Partia Demokratike nuk tërhiqet nga projekti për ta zhbërë reformën në drejtësi nëpërmjet Komisionit të Venecias, pasi reforma e tanishme është e Sorosit dhe politikë e PS-së.
Kështu shprehet kandidati i PD-së, Lisandër Hoxha, në ‘Studio Live’, teksa paralajmëroi edhe socialistët se nuk do i vjedhin dot më votat, pasi nuk kanë më Xhorxh Sorosit.
“Këta nuk e marrin dot mandatin e katërt. Këta nuk kanë më Xhorxh Sorosin për të vjedhur votat. Ka një kusht nga BE-ja, për zgjedhjet e lira e të ndershme. Këta nuk i hapin dot më kutitë për të vjedhur votat, e kanë thënë edhe ndërkombëtarët. As ambasadori nuk do e dijë ça ka brenda. Chris LaCivita i tha Ramës ‘Kukulla e Sorosit’, është anëtar i Republikanëve, do vijë dhe do drejtojë fushatën e PD-së në zgjedhje. LaCivita ka ardhur dhe do vijë, ka stafin e tij këtu dhe do drejtojë fushatën. Unë nuk jam zëdhënës i tij. Drejtësia të jetë larg politikës, korrupsioni të luftohet pa ngjyra. Lideri i opozitës u mbajt pa akuzë në burg. Reforma Soros duhet të futet në sitën e Komisionit të Venecias. Ne do bëjmë gjithçka që Komisioni i Venecias do i propozojë Shqipërisë, nuk kemi pse të mbahemi te drejtësia e Xhorxh Sorosit”, shprehet Hoxha.
Kurse kandidati i PS, Arben Pëllumbi, iu përgjigj se në Shqipëri votojnë shqiptarët dhe jo amerikanët, teksa akuzoi PD-në si parti e shkatërrimit në çdo qeverisje të saj.
“Këtu nuk voton as presidenti i SHBA, as sekretari dhe as ministri në Amerikë, por votojnë shqiptarët. Këta e prishën gjithçka, me idenë e çekut të bardhë, e zëruan gjithçka, i prishën dhe e lanë në këtë gjendje. Nuk i kemi më industritë, fabrikat, uzinat, bujqësinë, fermat, që u prishën të gjitha nga qeverisja e PD-së. Me PD gjithnjë ka pasur qeverisje problematika e të vështira. Këta lanë borxhe të mëdha kur ikën më 2013, vendi shpëtoi fal asaj marrëveshje që qeveria e PS bëri me FMN-në, se këta lanë dëme pas. Nuk është më drejtësia e dikurshme kur kreu i tatimeve drejtonte nga zyra, edhe pse drejtësia e hetonte dhe gjykonte për krime, nuk e di se çfarë drejtësia ishte kur kryeprokurorja quhej lavire bulevardi. Ai fshiu serverat, nuk la prokurorinë të hetonte. Sa për Sorrosin atë e solli Berisha në Shqipëri. SPAK dhe Drejtësia sot kanë vrarë frikën. Ne do jemi në mbështetje të tyre, kanë të gjithë mbështetjen tonë, për më tej do shihet pas rezultatit të zgjedhjeve, nëse do zgjatet apo jo mandati i prokurorëve. Do diskutohet kur ne të na besohet mandati i ardhshëm, e nuk bëhet fjalë për shkrirje, por rregullime dhe përshtatje me legjislacionin e BE-së”.
Pëllumbi akuzoi se PD-ja ka ende fytyrat e njëjta, të shkuara, të qeverisjes së parë, aq sa edhe veten e kanë vendosur në lista të sigurta nga frika, kurse të tjerët në listat e hapura për të mbledhur votat e bërë fushatën.
“Në PD fytyra të njëjta. Nuk gënjehen shqiptarët, shiko listën e PD-së të kuptosh. Ja tek është, këta do vijnë në pushtet? Pse nuk vendosën njerëz si ju (i drejtohet Hoxhës) të rrisnin besimin e qytetarëve, por futën veten e tyre në listat e sigurta, janë mbyllur atje, janë grupuar si në burg dhe nuk përballen me qytetarët në teren për votat. E thashë, këta në qeverisjet e tyre vetëm rrënim kanë sjellë”, u shpreh Pëllumbi.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Report Tv/ Pëllumbi: PD bën premtime elektorale se e di që nuk fiton, objektivi ynë BE-ja! Hoxha: Do bëjmë përmbysje historike, PS edhe programin na e vodhi
A.Q/ReportTv.al
