Ahmed Ghaleb Nasser al-Rahawi

Bota

Grupi Houthi konfirmon vrasjen e kryeministrit të tyre nga një sulm izraelit

30 Gusht, 22:03| Përditesimi: 30 Gusht, 22:06

  • Share

Lëvizja rebele Houthi në Jemen ka konfirmuar se Kryeministri i vetëshpallur i saj, Ahmed Ghaleb Nasser al-Rahawi, është vrarë në një sulm ajror izraelit më herët gjatë kësaj jave.

Grupi i mbështetur nga Irani tha se disa zyrtarë të tjerë të lartë u vranë kur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën kryeqytetin e Jemenit, Sana, të enjten.

IDF tha në atë kohë se kishte sulmuar një “objektiv ushtarak” të Houthive në zonën e Sanas, pa dhënë detaje të tjera.

Houthis kanë kontrolluar pjesën më të madhe të veri-perëndimit të Jemenit që nga viti 2014, pasi rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht nga Sana dhe ndezën një luftë civile shkatërrimtare. Houthisit thanë se Rahawi ishte vrarë së bashku me disa ministra të tjerë, megjithatë nuk i përmendën ata me emra.

Sipas faqes saudite të lajmeve al-Hadath, janë vrarë edhe ministri i Jashtëm i Houthive, si dhe ministrat e Drejtësisë, Rinisë dhe Sporteve, Çështjeve Sociale dhe Punës.

Zyra e presidentit të Houthi, Mahdi al-Mashat, tha se disa ministra të tjerë “kanë pësuar lëndime të moderuara dhe të rënda” si pasojë e sulmit.

Po ashtu u njoftua se Muhamed Ahmed Miftah, zëvendëskryeministri i Houthive, do të marrë detyrën e Rahawit.

Rahawi kishte mbajtur postin që nga gushti 2024 dhe shihej kryesisht si një figurë simbolike e lëvizjes, jo pjesë e rrethit të ngushtë vendimmarrës që planifikon operacionet ushtarake.

Abdul-Malik al-Houthi, udhëheqësi suprem i lëvizjes, si dhe ministri i Mbrojtjes i grupit dhe shefi i shtabit, nuk figurojnë ndër viktimat e sulmit të së enjtes.

IDF ende nuk ka komentuar publikisht mbi zhvillimet më të fundit.

Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, Houthisit kanë lëshuar rregullisht raketa ndaj Izraelit dhe kanë sulmuar anije tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët.

Izraeli, nga ana e tij, ka kryer sulme ajrore mbi objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthisit në Jemen, me synimin e deklaruar për të frenuar sulmet e tyre./ BBC

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmendet trafiku, kush e ka përgjegjësinë?