Ish-presidenti italian Giorgio Napolitano

Shuhet në moshën 98-vjeçare ish-presidenti italian Giorgio Napolitano, drejtoi shtetin nga 2006-2015! Vizitoi dy herë Shqipërinë

22 Shtator 2023, 20:13| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 23:10

  • Share

Giorgio Napolitano, ish-president i Republikës Italiane ka ndërruar jetë sot në moshën 98-vjeçare.  

Lajmi u bë i ditur nga zyra e kryeministres Giorgia Meloni duke shprehur dhe ngushëllimet e qeverisë italiane për familjen e Napolitanos.

Napolitano u bë president në vitin 2006 dhe u zgjodh për një mandat të dytë shtatëvjeçar të paprecedentë në vitin 2013. Ishte ndër të paktët që fliste gjuhën angleze. 

Napolitano ndihmoi shtetin të kapërcente një krizë borxhesh në 2011 ndërsa krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Papa Benediktin XVI të ndjerë dhe ishte një nga të paktët njerëz që ishte paralajmëruar paraprakisht për dorëheqjen tronditëse të Benediktit në shkurt të vitit 2013. 

Më 21 maj 2022, ish-Presidenti italian iu nënshtrua një operacioni dhe u shtrua për nëntë ditë në spitalin Spallanzani në Romë. Ndërsa më herët më 24 Prill 2018 u operua për mosfunksionim të pjesshëm të aortës. 

I lindur në Napoli në vitin 1925, ai ishte Presidenti i njëmbëdhjetë i Republikës së Italisë. Në vitin 1992 ai pasoi Oscar Luigi Scalfato si President i Dhomës dhe në 1996 ishte Ministër i Brendshëm në qeverinë Prodi I.  Napolitano u zgjodh President i Republikës më 15 maj 2006 dhe më pas për herë të dytë më 22 prill 2013, në këtë rast duke qëndruar në detyrë për më pak se dy vjet. 

Napolitano ka vizituar dy herë Shqipërinë. Në mars të vitit 2014 në atë kohë President i Italisë ishte në Shqipëri në një vizitë zyrtare gjatë të cilës dekorua me Urdhrin e Flamurit, në një ceremoni, që në atë kohë u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Më herët ai kishte qenë në vitin 1996 si ministër i Brendshëm i qeverisë së Romano Prodit.

Ora 23:03
Ndarja nga jeta e Giorgio Napolitanos, mesazh ngushëllimi nga Begaj: Shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë për mbështetjen e tij në rrugën drejt BE

Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-president italian Giorgio Napolitano.

    "I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Presidentit Giorgio Napolitano, miqve të tij dhe gjithë popullit italian. Shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë për mbështetjen e tij të për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Pushoni në paqe", shkruan Begaj.

    Ora 22:39
    Papa Françesku telegram ngushëllimi bashkëshortes së ish-Presidentit italian Giorgio Napolitano

    1695415134_lked.jpg

    Papa Françesku shprehu ngushëllimet e tij ndaj familjes së Giorgio Napolitanos për vdekjen e ish-Presidentit italian.

    Në një mesazh drejtuar ish-zonjës së parë Clio Bittoni Napolitano, Papa Françesku shkroi se ai ishte shumë mirënjohës ndaj ish-Presidentit italian, ku ky i fundit kishte treguar pasionin e tij të sinqertë ndaj jetës politike italiane, raporton media italiane Tgcom24.

    Në shkrimin e tij ai kujtoi gjithashtu edhe takimet e tij së bashku me ish-Presidentin italian, i cili kishte vlerësuar humanitetin dhe largpamësinë e tij për të bërë zgjedhje të rëndësishme.

    “Vdekja e bashkëshortit të saj ka ngjallur tek unë ndjenja emocioni dhe njëkohësisht mirënjohje për këtë burrë shteti, i cili në kryerjen e roleve të larta institucionale tregoi cilësi të mëdha intelekti dhe pasion të sinqertë për jetën politike italiane, si dhe interes të zjarrtë për fatet e kombeve. Kujtoj me mirënjohje takimet personale që kam pasur me të, gjatë të cilave vlerësova humanitetin dhe largpamësinë e tij për të bërë drejt zgjedhjet e rëndësishme. Sidomos në momente delikate për jetën e vendit, me synimin e vazhdueshëm për të promovuar unitetin dhe harmoninë në frymën e solidaritetit, të gjallëruar nga kërkimi i së mirës së përbashkët. Dua të shpreh afërsinë time me ju, fëmijët tuaj dhe familjen tuaj, duke u siguruar që t’ju kujtoj në lutje. Në ngushëllimet e mia, unë lutem që ju dhe për të dashurit tuaj të gjejnë ngushëllim për humbjen e njeriut të zemrës”, tha Papa.

    Ora 21:06
    2 vizitat e Giorgio Napolitanos në Shqipëri, mesazhet ndaj politikës: Luftoni krimin e organizuar, Italia do ju mbështesë drejt BE-së

    1695410628_giorgionapolitano.JPG

    Ish-Presidenti i Italisë Giorgio Napolitano që ndërroi jetë sot (22 shtator) në moshën 98 vjeçare, ka vizituar dy herë Shqipërinë. Në mars të vitit 2014 në atë kohë President i Italisë ishte në Shqipëri në një vizitë zyrtare gjatë të cilës dekorua me Urdhrin e Flamurit, në një ceremoni, që në atë kohë u zhvillua në Pallatin e Brigadave.

    Gjatë takimeve që Napolitano zhvilloi me krerët e politikës shqiptare, garantoi mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë, duke i bërë apel për bashkim per këtë qëllim forcave politike shqiptare. 

    “Italia do të vijoje të jete avokat i Shqipërisë, duke qene i bindur se do te fitojnë kauzën për integrimin e vendit ne BE, njësoj si ndodhi edhe me anëtarësimin në NATO”, tha Napolitano gjatë konferencës me presidentin e asaj kohë, të ndjerin Bujar Nishani.

    Napolitano theksonte në atë takim se kauza që mbështesin dy shtetet është përfshirja e Shqipërisë në familjen e madhe të BE-së.

    ”Jam kthyer pas pothuajse 17 vitesh me një kënaqësi të madhe, si një mik i vjetër që ka dhënë kontributin në 1996-1998 si ministër i Brendshëm i Italisë, për të thelluar bashkëpunimin mes dy qeverive e policive për të luftuar krimin e organizuar dhe për të rregulluar fluksin e emigrantëve drejt Italisë. Ishte një mision  i kompletuar me shumë sukses, e shumë të tjera e pasuan. Askush nuk mund ta mohojë se Shqipëria ka bërë shumë rrugë ka ndërmarë reforma në shumë fusha. Një proces transformimi rrënjësor në ekonomiko-social. Jemi shumë të kënaqur për këto arritje dhe jemi krenarë që kemi mundur të japim kontributin tonë të shumëanshëm dhe në mbështetjen e Shqipërisë në integrimin e saj në NATO” - tha ai.

    Kurse në 1996 Napolitano udhëtonte drejt Tiranës si ministër i Brendshëm i qeverisë së Romano Prodit. Atëherë në Itali numri i shqiptarëve që emigronin në mënyrë klandestine përmes detit ishte dyfishuar.

    Italia ishte e shqetësuar dhe kërkonte marrjen e masave nga qeveria shqiptare. Brenda një viti nga 1995-1996 numri i emigrantëve që kishin zbritur në tokën italiane ishte dyfishuar. Në dhjetor 1995 numri i shqiptarëve në Itali ishte 30 mijë, ndërsa në dhjetorin e 1996, pra muaji, kur Napolitano viziton Tiranën kjo shifër kishte arritur në shifrën e 60 mijë shqiptarëve. 
     
    Kjo nxiti dhe nevojën mes dy shteteve për të forcuar bashkëpunimin policor dhe për të firmosur një procesverbal për takimin e parë të një komiteti të përbashkët Shqipëri- Itali në fushën e policisë.

    Napolitano vizitoi Tiranën me ftesë të ministrit të atëhershëm të Brendshëm në Shqipëri Halit Shamata. Ky takim u pasua disa ditë më pas me shkuarjen e kryeministrit të atëhershëm Aleksandër Meksi në Itali për të takuar homologun italian Romanoo Prodi më 16 dhjetor
     
    alfred moisiu me napolitanon

    Mesazhi i atëhershëm i Napolitanës ishte: "Luftoni krimin e organizuar".
     

    S.S//ReportTv.al
    Komento
    • Sondazhi i ditës:

      Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?