Avdullah Hoti

Hoti mohon të ketë dhënë dorëheqje, kërkon marrëveshje për presidentin

27 Nëntor 2020, 11:09| Përditesimi: 27 Nëntor 2020, 11:13

  • Share

Pas lajmeve të cilët kanë qarkulluar ditët e fundit në Kosovë, për dorëheqjen e kryeministrit Hotit nga posti i tij ka reaguar vetë ai duke i përgënjeshtruar deklaratat me anë të një postimi në Facebook.

“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta. Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19”, ka thënë ai.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri ai tha se partitë parlamentare i kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të bien dakord  për datën e zgjedhjeve.

“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose  të bien dakord për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, thotë ai.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të zgjidhet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e  një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit ose për zgjedhje të parakohshme.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?