Aleksandër Lambi

Humbi jetën pasi ra pa ndjenja në fushë, flet trajneri i futbollistit shqiptar në Greqi: Ishte një bishë prej guri! Nëna e tij kaloi në shok, jemi të tronditur

3 Shkurt 2022, 09:56| Përditesimi: 3 Shkurt 2022, 09:58

  • Share

“Ishte një bishë, prej guri”, ishin këto fjalët e trajnerit të Aleksandër Lambi, futbollistit shqiptar që ndërroi jetë gjatë një ndeshjeje mesditën e djeshme në Greqi.

Trajneri i tij tha për mediat greke, se e ka ndjekur 22-vjeçarin që prej fillimit të karrierës së tij dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme shëndetësore.

“Ishte një bishë, prej guri. Ai kurrë nuk ka pasur probleme shëndetësore. E kam ndjekur prej 5 vitesh që në fillimet e karrierës së tij. Nga ekipet e vogla deri kur arriti nivelin profesionist. Ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Apollon në 2019 si një shpërblim për përpjekjet dhe vlerat e tij”, u shpreh ai.

Trajneri ka folur me fjalët më të mira edhe për familjen e shqiptarit.

“Ata janë njerëz shumë të mirë. Nëna e tij ishte në shok në spital. Më tha se kishte kaluar aq shumë ekzaminime dhe nuk shfaqte as më të voglin problem shëndetësor”, shtoi ai.

Kujtojmë se nëna e 22-vjeçarit ishte në fushë në momentin kur djali i saj ra pa ndjenja në fushë, për të mos u zgjuar më kurrë.

Trupi pa ndjenja i futbollistit shqiptar u transportua menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve kolosale të mjekëve nuk arriti t’i mbijetonte “goditjes”.

Aleksandër Lambi humbi jetën vetëm 22 ditë përpara se të festonte 23-vjetorin e tij.

Ngjarja ka tronditur Greqinë dhe botën e futbollit.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?