Poli Hoxha, sot në 'Studio Live'
Gazetari Poli Hoxha mendon se Sali Berisha nuk ka më hallin se mos i marrin partinë, por se si të përballet me drejtësinë, pas caktimit edhe të treshes gjykuese për aferën e dosjes “Partizani” ditën e sotme.
Ai nuk sheh garë brenda PD-së më dhe as emra që mund të guxojnë t’i dalin përballë për t’i marrë selinë blu. I ftuar në ‘Studio Live’ të Report Tv, ai u shpreh se edhe ata pak kritikë që i dalin PD-së, marrin një reagim tepër agresiv dhe shtypen, kurse refuzimi për rinumërimin e votave brenda partisë të kandidatëve është një tjetër shenjë.
“Berisha do vazhdojë betejën e tij me Drejtësinë. Sot është caktuar edhe trupa gjykuese dhe tani ai nuk ka më hallin e partisë, por të betejës me drejtësinë. Nuk mendoj se do ketë luftë të brendshme në PD. Këta nuk i lënë zërat kundër dhe as nuk ka të tillë. Edhe kur del ndonjë i tillë që do të qajë humbjen, si rasti i Ilir Vrenozit, “heroit të demokratëve” gjatë fushatës, të cilit iu vërsulën kur tha se donte të qante për humbjen. Po kështu edhe Nard Ndokës me statusin ku shprehej se duhej parë brenda lidershipit shkaku i humbjes”, tha Hoxha.
Gazetari shprehet se Berisha dhe PD nuk kanë beteja parimore për vjedhjen e zgjedhjeve, sepse nëse kishin ankesa për ato që pretendojnë, do i kishin bërë që para votimeve.
“Nëse PD kishte interes për ato që pretendon, do ankohej para zgjedhjeve, sepse OSBE-ODIHR i kishte përfshirë në raport dhe këta mbyllën listat së bashku dhe heshtën. Kurse tani ankohen. Unë nuk e di se pse bëhen këto statuse për luftë apo përplasje të brendshme, por mendoj se janë sinjal dhe mesazh ndaj kritikëve. Kryetari te PD është partia. Mendoj se askush nuk mund të ngrihet për analizë dhe kritikë atje, pasi edhe Gazment Bardhi nuk u zgjodh me garë nënkryetar dhe po kështu Agron Gjekmarkaj, pra nuk kanë tagrin të kërkojnë analizë forumesh”, u shpreh ai për Report Tv.
Për të, PD është kthyer në një bunker ku Berisha ka mision përballjen me drejtësinë. Gjithashtu PD sipas tij nuk ka interes që të kërkojë rinumërimin e votave brenda partisë.
“Edhe Berisha nuk thotë më jam kryetar i PD, por se është me mision. PD është një bunker ku vendos vetëm ai, Berisha është kryetar dhe askush nuk guxon ta kritikojë. Berisha edhe po të kandidojë prapë në shtator për PD e fiton. Para zgjedhjeve të 11 majit janë dhënë 63 leje ndërtimi enturazhit të PD-së dhe drejtuesve të saj. Tani të dy palët nuk duan të hapin kutitë, sepse ka ndodhur vota e deleguar, pra me Partinë secili bën çfarë duan. Këta janë bashkë, e kjo buron që te Kodi Zgjedhor. PD nuk e do rinumërimin e votave brenda partisë, sepse edhe aty janë deleguar votat”, analizon ai situatën brenda opozitës.
Por a do largohet Berisha nga partia?
“Unë mendoj se Berisha nuk do ia lërë askujt nga këtyre që përfliten partinë. Nuk ia lë sepse kjo është e rrezikshme. Unë mendoj se Berishizmi do vazhdojë, nuk do ketë kryetar të ri të PD-së, pasi Berisha ka betejën me drejtësinë. Edhe nëse ka emra për kryetar në atë parti, ku mund të japim disa, do jenë emra të një ushtrie të vdekur. Kurse Rama e ka opozitën me telekomandë, por mund t’i kthehet në problem. Rama nuk ka rival”, argumentoi gazetari për ‘Studio Live’.
Lajmi kryesor:
Kadilli: PD në gjendje mjerane, profetë që dalin sharlatanë! Berisha duhet të hapë krahun, e mbështesin vetëm fanatikët ekstremë!
A.Q/ReportTv.al