Hovenier: Ka aktorë të huaj që tentojnë të minojnë demokracinë e Kosovës

10 Dhjetor, 13:21| Përditesimi: 10 Dhjetor, 15:57

  • Share

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se në Kosovë “ka aktorë të huaj keqdashës aktivë që tentojnë të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar ndasitë etnike”.

“Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Nuk duhet ta lejojmë të ndodhë”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta posaçërisht në periudha zgjedhjesh.

Në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington, Hovenier ka theksuar se dezinformatat mund të kenë pasoja të mëdha veçanërisht gjatë viteve të zgjedhjeve, duke shtuar se është e rëndësishme që qytetarët të kenë qasje në informata të sigurta.

 “Mendoj se është veçanërisht e rëndësishme me zgjedhjet që vijnë në shkurt të vitit 2025. Dezinformimi mund të ketë gjithmonë pasoja të tmerrshme, por mendoj veçanërisht në periudha elektorale dhe është jetike që qytetarët të kenë qasje në informacionin e saktë në mënyrë që të marrin vendimet më të mira për të ardhmen e vendit të tyre”, tha ambasadori Hovenier.

Ai ka përmendur një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vjet më parë ku bëhej fjalë për një bisedë jo të vërtetë mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës.

Për këtë ai ka thënë se lëvizjet e tilla tregojnë se aktoret keqdashës përpiqen të shfrytëzojnë natyrën shumetnike të Kosovës për të krijuar ndarje.

Hovenier, i cili përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit, ka ritheksuar rolin e SHBA-ve ndaj Kosovës, duke thënë se mbeten të përkushtuar ndaj këtij vendit në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

Eva Palatova nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë bërë kërcënime thelbësore jo vetëm për proceset demokratike.

“Përpjekjet tona për të kundërshtuar manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj nuk kanë të bëjnë vetëm me luftimin e dezinformimit. Ato kanë të bëjnë me mbështetjen e proceseve për forcimin dhe rindërtimin e besimit në media, fuqizimin e qytetarëve për të marrë vendime të mbështetura në informacion dhe mbrojtjen e vetë themeleve të demokracisë”, tha ajo duke nënvizuar se këto përpjekje janë kritike, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve, ku dezinformimi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin e proceseve zgjedhore.

“Ndërsa presim zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, nevoja për veprime të fuqishme për të ruajtur integritetin e informacionit është edhe më kritike. Zgjedhjet janë një kohë kur informacioni luan një rol qendror në formësimin e opinionit publik dhe në drejtimin e vendimmarrjes. Por, kur informacionet mbi të cilat qytetarët mbështeten janë të shtrembëruara, ato dëmtojnë aftësinë e tyre për të bërë zgjedhje të drejtë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi syçelë dhe aktivë në luftën kundër dezinformimit gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.

Ajo tha se Bashkimi Evropian në bashkërendim me Institutin Kombëtar Demokratik, do të nisë një studim mbi rrëfimet dhe aktorët e dezinformatave gjatë zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, duke u përqendruar në identifikimin e rrëfimeve kryesore të dezinformatave dhe në shqyrtimin e ndikimit të tyre në opinionin publik dhe proceset zgjedhore.

Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?