të gjitha strukturat që do të kenë të drejtën e stacionit të plazhit, duhet që të çadrat ti vendosin 10 metra larg bregut të detit, të kenë distancë 3 metra çadrat nga çadrat horizontalisht dhe 2.5 metra vertikalisht, të vendos në dispozicion një dush me ujë të ëmbel, të ketë tualet të ndarë meshkuj femra, dhe për me aftësi të kufizuara, kabina zhveshje, zonë të ndihmës së shpejtë dhe tabela me çmimet dhe me numra të policisë, ambulancës etj.

Do të jenë bashkitë ato që do të propozojnë hartën e përgjithshme të plazheve, e cila do të miratohet nga Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik, që drejtohet nga Ministria e Turizmit.

Po ashtu biznesi që ka stacionin e plazhit duhet të marrë masa për sigurinë e pushuesve, duke filluar që nga kullat e vrojtimit e deri tek kufizimi i distancës së lejuar për not me bova të kuqe. Nëse nuk respektohen këto rregulla, në vendim thuhet që do të ketë gjoba dhe në rast përsëritjeje të shkeljeve administrative do ketë zgjidhje të menjëhershme të kontratës.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?