Dikur ish ministër i jashtëm i Kosovës e sot anëtar i opozitës, Enver Hoxhaj e sheh shumë skeptik qasjen në politikën e jashtme të qeverisë Kurti, presidentes Osmani dhe ministres së jashtme, Gërvalla. I ftuar në Report Tv, në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Hoxhaj u shpreh se ka qenë pikërisht qasja e Kurtit me ndërkombëtarët ka shtyrë liberalizimin e vizave nga axhenda e KE-së për Kosovën. E këtë deklaratë të fortë, Hoxhaj nuk e ndërlidh me faktin se është pjesë e opozitës dhe se duhet të thotë diçka kundër por se sipas tij, politika që po ndjek Kurti në situatën në veri të vendit nuk është në interes të Kosovës. Një tjetër deklaratë të fortë e pati edhe për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE ku sipas tij deri në vitin 2035 nuk do të jetë i mundur.
“Në pjesën veriore të vendit ka një lloj vakumi një lloj boshllëku., këtë se them si anëtar i opozitës, realisht në atë pjesën të Kosovës është një vrimë e zezë. Sa më shpejt që Kurti dhe partnerët të bëjnë një marrëveshje politike për t integruar pjesën veriore është në interesin tonë.
Ne mund ta bëjmë këtë përmes mundimeve reale dhe jo simbolike siç janë targat.”- tha Hoxhaj.
Ish ministri i Jashtëm u shpreh se kjo politikë e “mbrapshtë” e Kurtit e ka zanafillën që kur kreu i qeverisë së Kosovës, ka qenë në opozitë. Sipas Hoxhajt, reagimi i ashpër i Kurtit dhe Osmanit ndaj shefit të diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell ishte i gabuar, pasi në thelb Kosova duhet të ndjekë udhën e bashkëpunimit. Nuk është në interesin e Kosovës për të patur një përplasje me partnerin strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kurti ka pasur qëllim që në opozitë të krijimit të problematikave në Veri dhe kjo sjell problematika. E dimë që Serbia ka bërë gjenocid, etj po qasja jonë ka qenë e ndryshme ne duam të bashkëpunojmë. Ndërsa mënyra sesi kanë bërë Osmani dhe Kurti ka sjellë një goditje të madhe dhe ashtu ka qenë goditja e shtyrjes së axhendës nga një vendim i mundshëm për liberalizimin e vizave. Dhe ka qenë goditje e duhur nga BE. Nga kjo përplasje humbi Kosova dhe shtet e vogla. Në politikë ndërkombëtare është me rëndësi të kesh të drejtë, ne mund ta bënim këtë duke u mbështetur në sovranitetin tonë dhe në partneritet sepse ato ecin së bashku. Kosova ka kundërshtarë si Rusia dhe Kina dhe s’është në interes të Kosovës të ketë përplasje me SHBA.
Duhet të jemi serioz dhe të përgjegjshëm kur flasim.”- tha Hoxhaj në Report Tv.
Në akuzat e tij ndaj qeverisë Kurti, Hoxhaj u shpreh se aktualisht Kosova nuk ka politikë të jashtme, sepse nuk ka ambicie e as vullnet. Kjo sipas tij, ekziston vetëm në një realitet ku ka stabilitet, përgjegjshmëri dhe koordinim me partnerët. Një pikë shumë interesante që ish ministri i Jashtëm ceku ishte edhe “ambicia” e Federatës Ruse për ndërhyrje në Ballkanin e trazuar, ku një nyjë që mund të ngacmohet sipas tij është pikërisht veriu i Kosovës. Duke e nënkuptuar veriun e vendit si një çështje mjaft delikate, Hoxhaj u shpreh se këtë qëllim e kanë nënkuptuar tërthorazi aq edhe sa qartazi me anë të dezinformimi që bëjnë për veriun e Kosovës.
“Aktualisht Kosova nuk ka politikë të jashtme, nuk ushtrohet as nga Osmani as nga Kuti as nga Gërvalla, nuk ka ambicie as vullnet. Ka një ndryshim tektonik nisur dhe nga Lufta në Ukrainë, po të ishte një qeveri e përgjegjshme, po p.sh. nëse do isha unë ministër i jashtëm jam i sigurt që të kishim 4-5 njohje në vit. Por kjo ndodh kur Kosova shfaqet si vend, stabil, i përgjegjshëm dhe i koordinuar nga partnerët.
... Unë s’besoj se do të ketë luftë mes Kosovës dhe Serbisë dhe unë mendoj se fronti i dytë do jetë Ballkani. Dhe veriu i Kosovës është pika më interesante për rusët për të kërcënuar në stabilitet jo veç në Kosovë por dhe në rajon. Dhe muajve të fundit e kanë treguar me anë të dezinformimini e tyre së fundmi për veriun e qeverisë.”- tha ai më tej.
Hoxhaj ndau edhe një “formulë” që sipas tij duhet të ndjekë Shqipëria, Kosova por edhe Maqedonia e Veriut, atë të bashkëpunimit aq sa të mundësojë një bllok hegjemon, pra të njëtrajtshëm. Si mesazh me rastin e 28 nëntorit të cilin dikur e cilësonin si ‘yll polar’, Hoxhaj u shpreh se dha emocionet që jepte dikur. Sidoqoftë, për të është e rëndësishme që shqiptarët të zgjerohen.
“Nuk jemi në emocionet e 28 nëntorit mes të cilëve jemi rritur dhe ka qenë ylli ynë polar, por shqiptarët duhet të dinë që në këtë 110 vjetor Shqiptarët i kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Kanë ndikim dhe në Maqedoninë e Veriut. Dhe e shoh si periudhë të shqiptarëve, duhet të krijojmë një bllok homogjen. Ne duhet të lëvizim drejt një faze të re për një bllok shoqëror i bashkëpunimit mes Kosovës-Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kombi është një kategori paksa historike, tani kemi nocione si ekonomia, arsimi etj duke respektuar sovranitetin e shtetit. Duhet ta rilexojmë hartën e Ballkanit në përputhje me interesant tona. Nëse BE nuk do të zgjerohet së shpejti tek ne është e rëndësishme që Shqiptarët të zgjerohen. Unë natën e sotme do të rri në Tiranë të festoj, atë që dikur e festonim në fshehtësi. Deri në 2035 Shqipërinë dhe Kosovën nuk i shoh pjesë të BE për shkak të politikave dhe ne duhet të kemi sa më shumë bashkëpunim mes shqiptarëve.”- tha Hoxhaj në Report Tv.
Ç'po ndodh në Kosovë:
Me ftesë të kryediplomatit të BE-së, Joseph Borrell, Kurti dhe Vuçiç u mblodhën fillimisht në takime të ndara e më pas ‘kokë më kokë’ për 4 orë në përpjekje të një marrëveshjeje. Por, ashtu siç pritej, Kurti u shpreh i qartë edhe në Bruksel se nuk do të ketë një tërheqje nga vendimi i qeverisë së Kosovës.
Pas dështimit të negociatave (fillimisht), Borrell u shpreh i ashpër kryesisht ndaj Kosovës., duke kërkuar fleksibilitet për çështjen e targave. Kjo deklaratë e Borrell solli edhe një reagim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila akuzoi përfaqësuesin e BE-së për njëanshmëri në favor të Serbisë.