47-vjeçari Altin Luli që humbi jetën në aksidentin e rëndë rrugor që ndodhi të hënën në aksin Shkodër-Lezhë, njihet si një nga të parët themelues të startup-eve në Shqipëri.
Ai po udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, kur mjeti i tyre u përplas me një kamion. Altin Luli, djali i të ndjerit Fran Luli, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ishte një nga të parët themelues të startup-eve në Shqipëri.
Ai kishte themeluar "Dyqan Taxi" dhe disa platforma të tjera, me një karrierë të pasur në tregtinë online. Në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhe të shumta nga miq dhe kolegë të tij.
Altin Luli kishte themeluar dhe drejtonte dhe dy kompani të specializuara në fushën e zhvillimit të tregtisë elektornike, si "NetTrade Albania" dhe "CodeVider".
Firmën e themeluesit Altin Luli e mbajnë edhe projekte të tjera të rëndësishme, si Beba.al, një platformë e madhe në tregun shqiptar të shitjeve online të produkteve për nëna shtatzëna dhe bebe deri në moshën 5 vjeç.
Gjithashtu, 47-vjeçari shkodran kishte krijuar dhe Bukinist.al, vitrina e madhe virtuale, brenda së cilës gjendet një gamë e gjerë botimesh; që nga libri artistik, librit shkollor, akademik, profesional, libri për fëmijë, libri i vjetër, katalogët, albumet, pullat postare dhe kartolinat.
Arbër Kadia, themeluesi i "Patoko", shkruan për ikjen tragjike të Lulit dhe punën e tij në ekosistemin e teknologjisë në Shqipëri.
"Një forcë pioniere pas një prej startup-eve të para në Shqipëri, Dyqan Taxi, Altini ishte më shumë sesa thjesht një mendje teknologjike - ai ishte një vizionar që e kuptonte vlerën e njerëzve shumë kohë para produktit.
Në Patoko, jemi thellësisht të trishtuar nga ndarja e tij tragjike. Puna e tij ndihmoi në formësimin e ekosistemit të hershëm të teknologjisë në Shqipëri dhe trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë", shkruan Arbër Kadia.
Ndërkohë, vetë Altin Luli në profilin e tij në "LinkedIn" shkruan se kishte 25 vjet përvojë në pozicione të ndryshme biznesi, duke ofruar veçanërisht ekspertizë profesionale në tregtinë elektronike, zhvillimin e kanaleve të shitjeve, menaxhimin e llogarive dhe marrëdhëniet me klientët.
Komente
