Rinumërimi i votave në Fier tregoi se jo vetëm mandatet nuk ndryshuan për partitë, por PD-ja doli me profil më të ulët nga çfarë ishte pas 11 majit, kurse inicuesi i procesit, Adriatik Lapaj i Nismës Shqipëria Bëhet, teksa kërkonte t’i merrte mandatin PS-së, doli edhe më keq nga numërimi i parë.
Kjo ishte analiza e gazetarit Poli Hoxha sot në “Studio Live” për zhvillimet më të fundit politike, për paszgjedhjet parlemantare dhe procesin e rinumërimit. Ai tha për Report Tv se nuk pret më që Sali Berisha të ndryshojë dhe as që PD-ja të përmirësohet, sepse do të shkojë edhe më keq. Kurse për mazhorancën u shpreh se humbja e mandatit të Zegjine Çaushit nga rinumërimi në Fier nuk përbënte lajm.
Hoxha theksoi se Rama do jetë i kujdesshëm me qeverinë e re, sepse duke parë hetimet e SPAK ndaj ministrave dhe zyrtarëve këto vite, do përpiqet që të zgjedhë një qeveri me sa më shumë njerëz teknikë dhe jo partiakë, me motiv integrimin në BE.
“PD është pa profil të lartë politik nga ky rinumërim, kurse humbja e Zegjine Çaushit nuk është lajm. Inicuesi i këtij rinumërimi, Adriatik Lapaj, rezultoi se doli edhe më keq se çfarë ishte nga ky rinumërim. Ndërsa Gazmend Bardhi u pa se ishte i kënaqur nga humbja e Zegjine Çaushit. Lajmi është se do fillojë hetim për numëruesit dhe komisionerët për votat që u gjetën të devijuara. Pamë se mandatet për partitë nuk ndryshuan as në Tiranë dhe as në Fier, teksa edhe në Durrës nuk pritet të ketë ndryshim”.
Por ai e sheh raportin e OSBE-ODIHR si një gjysmë kushte për integrimin, me qëllim reformën elektorale dhe korrigjimet e sistemit të gabuar zgjedhor. Justifikimet e Berishës për farsën elektorale i quan të kota, sepse edhe Primaret në PD ishin skandaloze.
“Nga raporti i OSBE-ODIHR duket se ka një gjysmë kusht për integrimin në lidhje me rezlizimin e Reformës Zgjedhore. Nuk ka analizë të punës nga PD-ja. Këta justifikohen vetëm me farsën, për të justifikuar dështimin, Berisha pretendon por nga ana tjetër nuk kërkoi asnjë reformë për këto gjetje, kur e kishte rastin që korrikun e kaluar me kodin zgjedhor. Primaret madje ishin skandaloze, PD-ja i zgjodhi vetë kandidatët. Nuk pres nga Berisha që të kërkojë diçka ndryshe, sepse ajo është rruga e tij kryesore, ajo që kishte për të marrë e ka marrë. Unë mendoj se nuk do ndryshojë gjë te opozita, do vejë keq e më keq, sepse nuk mendon për çlirimin e votës. Këtu vota është kapur, ndaj e nis analizën që nga viti 1991 apo 2001 e më pas”, tha ai për moderatorin Arbër Hitaj gjatë lidhjes live.
Hoxha ndau mendimin se tani as Rama dhe as Berisha nuk e kontrollojnë dot SPAK, por informacionet i disponojnë. Por kreu i mazhorancës do përpiqet që këtë herë të mos emërojë ministra njerëz që janë në shënjestrën e SPAK-ut.
“Unë i qëndroj mendimit se këta nuk e kontrollojnë dot SPAK-un, as Rama dhe as Berisha. Ndaj them se Rama ashtu sikurse Berisha i kanë informacionet se çfarë do bëjë Prokuroria. Ndaj edhe ata e kanë informacionin për ministrat që hetohen apo zyrtarët, ndaj do jetë i kujdesshëm në zgjedhje. Hetimet deri tani nga SPAK të njerëzve të tij e kanë cenuar Ramën dhe kjo punë nuk mund të vazhdojë pa fund. Ndaj mendoj se Rama këtë herë do bëjë një qeveri sa më shumë teknike këtë herë, mundësisht tërësisht teknike, me idenë e integrimit, pse jo duke i vënë edhe emër asaj. Mund të fusë edhe emra teknikë, jashtë partisë, jo se nuk e ka bërë, por e ka pasur të përzier”, tha gazetari.
Ai foli edhe për aksionin e Policisë dhe Tatimeve te kompania “Bankers” në Fier, duke e quajtur të vonuar ndërhyrjen, pasi e kishin bërë ‘baltë’ dhe ‘shtet brenda shtetit’ në 12 vite, që kur Berisha u dha licencën më 2013.
“Ky aksion është shumë i vonuar, pavarësisht se është me prapavija politike brenda mazhorancës, të fuqive dhe klaneve që dobësohen. Dikur kanë qenë të fuqishëm, e kanë mbrojtur Bankersin në të kaluarën, teksa duket se SPAK po vepron edhe për të. Por e kishin bërë baltë për hir të së vërtetës. Por që kur mori licencën të firmosur nga Sali Berisha disa muaj para se të largohej si kryeministër, në qershor 2013, kjo kompani nuk ka zbatuar asgjë, ka kapur të gjithë, ka bërë krim mjedisor dhe shkelje. Kohët e fundit e kishte bërë balte edhe me vetë qeverinë. Ajo ka humbur arbitrazhin me shtetin shqiptar vitin e kaluar mbi 260 milionë euro dhe vijon të bëjë karshillëk dhe të mos paguajë asgjë. Është një krim vrastar dhjetëravjeçar, atje është si një zonë Çernobili. Për 12 vjet atje nuk kanë bërë asnjë investim për mjedisin atje, kanë bërë një shtet brenda shtetit”, përfundoi gazetari.
Komente
