Ramush Haradinaj

 Hoti e Haradinaj përplasen për Task-Forcën e anti-korrupsionit

24 Tetor 2020, 16:01| Përditesimi: 24 Tetor 2020, 16:04

  • Share

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkrirjen  e Task-Forcës anti-korrupsion.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se shkrirja e kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja", ka shkruar Haradinaj.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi kryeministrit Hoti.

Hoti , shkroi se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor, duke shtuar se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.

Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti në Facebook.

Qeveria e Kosovës, një javë më parë vendosi të shkrijë Task-Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Por, lideri i AAK-së vlerëson se vendimi për shuarjen e Task Forcës nuk është i përgatitur dhe i menduar si duhet, dhe pasojat e tij mund të jenë të pakthyeshme.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shkruar Haradinaj.

Departamenti Special Anti-Korrupsion, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion”, ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

 

Komento

Komente

  • kastrioti: 24/10/2020 21:40

    Prap doli ky gomari qe rref gruan.... Nuk e paskan arestuar akoma... Gomar me te madh se ky shqiptaria nuk ka pare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?