Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa - ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

HRW: Aktakuzat për krime lufte në Kosovë, përparim drejt drejtësisë

13 Janar 2021, 12:16| Përditesimi: 13 Janar 2021, 12:25

  • Share

Pjesa e parë e aktakuzave, të lëshuara nga prokurorët e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, me seli në Hagë, shënoi përparimin e shumëpritur drejt drejtësisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të ligjit humanitar, si dhe të ligjeve të luftës në Kosovë, vlerëson organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch.

Në raportin vjetor, të publikuar të mërkurën, Human Rights Watch thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në mesin e katër ish-pjesëtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u akuzuan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Raporti kujton se Thaçi ka dhënë dorëheqje në nëntor dhe se të katër të akuzuarit janë transferuar në objektet e paraburgimit në Hagë.

Akuzat kundër Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhen me periudhën gjatë dhe menjëherë pas luftës së vitit 1999, thuhet në raport.

Sipas tij, dy pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen po ashtu për rrjedhjen në publik të emrave të dëshmitarëve, ndërsa përmendet edhe rasti i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa - i akuzuar dhe arrestuar në shtator për krime lufte.

Te pjesa për përgjegjësinë e institucioneve ndërkombëtare, në raport përmenden disa kampe të kontaminuara për të zhvendosurit në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

“Paneli Këshillëdhënës i të Drejtave të Njeriut - një organ i pavarur ndërkombëtar, i ngritur për të shqyrtuar ankesat për abuzime nga UNMIK-u - ka gjetur në vitin 2016 shkelje kundër anëtarëve të komuniteteve të zhvendosura dhe ka kërkuar që Kombet e Bashkuara të paguajnë kompensim individual dhe t’iu kërkojnë falje vitikmave. Kombet e Bashkuara nuk e kanë bërë anjërën”, thuhet në raport.

Viktimat janë anëtarë të zhvendosur të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Raporti vë theksin te një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim - e realizuar në muajin janar - e cila ka konstatuar se shumica e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me papunësi të lartë, strehim të dobët dhe diskriminim, sidomos të grave.

Aty përmenden ca përmirësime në qasjen në arsim, “e cila tradicionalisht ka qenë e pamjaftueshme”.

Raporti përmend edhe nisjen e gjyqit, në muajin shkurt, kundër gjashtë të pandehurve, të akuzuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Te pjesa për të drejtat e grave, raporti thotë se dhuna në familje mbetet problem në Kosovë, “me përgjigje joadekuate të policisë, me pak ndjekje penale dhe dështim të vazhdueshëm të gjykatësve për të lëshuar urdhra kufizimi kundër partnerëve abuzivë”.

“Një mekanizëm i vitit 2018, i ngritur për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20,000 të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë, ka vazhduar të ketë arritje të kufizuara”.

“Midis shkurtit 2018 dhe qershorit 2020, rreth 1,239 të mbijetuar kanë kërkuar kompensimm financiar, ndërsa 800 [kërkesa] janë miratuar, 239 janë refuzuar dhe të tjerat kanë qenë pezull në kohën e përpilimit të raportit”, thekson Human Rights Watch.

Sipas raportit, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka regjistruar 245 kthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë - krahasuar me 115 gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2019.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka regjistruar 304 të dëbuar në Kosovë, në periudhën janar-shtator, shumica e tyre nga Gjermania.

Raporti përmend edhe rastin e aktivistit të të drejtave të njeriut, Shkëlzen Gashi, dhe thotë se 40 organizata lokale kanë dënuar kërcënimet kundër tij, pas deklaratave të tij se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës. Atëbotë, Gashi është shkarkuar nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Albin Kurti.

Në raport po ashtu thuhet se gjuha e urrejtjes në mediat sociale kundër komunitetit lezbian, homoseksual, biseksual dhe transseksual në Kosovë ka vazhduar.

Gazetarët gjithashtu kanë vazhduar të jenë caqe të frikësimit dhe kërcënimeve në mediat sociale, si dhe të sulmeve fizike, thekson raporti, për të shtuar se “hetimet dhe persekutimet kanë qenë të ngadalshme”.

“Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve dhe mediave, përfshirë pesë sulme fizike kundër gazetarëve dhe dhjetë kërcënime. Policia ka qenë duke hetuar katër raste të regjistruara në kohën e shkrimit [të raportit]”, thekson Human Rights Watch.

Organizata po ashtu thotë se komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i ka porositur autoritetet në Kosovë se duhet të bëjnë reforma për forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të luftojnë korrupsionin, por nuk i ka ngritur shqetësimet e tjera për të drejtat e njeriut.

Serbia dhe Bosnje e Hercegovina

Te rajoni i Ballkanit, Human Right Watch vlerëson situatën edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në Serbi, thotë se ka pasur përmirësime të kufizuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Gazetarët janë përballur me kërcënime, dhunë dhe frikësim, ndërsa kryesit rrallë janë mbajtur përgjegjës”, thotë organizata në pjesën për Serbinë dhe shton se “përpjekjet për të ndjekur penalisht krimet e luftës vazhduan të përqendrohen te kryes të nivelit të ulët”.

Human Rights Watch thotë se në Bosnje e Hercegovinë mbeten shqetësime serioze për të drejtat e njeriut, të cilat kanë të bëjnë me ndarjet etnike, diskriminimin dhe të drejtat e pakicave dhe azilkërkuesve.

Presioni mbi profesionistët e mediave ka vazhduar po ashtu, thuhet në raport.

Thirrje Bidenit që t’i mbrojë të drejtat e njeriut pas “katastrofës” nga Trump

Human Rights Watch i bën thirrje presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që ta forcojë përkushtimin e SHBA-së për të drejtat e njeriut, duke thënë se presidenti në largim, Donald Trump, për katër vjet u është shmangur atyre.

Trump ka qenë “katastrofë për të drejtat e njeriut” edhe në SHBA, edhe jashtë saj, shkruan drejtori ekzekutiv i organizatës, Kenneth Roth, në hyrje të raportit.

Sipas Rothit, presidenti në largim “nuk i ka përfillur detyrimet ligjore që u mundësojnë njerëzve që kanë frikë për jetën e tyre, të kërkojnë strehim; i ka ndarë fëmijët migrantë nga prindërit e tyre; ka fuqizuar supremacistët e bardhë; ka vepruar për të minuar procesin demokratik dhe ka nxitur urrejtje kundër pakicave racore dhe fetare”.

Administrata Trump “braktisi në masë të madhe” mbrojtjen e të drejtave të njeriut jashtë vendit dhe "aktorë të fuqishëm si Kina, Rusia dhe Egjipti u përpoqën të minonin sistemin global të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.

Human Rights Watch thotë se pas inaugurimit të Bidenit më 20 janar, presidenti i ri duhet të përpiqet “të rikthejë vlerësimin e publikut amerikan për të drejtat e njeriut, në mënyrë që përkushtimi i SHBA-së të ngulitet dhe të mos ndryshohet lehtë nga pasardhësit e tij”./ REL

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?